Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.
Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.
Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.
Këtë ditë e ka kujtuar sot përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, ku në këtë ditë të shënuar ajo ka zgjedhur të nderojë disa nga fotografët që themeluan dhe i dhanë jetë këtij arti, në Shqipëri.
Postimi i plotë
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë! Pikërisht kjo ditë na nxiti, që çdo mëngjes ta nisnim me një shkrepje aparati, që ka bërë histori.
Ndonëse i trajtuar si një art i dorës së dytë, para viteve ’90 të shek. XX, në ndryshim nga artet e tjera pamore, fotografia ka qenë pararojë. Ajo është zhvilluar thuajse paralelisht si në vendet e tjera të Europës, ku nisi të zhvillohej fotografia për së pari..
Fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX numëron emra të mëdhenj fotografësh, madje u ngritën në këmbë edhe dinasti, të cilët na kanë dhënë mundësi të shohim sot të paprekur Shqipërinë e atyre viteve: peizazhe, portrete, mënyra jetese, veshje… Shqipëria që nuk është më, ka ngrirë në celuloid.
Dhe sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë nderojmë disa nga ata fotografë, që themeluan dhe i dhanë jetë këtij arti, në Shqipëri./Bl.Ba/Fjala.al