Përkujtim në prag feste, 28 Nëntori i Pavarësisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Pjetër Logoreci

Si çdo vjetë, me afrimin e festës kombëtare, Ditës Së Pavarësisë e të krijimit të qeverisë së parë shqiptare, më sjellen në kujtesë sakrificat dhe atdhedashtunija e burrave që firmosen këtë akt, të mbledhur në atë kuvend nga të gjitha viset shqiptare. Figurat e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës e trimave tjerë, që u banë flamurtarë të fillimit të një epoke të re, të krijimit të një Shqipnie të pavarun edhe pse me probleme të mëdha shoqnore dhe ekonomike. E ndër kto burra, ai që pat merita si Ismail Qemali, që luajti një rol kyç në lirinë e vendit ishte lurjani trim Dom Nikollë Kaçorri.

Ndërsa plaku i Vlorës pat rolin e “Diplomatit” në pregaditjen e kësaj ngjarje, Kaçorri ishte “Organizatori”, ai që lëvizi mijëra shqiptarë të malsive të Krujës në revolta për liri. Famullija e tij në Durrës, edhe pse nën vëzhgimin e rreptë të administratës turke, u ba qëndra e atdhetarisë dhe e shpërndarjes së armëve aq të nevojshme për revoltë.

Tuj kenë se personalisht kam një lidhje të veçantë shpirtnore me Dom Nikollë Kaçorrin, ndjej si detyrim moral që në këto ditë jubilare të kujtoj Tribunin e Lirisë, Dom Nikollë Kaçorrin, me këtë shkrim, në shenj falenderimi e respekti. Akti i riatdhesimit të eshtnave të Imzot Kaçorrit nga Vjena në Durrës, më dha kënaqësinë të përjetoj emocionet ma të mëdha të jetës sime, kur mbajta ndër duer sargun me eshtnat e atdhetarit.

Në këtë përvjetor, dëshiroj që  nga arkivi me dokumenta dhe fotografi, që kam mbledhun,  mbi jetën e Imzot Kaçorrit, të paraqes, për kënaqësinë e lexuesit dhe të dashamirëve të këtij kolosi, një fotografi të rallë. Një fotografi që fikson Imzot Kaçorrin në moshë të re, mendohet në kohen e shugurimit të tij, mbas përfundimit të studimeve teologjike në “Propaganda Fide”. Një fotografi historike, që ka vlerë jo vetëm nga bukuria dhe realizimi, por edhe nga fama dhe emni i madh i studios ku asht punue.

STUDIO FELICI, një nga studiot ma të famshme të Romës dhe Italisë, e krijueme nga Giuseppe Felici në vjetin 1863, ky, një fotograf me shumë emër, i njohun në të gjithë rrethet e nalta të artit, të shoqnisë e të shtetit italian. Në këtë studio u fotografuen shumë personalitete të njohur të artit: muzikantë, kompozitorë, këngëtar, aktor, piktor, por dhe u pregaditen albume me fotografi dhe pamje nga  qyteti që i ofroheshin turistëve që vizitonin Romen. Giuseppe Felici ishte një mjeshter i portreteve, por edhe i pamjeve nga ngjarjet historike të kohës. Janë të famëshme fotografitë e tij në Vatikan, aq sa u dekorue me medalje ari nga Papa Leoni i XIII dhe mori titullin “Fotografi Papnuer”. Ai kishte ekskluzivitetin e fotove të Papëve, pjestarëve të oborrit të tij e ngjarjeve në Vatikan. Arkivi fotografik i Felici-t ka shërbyer për të krijue historikun e kishës, në atë shekull. Giuseppe Felici vdiq në Romë në marsin e vjetit 1923.

Lexo edhe :  1925 – Gjyqi i Skopit, shkenca dhe feja përplasen në sallën e gjyqit

Për koleksionistët, arkivat dhe dashamirët shqiptar, asht kënaqësi e nder që kjo fotografi e Imzot Nikollë Kaçorrit, ban pjesë në koleksionin e klerikëve të shquem, të fotografuem nga dora e Giuseppe Felicit në Studion e tij të famëshme.

Jetëshkrimi i atdhetarit Dom Nikollë Kaçorri

– Dom Nikollë Kaçorri leu në vjetin 1868 në Krejë, Lurë në Shqipni dhe vdiq me 1917 në Vjenë.

– Mbaroj seminarin jezuit në Shkoder. Mbas, shkoi në Itali, ku u diplomue për teologji në “Propaganda Fide”. U shugurue prift (1890) dhe në vitin 1893, u emërue në Kishen Katolike në Durrës.

– Mbas vendosjes së tij në Durrës, ai u përfshi në formimin e shumë shoqatave dhe vllaznive. Pat marrëdhanie të mira me qeverinë Austro-hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe arsimimin e popullsisë.

– Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit dhe i shtypit shqiptar patriotik. Për këtë arsye pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patriarkun grek.

– Ishte pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Mori pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri kontaktoi shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe i kërkoj ndërhyrje për gjendjen e rëndë në Kurbim, të krijuar nga Esat Pasha e forcat turke.

– Mori pjesë në Kongresin e Manastirit me 14 Ndanduer 1908 – ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe dhe në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vjetit 1908.

-Në vjetin 1909 ishte pjesë e Kongresit Kombëtar të Elbasanit ku u diskutuen probleme të shkollës shqipe.

-Po në 1909, themeloi klubin patriotik të Durrësit. Me 18 Qershuer 1910, Kaçorri u arrestue nga forcat turke, si kundërshtar i urdhnave të Qeverisë Osmane dhe Sulltanit.

-Mori pjesë në organizimin e Kryengritjes së vjetit 1911 dhe 1912 kundër turqve.

-Më 28 Ndanduer 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ku u nënshkrue Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, Kacorri nënshkroi i dyti./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Shqiptarët të fiksuar me “Mercedes”, Durrësi kryeson numrin e autoveturave

Dy markat e makinave që dominojnë në Shqipëri ende vijojnë të mbeten gjermanet Volkswagen dhe Mercedes Benz. Instituti i Statistikave...

Trump paralajmëron Iranin: Mund t’ju godasim sërish nëse është e nevojshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA mund të sulmojnë përsëri objektet bërthamore të Iranit, nëse situata e kërkon një...

1974 – Shembja e juntës ushtarake në Greqi dhe fillimi i epokës së Metapolitefsi

Pas shtatë vjetësh diktaturë ushtarake (1967–1974), regjimi i kolonelëve në Greqi u shemb në korrikun e vitit 1974, pas një krize të thellë politike...

Horoskopi ditor, 23 Korrik 2025

Dashi Jeta juaj ne çift do ketë disa pengesa te vogla gjate kësaj dite. Nuk do ndiheni mire ne krahët e atij qe keni ne...

Edi Rama falenderon çunat që çmontuan strukturën metalike të lokalit

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ata individë që i janë bindur urdhrit për lirimin e hapësirave publike,...

Lajme të tjera

Web TV