Botërori i Klubeve në futbollit, i cili ka nisur në Katar, ka luajtur të enjten dy takimet e para, të vlefshme për fazën çerekfinale dhe në takimin e parë, meksikanët e Tigres kanë mundur koreanojugorët e Ulsanit, 2-1, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale. Ndërkaq, në takimin e dytë, të zhvilluar në mbrëmje, El-Ahli ka mposhtur Al-Duhailin me një gol të vetëm duke siguruar vendin në gjysmëfinale përballë Bajernit të Mynihut.
Në fakt, takimi i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Plus, ka parë kampionen vendase ta nisë më mirë, por, pas 10 minutash lojë, janë egjiptianët, kampionë të futbollit të klubeve të kontinentit afrikan, që morën frenat e lojës në dorë dhe e mbizotëruan duelin. Dhe ky mbizotërim jep fryte pas një gjysmë ore lojë.
Atëherë kur Uollter Bualja e vurin Basam Hishamin nën trysni, duke e detyruar të gabojë dhe topi përfundoi tek Husein El’shahat, i cili goditi ultazi dhe përshëndeti rrjetën. Bualja e gjeti vetë rrugën e rrjetës pak më vonë, kur ai mendoi se kishte shmangur kurthin e pozicionit jashtë loje, por nuk mendoi kështu gjyqtari. Pjesa e parë u mbyll kështu me epërsinë minimale të El-Ahlit.
Për Al-Duhaili ishte pranë barazimit pas një orë lojë, kur harkimi nga e majta i Edmilson Zhunjorit, i prekur nga Majkëll Olunga, gjeti Mohamed El’shenain në lartësinë e duhur. Ndonëse skuadra nga Katari vijoi të kërkonte golin e barazimit, egjiptianët nuk e lëshuan epërsinë, duke marrë fitoren minimale, por të vyer që i siguron vendin në gjysmëfinalen e 8 shkurtit ndaj Bajernit të Mynihut, që do të luhet në Stadiumin “Ahmad Bin Ali”.