Rama nga Lezha: Opozita nuk ka karakter dhe kjo mëshirohet tek lidershipi i tyre, japin shembullin më të keq të mundshëm

Takimi i kryeministrit Edi Rama në qytetin e Lezhës, ka nisur me një minute heshtje në kujtim të deputetit socialist Bashkim Fino i cili u nda nga jeta një ditë më parë nga Covid-19.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u kërkoi ndjesë simpatizantëve të PS-së të cilët nuk mund të ishin të pranishëm për shkak të masave të rrepta

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë punë nuk është bërë për fushatë.

Për këtë ai është ndalur te pandemia dhe tërmeti, duke thënë se puna ka nisur që në ato momente dhe që frytet po ua shohin tani.

“Janë bërë shumë punë e shumë gjëra, sot shumë kush kur komenton duke pirë kafe ose i shtrirë kolltuk apo krevat duke luajtur në Facebook, thotë ah sikur të ishin bërë kaq shumë punë, jo vetëm në fushatë, në fakt asnjë nga punët që janë bërë në Lezhë nuk janë bërë sot dhe as për fushatë, nuk e zgjodhëm tërmetin që të vite 15 muaj para zgjedhjeve, ne punën e kemi filluar qysh atë natë, plaga e parë që hapi ishte lënia pa çati e mijëra familje dhe ne e menduam që ato duhet të strehohen dhe në kushte të mira, dhe ashtu ndodhi falë bujarisë të shumë operatorëve që kanë hotelet në buzë të detit mundëm të strehojmë në kushte optimale si turistë me të gjitha shërbimet ato që mbetën pa strehë, filluam punën për të bërë verifikimin e dëmeve, do donim t’i bënim gjërat më shpejt, por punët kërkojnë punën e tyre dhe kur ne ishim duke u marrë me projektet dhe këtë proces të rindërtimit, ne nuk e zgjodhëm që të na godiste Covid-i, që futi në kofuzion total të gjithë botën”, tha Rama.

Me këtë formë grumbullimesh sipas Ramës, opozita po jep shembullin më të keq të mundshëm, ndërkohë që e para gjë që duhet të bëjë është të japë një shembull të mirë duke respektuar ligjin.

Lexo edhe :  Zgjedhjet në Tiranë, Adriatik Lapaj mbështet kandidatin Florian Binaj

Rama nënvizoi se politika sipas tij nuk është çështje programesh, por është forcë karakteri dhe opozita këtë gjë nuk e ka.

“Meriton një falenderim për ndjeshmërinë e shprehur gjithë politika, do të ishte shumë mirë që të njëjtën ndjeshmëri të kishin çdo ditë sidomos në këtë ditë të ku bota përballet me kërcënimin e njerëzve tanë të dashur. Ajo që na takon është të bëjmë atë detyrë të thjeshtë të mos shkelim ligjin, të mos shkelim rregullat të mos shkelim kufirin etik të njerëzore për politikë dhe për vota duke i vënë njerëzit në rrezik dhe duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimeve absurde të papërgjegjshme që tregojnë se në fund të ditës politika nuk është çështje programesh, idesh dhe fjalësh është çështje karakteri dhe karakterin o e ke o nuk e ke, ato nuk e kanë. Ato kanë një karakter të dobët që mishërohet në lidershipin e tyre.

Ato japin shembullin më të keq të mundshëm, më absurd të mundshëm ndërkohë që e para gjë që duhet të bëjmë ne të japim një shembull shumë të mirë, në gjërat e thjeshta. Ne e kemi humbur trenin e historisë, pasi nuk e kemi zakon që tu kushtojmë rëndësi gjërave të vogla dhe pastaj humbim kohë pa fund në dëm të gjërave të mëdha. Kombet e mëdha fitojnë beteja me gjëra të vogla, dhe kjo është një pikë dalluese shumë e madhe.

Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët. Më i miri ndër të kqinjtë, i kemi aty, ajo që ne mund duhet dhe bëjmë është që të përpiqemi të bëjmë zgjedhjet më të mira të mundshme kur marrim vendime dhe kur zgjedhim njëri tjetrin. Ne kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë dhe të qartë, që njerzit tanë të jenë të mbrojtur.”, tha Rama.