Leonard Karaj: Meta nervoz, sepse Rama po përgatit “funeralin” e LSI-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti Meta foli me tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar Ramën për një “revoltë popullore” dhe daljen e atij vetë në krye të saj, para 25 prillit. Si e komentoni këtë lëvizje të fundit të kreut të shtetit?

Në të gjitha rastet kur mazhoranca ka në dorë “fatet e vendit” sikundër tani, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe, për më tepër, kur një gjë të tillë kërkon ta bëjë, sikundër vetë Rama dëshiron, atëherë Meta tenton të bëhet protagonist. Arsyeja është fare e thjeshtë: forca politike që rrezikon më shumë të humbasë elektorat, dhe pse jo gati në shpërbërje, është pikërisht ish-partia e Metës, LSI-ja. Për më tepër, direktiva (me gojë) e fundit e drejtuesve të 12 qarqeve të Partisë Socialiste ndaj kryetarëve të partive dhe kryebashkiakëve në çdo bashki të vendit ka qenë e prerë: “mos u merrni me PD-në, dobësoni sa më shumë LSI-në”!. Ndaj nuk është i rastësishëm fakti se gjatë ditëve të fundit eksponentë të ndryshëm të LSI-së janë “joshur” me vende pune në administratë apo në pushtetin vendor, me qëllimin e vetëm që votat dhe influencat e këtyre të fundit të kalojnë te PS-ja (dhe për hir të së vërtetës, një pjesë shumë e madhe e këtyre personazheve kanë qenë më përpara me PS-në). Dhe, sigurisht, Meta e ka këtë informacion, ndaj edhe deklaratat e djeshme dukeshin si piskama përkundrejt kryeministrit, duke parë natyrisht që “toka po i rrëshqet nën këmbë”. Për të qenë “fair” deri në fund: asgjë nuk i intereson më shumë presidentit Meta sesa “fëmija i tij”, në këtë rast LSI-ja, ndaj togëfjalëshi “mbroj Kushtetutën” është vetëm populizëm, pasi më realja do të ishte: “mbroj veten, mbroj LSI-në.

Me këto deklarata a po merr Meta rolin e protagonistit të opozitës? E dëmton apo e ndihmon kjo opozitën?

Presidenti Meta ka tentuar thuajse gjithmonë të marrë rolin e protagonistit, edhe kur pozicioni që ai mban, moralisht nuk ia lejon një gjë të tillë. Por nëse pak kohë më parë, kur opozita doli nga Parlamenti, zëri i presidentit Meta kundër arrogancës së mazhorancës ishte si një dritë shprese, sot, më pak sesa 8 muaj para zgjedhjeve, ky lloj protagonizmi veçse e dëmton opozitën. Nëse Meta është i paduruar për të qëndruar brenda kornizave të pozicionit që ai ka (dhe një politikan si Meta është thuajse gjithnjë energjik, sidomos përpara zgjedhjeve), atëherë do ishte më mirë të jepte dorëheqjen dhe t’i përkushtohej më së shumti LSI-së, forcë politike kjo, që sipas të gjitha informacioneve dhe sondazheve, mund të bjerë edhe poshtë kuotave të 2009-s, kur mori 4 deputetë.

Lexo edhe :  Turizmi i aventurës, projekti i BERZH do mbështesë ndërhyrjet në 4 fshatra të Korçës

Fakti që të dyja palët, Meta dhe Rama po përplasen fort mes tyre, a paralajmëron fundin politik të njërit prej tyre dhe cili mund të jetë humbësi, në këndvështrimin tuaj?

Pa pikë mëdyshje që vera e 2021-shit do të vulosë përfundimisht edhe fatin e Metës dhe të Ramës. Sipas mendimit tim, gjasat janë që Meta të pensionohet dhe të dalë përfundimisht nga skena politike. Siç e ceka edhe më lart, Rama dhe PS-ja në përgjithësi janë duke përgatitur “funeralin” e LSI-së. Kjo pasi vetëm një dobësim i madh i kësaj force politike do të bënte të mundur ëndrrën në sirtar e ndoshta edhe të fundit të Ramës: të bëhet president. Një LSI në kuotat aktuale të deputetëve në Parlament, apo qoftë edhe më pak, por mjaftueshëm sa të vendosë qartazi formimin e qeverisë së ardhshme dhe vijimin e qeverisjes, do të ishte një problem shumë i madh për Ramën, madje edhe për Bashën, sepse kjo do të sillte kushtëzim si të postit të kryeministrit, ashtu dhe të presidentit të ardhshëm. Në këtë këndvështrim, më shumë sesa të fitojë ndaj PD-së, Ramës i intereson që të dobësojë ose mundësisht të shpërbëjë LSI-në, me qëllim që më pas ta ketë “të shtruar” rrugën drejt Presidencës në 2022. Rama dhe Meta e dinë tashmë fort mirë se Basha më 26 prill 2021 do jetë (të paktën teorikisht) kryeministri i ri i vendit, ndaj “shtesa në lojë” tashmë bëhet vetëm për Presidencën, ku në avantazh duket se është Rama…/Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Makina 670,000 euro i ministres “përçan” Turqinë

Ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqi, Mahinur Özdemir Göktaş, e vetmja grua dhe anëtarja më e re...

Hansi Flick do të bëjë një ndryshim të madh te Barcelona

Robert Lewandowski me shumë mundësi do luajë sezonin e fundit me Barcelonën dhe do largohet verën e ardhshme. Polaku mungoi ndeshjen e parë të...

Britania e Madhe: Gati të dërgojmë trupa për Ukrainën

Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe protet e Ukrainës. Britania e Madhe thekson se...

Digjen katër automjete të ushtrisë gjermane, zjarr i qëllimshëm

Katër automjete të parkuara të ushtrisë gjermane u dogjën plotësisht në orët e para të së martës në Kassel. Sipas hetimeve të deritanishme të policisë...

U helmuan nga ushqimi, shënohet viktima e dytë në Itali

Një ngjarje tragjedi është regjistruar në qytetin italian të Cagliarit, ku kanë mbetur dy viktima pas helmimit në një festiva. Helmimi ushqimor ndodhi gjatë festivalit...

Lajme të tjera

Web TV