Hajnajn: S’do të jetë e lehtë, rëndësi ka të ketë drejtësi

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, zhvilloi sot një takim me kokën e re të BKH-së Aida Hajnaj dhe kryeprokurorin e Spak-ut, Arben Kraja, teksa pritet që të hapet gara për 60 oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kim pa nga afër edhe punimet që po kryhen për zyrat e reja nga ku SPAK dhe Byroja do hetojnë korrupsionin.

“Sot u takova me Hajnajn dhe Krajën për ta ritheksuar fort mbështetjen për SPAK. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë ose e lehtë, por po ecën përpara hap pas hapi dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që njerëzit të kenë drejtësi. Sundimi i ligjit është gjithashtu thelbësor për investimet e huaja,”– shkruan Kim krah fotos që ka publikuar në rrjetet sociale.