Dje shqiptarët musliman kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit. Gjatë faljes së Kurban Bajramit, klerikët muslimane bënë apel për me shume paqe, dashuri mes njerëzve dhe ndihmë ndaj personave në nevojë. Kreu i Komunitetit Musliman, Bujar Spahiu në fjalën e tij ka theksuar dhe ka kërkuar më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve. “Jemi një botë e globalizuar dhe kërkon sa më shumë për të përballuar sfidat. Këtë festë ta përjetojnë sa më mirë, të vizitojnë njëri tjerrin dhe të shpërndajnë sa më shumë dashuri. Të gjithë kryefamiljarët muslimanë që kanë mundësi të presin kurban dhe ta shpërndajnë atyre që kanë nevojë”, ka thënë ndër të tjera Spahiu. Por urimeve për ditën e Kurban Bajramit nuk kanë munguar as nga politika jonë, e cila në të tilla festa hap “zemrën e mirë”. Dikur e gjithë politika uronte nga shkallë e Komitetit Musliman, ndërsa sot të gjithë kanë uruar nga rrejtet sociale. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e Kurban Bajramit. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Basha shkruan se duhet të mbizotërojë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët. “Të dashur besimtarë muslimanë shqiptarë! Ju uroj nga zemra Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit! Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët! Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit. Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, shkruan Basha.
Meta
Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët muslimanë në kuadër të Festës së Kuban Bajramit. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Meta bën thirrje për sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit. Sipas Metës, nuk duhet t’i ndalojmëpërpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë e korrupsionin. “Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit! Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë. ‘Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj’. Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet”, shkruan Meta.
Veliaj
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi dje besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit. Pas takimit me komunitetin Musliman, Veliaj tha se viti që lamë pas ishte një vit i vështirë, ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Ai apeloi që të gjithë duhet të sakrifikojnë pak nga vetja e tyre për të ndihmuar të tjerët. “Gëzuar festën, gëzuar Kurban Bajramin. Sot kam mirënjohje dhe falënderime dhe zemrën plot mirënjohje për të gjithë ata që kanë sakrifikuar, kanë sakrifikuar kohë, energji, mund në këtë vit të vështirë. Ata që kanë qenë mjek, infermierë, zjarrfikës, shërbimet e emergjencave. Mesazhi që mora dhe që u frymëzova nga të gjihtë vëllezërit edhe motrat e Komunitetit Musliman është që jemi thërritur të gjithë të shërbejmë pak nga vetja jonë për të pasur një të mirë të përbashkët. Ne sot si bashki jemi angazhuar në të gjitha qendrat sociale, sidomos tek ato që i shërbejnë të moshuarve për të shërbyer një vakt dhe për të qenë pranë atyre që ndoshta më shumë sesa të tjerët ndjejnë mungesën”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku vizitoi edhe Komunitetin Bektashi, të cilin e uroi për festën e Kurban Bajramit.
SHBA dhe BE
Ambasada amerikane ka uruar të gjithë besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit. Përmes një postimi në rrjete sociale, ambasada e SHBA-së shkruan se kjo ditë ofron mundësi për të reflektuar angazhimin e tyre në ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. “Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin. Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. Eid Mubarak”, shkruan ambasada. Edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka uruar besimtarët në emër të delegacionit europian. “Delegacioni i BE-së në Shqipëri i uron Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve muslimanë në Shqipëri” – shkruan Soreca. Edhe kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një urim për të gjithë besimtarët. “Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan ai.
LSI
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pas zgjedhjeve të 25 prillit nuk ka qenë shumë aktive si në aspektin politik ashtu dhe jetën publike. Pak ditë pas zgjedhjeve ajo udhëtoi për në Amerikë, ndërsa më pas u shfaq në krah të presidentit Ilir Meta në Budapest, në ceremoninë e vendosjes së statujës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Edhe pse dje ishte një ndër ditët më të rëndësishme për komunitetin musliman, ka munguar urimi i Kryemadhit për Festën e Kurban Bajramit. Vizitën dhe urimin në Komunitetin Musliman e ka bërë Endrit Braimllari dhe jo Kryemadhi. Qindra besimtarë muslimanë u mblodhën mëngjesin e djeshëm në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin. Gjatë faljes së Kurban Bajramit, klerikët muslimanë bënë apel për më shumë paqe, dashuri mes njerëzve dhe ndihmë ndaj personave në nevojë.