Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zbuluar rastet ku mosmbajtja e maskës mund të tolerohet, nisur nga e enjtja e ardhshme.
Ajo ka folur në emisionin “Opinion” lidhur me vendimin e qeverisë për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në ambiente të jashtme.
Ministrja shtoi tha se ato që këshillohen të përdoren nga qytetarët janë maskat e tekstilit, ndërkohë që maskat kirurgjikale janë për t’u përdorur nga personeli mjekësor apo personat që u shërbejnë të sëmurëve me Covid.
“Ajo çfarë sot është një fakt i gjithëpranuar botërisht edhe shkencërisht, në studime shkencore të mbështetura është që: Maska apo barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e koronavirusit kur ato shoqërohen me masën e distancimit social dhe ato të higjienës personale. Maska mjekësore dhe ajo kirurgjikale, është një maskë e cila përdoret nga personeli mjekësor, nga ai që është i sëmurë apo ai që duhet t’i shërbejë një të sëmuri. Maska që ne flasim sot është barriera mbrojtëse prej tekstili që pengon përhapjen e spërklave dhe shoqërohet me një distancim social”, u shpreh ministrja.
Ndër të tjera, Manastirliu zbuloi edhe rastet kur mbajtja e maskës nuk do të jetë e detyruar, por shtoi se qytetarët duhet ta mbajnë gjithmonë me vete atë.
“ISHP ka hartuar të gjithë udhëzuesin me specifika, ku mbahet, kush e mban dhe rastet e përjashtimit. Maska mbahet kudo jashtë shtëpisë. Kur je duke bërë aktivitet fizik nuk duhet të mbash maskë, por ti duhet ta kesh maskën gjithmonë me vete. Maska duhet mbajtur me vete dhe duhet përdorur menjëherë në momentin që del nga shtëpia. Edhe në bar mbajtja e maskës do të jetë në deri në momentin që ti ulesh”, theksoi ajo.
Ditët e fundit është vënë re një shtim i rasteve të reja me Covid-19, ndaj qeveria vendosi të shtunën që mbajtja e maskës do të jetë detyrim për qytetarët në të gjitha ambientet, nga dita e enjte e në vazhdim.
Ndërkohë, ditën e sotme u shënuan 182 raste të reja dhe 5 viktima nga Covid-19 në vendin tonë.
Pa.Va/Fjala.al