Plator Nesturi: Kërcënimet e Metës në funksion të fushatës zgjedhore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pesidenti Meta foli me tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar Ramën për një “revoltë popullore” dhe daljen e atij vetë në krye të saj, para 25 prillit. Si e komentoni këtë lëvizje të fundit të kreut të shtetit?

Tashmë ka filluar fushata elektorale, ndaj më së shumti dhe qëndrimet, përfshirë edhe të krerëve të institucioneve, janë më së shumti politike. Rasti më së fundmi i konferencës për shtyp të presidentit, duket si qëndrim politik. Së pari, pasi ajo vjen pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku mazhoranca dhe opozita nuk gjetën asnjë pikë të përbashkët në trajtimin e Kodit Zgjedhor. Tashmë janë hapat e fundit të përcaktimit të rregullave të lojës, me të cilat do të bëhet përplasja zgjedhore e prillit të vitit të ardhshëm, ndaj çdo iniciativë mbart dyshimin për hile që mund të ndikojnë në rezultat. Në këtë aspekt, nuk ka ndonjë surprizë në qëndrimet e presidentit. Tashmë dihen prej kohësh lufta dhe pozicionet e mbajtura si nga mazhoranca, dhe nga presidenti karshi njëri-tjetrit. Ndaj nuk ka ndonjë surprizë në ligjërimin politik në Shqipëri, ndërsa kreu i shtetit i drejtohet mazhorancës me kërcënimin se do të dalë të udhëheqë protesta. Çështja është se sa seriozisht duhet t’i marrim këto. Në fakt, presidenti e ka fare të qartë që ndërsa po afrohet finishi i ditës së zgjedhjeve, forca e kartonave të mazhorancës zbehet. Është e kuptueshme që përpara zgjedhjeve çdo qeveri nuk mund të ndërmarrë asnjë inkursion ligjor, dhe aq më pak kundër presidentit. Madje, kjo do të ishte një harakiri, pasi zhvendos objektivin në zgjedhje që është opozita. Po ashtu, nga ana tjetër, në secilin vend me demokraci parlamentare, gjatë periudhës elektorale dhe kur pushteti i Parlamentit është në periudhë tranzicioni drejt të mandatuarve të tjerë, atëherë pushteti i presidentit rritet për të mbuluar këtë boshllëk. E parë në këtë suazë, mendoj se deklaratat e presidentit më tepër sesa përbëjnë problem për të tashmen, mbeten ende si një kërcënim për të ardhmen për mazhorancën. Kur opozita ka mbetur në rrugë dhe jashtë Parlamentit, kur ende nuk janë përcaktuar rregullat e lojës dhe ekziston një atmosferë mosbesimi të thellë, se nuk do të ketë lojë të ndershme zgjedhore, kjo paralajmëron se do të kemi një fushatë të ashpër dhe ku tonet e nxehta mund të sjellin pështjellime të paparashikuara. Me keqardhje shihet se të gjitha palët janë të barrikaduara dhe se nuk është ruajtur as një figurë apo institucion që të shërbejë me besueshmëri balancën. Për fajin e mazhorancës apo të tij (kjo tashmë nuk ka pikë rëndësie në peshoren e madhe), i barrikaduar është tashmë edhe institucioni i Presidencës.

Me këto deklarata a po merr Meta rolin e protagonistit të opozitës? E dëmton apo e ndihmon kjo opozitën?

Lexo edhe :  “PD kasolle dhe çetë e kryetarit”/ Kjo vjeshtë duhet të ketë zgjedhje për PD-në!

Nuk di të them nëse presidenti ka marrë rolin e protagonistit të opozitës, por është fakt që më shumë në këto kohë është aktiv ai sesa vetë LSI-ja. Ndërkohë duhet të kujtojmë një fakt, që LSI-ja ka lindur dhe është rritur vetëm nga ballafaqimi. Le të kujtojmë fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Çuditërisht të dyja partitë kryesore, si PS-ja dhe PD-ja, më shumë kryqëzuan sulmet ndaj LSI-së sesa ndaj njëra-tjetrës. Aq sa po përflitej dhe për një koalicion të madh qeverisës. PS-ja në fushatë kërkoi ta lironte tepsinë nga aleanca me LSI-në, ndërsa PD-ja dhe Basha e akuzonte si shëmbëlltyrën më të qartë të korrupsionit. Nuk besoj se i kemi harruar këto. Megjithatë, ndonëse kundër dy të mëdhenjve, LSI-ja mori rezultat surprizë me 18 deputetë. Po e bëj këtë paralelizëm pasi ndonëse LSI-ja është në koalicion me PD-në, përqendrimi i sulmeve ndaj Ilir Metës, pavarësisht se tashmë është president dhe jo kryetar partie, është thjesht një strategji për të thithur vota në të ardhmen për subjektin LSI. Vëreni dhe kujdesin e Bashës në intervistat e fundit lidhur me këtë çështje. Kryetari i PD-së tenton gjithnjë ta ndajë LSI-në nga figura e ilir Metës. Sipas tij, LSI-ja është një “aleate e konsoliduar dhe e respektuar”, ndërsa presidenti, ndonëse ka bërë një luftë të respektueshme për të mbrojtur Kushtetutën, është një president i zgjedhur nga PS-ja për të cilin PD-ja ka qenë kundër. Distancim më i qartë nuk ka si bëhet, dhe duket se Basha kërkon ta mbajë në cep, dhe jo si lojtar aktiv në funksion të votave të LSI-së (pavarësisht se do të quheshin vota për opozitën).

Fakti që të dyja palët, Meta dhe Rama po përplasen fort mes tyre, a paralajmëron fundin politik të njërit prej tyre dhe cili mund të jetë humbësi, në këndvështrimin tuaj?

Është një marrëdhënie tipike brenda së majtës shqiptare. Vijnë të dy nga e njëjta familje politike dhe të dy janë formësuar pikërisht nga përplasjet e forta që ndodhën brenda së majtës. Në këtë mënyrë këto përplasje edhe i kanë temperuar politikisht. Janë të ngjashëm në këtë aspekt dhe çdo marrëveshje midis tyre është e destinuar të jetë fluide dhe e përkohshme për të vajtur në përplasje dhe sërish në marrëveshje. Ndaj pyetja që mund të shtrohet është nëse kjo do të jetë përplasja e tyre e fundit, apo pragpasoja e një marrëveshjeje tjetër. Këtë nuk mund ta dimë, por në politikën shqiptare gjithçka ndodh. Duke vijuar në logjikën e kësaj dileme, nuk mund të dihet dhe cili do të jetë humbësi në këtë përplasje, pasi më duket se humbja përfundimtare e njërit (jo provizore), do të tërhiqte me vete dhe humbjen përfundimtare të tjetrit./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Sokol Malaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit tw Tiranws Sokol Malaj. Trupi gjykues...

Gjermania injoron kritikat, vazhdon eksportet ushtarake drejt Izraelit

Sipas shifrave zyrtare të publikuara, Gjermania ka vazhduar eksportet e saj ushtarake drejt Izraelit në muajt e fundit pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në...

Gjermania dhe BE: Sulmet ndaj gjyqtarëve në Kosovë janë të papranueshme

Ndërkombëtarët reagojnë në mbrojtje të Gjykatës Supreme të Kosovës pas shfuqizimit të vendimit të ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati, lidhur me arkat...

“Më pëlqejnë!” Ribery motivon Bayernin për 2 blerje në merkato

Franck Ribery duket optimist për merkaton e Bayern. Legjenda e skuadrës bavareze, në një intervistë për Sport Bild, i ka lavdëruar dy lojtarët që...

Macron kundër planit të NATO: Jo armëve amerikane për Ukrainën

Franca nuk pritet t’i bashkohet një nisme të mbështetur nga NATO, e cila synon që vendet evropiane të financojnë blerjen e armëve amerikane për...

Lajme të tjera

Web TV