Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, nuk ka qenë i kënaqur as me të tijtë e as me gjykimin pas ndeshjes së humbur të mërkurën me Partizanin.
Kastrioti u mposht me rezultatin 0-2 nga Partizani dhe, duke folur Pas përfundimit të ndeshjes, Ndreu ka analizuar takimin, duke theksuar se, sipas tij, 11-metërshi i akorduar në fund nuk ishte.
“Kemi zhvilluar një lojë me dy tablo, – ka thënë ai. – Nuk lamë hapësira në pjesën e parë dhe nuk na rrezikuan. Në pjesën e dytë patëm rënie fizike, ndonëse u munduam ta freskojmë ekipin. Lëshuam terren dhe, për rrjedhojë, patëm vështirësi. Loja mund të shkonte drejt barazimit.”
Ai nuk i ka fshehur kontestimet për 11-metërshin e dhënë në fund për të kuqtë kryeqytetas. “Është një 11-metërsh i sajuar, nuk ka asnjë lidhje me të qenit një 11-metërsh, – ka shfryrë ai. – Pse 11-metërsh këtu, 11-metërsh në Kamëz, janë 11-metërsha që nuk duhet të jepen. Gjyqtarët duhet të jenë më të vëmendshëm.”
Në vijim, ai ka folur edhe golin e parë, të pësuar 5 minuta para fundit të kohës së rregullt. “Nuk e kam parë golin, sepse po merresha me stolin, – ka rrëfyer ai. – Tani që e shoh, është e tmerrshme. Është e tmerrshme se si e pësojmë golin. Në pushim të pjesës së parë i thashë lojtarëve që Partizani do jetë më agresiv.”
“Nuk i thashë të tërhiqen prapa, pasi i japim shumë mundësi kundërshtarit. Iu thashë të bënin presione në mesfushë si në pjesën e parë. Por edhe lodhja bën të vetën, kaq fuqi kemi”, – ka përfunduar trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, teksa skuadra e tij ka zbritur tanimë në vendin e 7-të, në kuotën e 13 pikëve.