Ese nga PIRRO LOLI
(Mjeshtër i Madh)
Shkrimtari dhe regjisori hungarez Xhorxhio Presburger, në vitet pesëdhjetë kishte dëgjuar në radion hungareze një recitim të Aleksandër Moisiut. Kishte mbetur i mahnitur nga ai zë dhe në respekt të atij aktori, hulumtoi gjerësisht dhe shkroi dramën “Heroi i skenës, fantazma e dashurisë”. Personazhet kryesorë rreth Aleksandër Moisiut i përfytyron si fantazma shekspiriane që shënuan kulmet e vlerave dramatike në teatrin evropian..Drama u shfaq me sukses të jashtëzakonshëm në disa qytete të Italisë. Unë ndoqa famën e aktorëve më të mëdhenj që, njëkohësisht, ishte dhe rruga për të gjetur unazën e famshme të vlerave të vërteta artistike. Që ishte kthyer në simbol kush do ta fitonte si mollën e artë të mitologjisë, mbetur si “molla e sherrit”.
MISTERI
Është fjala për unazën e famshme të Inflandit … Kishin kaluar dy lufta botërore dhe akoma nuk dihej ku ka përfunduar kjo unazë. Ishte e lidhur me historinë e teatrit më të madh në skenat botërore të artit dramatik – Vjenë, Berlin, Pragë , Moskë, Trieste, Brazil, etj, Në këtë hark të artë të teatrit evropian duhet të ishe ar i vërtetë, gur i çmuar për të futur këmbët në ato skena. Unaza lidhej me emra të mëdhenj të teatrit, e përgojohej si simbol i kryeveprave e deri te Kritika e arsyes së kulluar e Kantit e te poetë si Fridrih Shiler.. E mira dhe e bukura sipas Kantit janë motive kategorike të arsyes, por kjo, duke u endur nëpër kufijtë e vetvetes, mjerisht rrëshqet në errësirë . Dhe ja, një ditë mrekullia e arsyes përfaqësohet nga një poet 20 vjeçar si Shileri dhe nga një aktor 20 vjeçar si Inflandi, të dy në personazhin më energjik të artit evropian – Frans Moorit- te drama “Tregtari i Venetikut”…
Inflandi, miku më i afërt i Gëtes dhe i Shilerit, në krye të një teatri me 300 aktorë, një ditë thirri një argjendar të shquar dhe porositi një unazë me portretin e tij (2×2)cm., rrethuar me brilante të rrallë….Kjo unazë, më të vlefshëm se brilantet e saj, do kishte një amanet, – ajo duhet të kalonte nga një epokë në një tjetër, te aktori më të madh i gjuhës gjermane… E kështu sytë e tij të zjarrtë do binin në sytë e gjithë botës mbarë, jo aq për sytë e bukur se sa për artin e madh skenik… Por në presidiumin e vlerave artistike gjithmonë e gjithkund fryjnë erëra të trazuara bërrylash për njeri tjetrin e shpesh shoqërohen edhe me smira të mprehta, kurthe prapaskenash e solidaritete hipokrite. Flitej se në fillim unaza i ishte dhënë një aktori pianec, Devrientit, mik i Gebelsit hitlerian të cilit, dhe djersët i kullonin gjak nga gjaku i mijëra ebrejve. Ishin kohë të zymta mbi Evropë – Gjermania e Shopenhaurit u shpërbë.. ashtu si u shpërbë bota dhe në Luftën e Dytë – skenë tragjike me gjak milionash, kaos, shkatërrim, katastrofë globale. Aktorët e teatrit, tani dhe të filmit, janë esenca dhe kronika reale, historike dhe artistike të kohës së tyre.
***
Edhe pas 70 vjetëve unaza enigmatike kish kaluar në duart e dy aktorëve të tjerë…e fytyra e Inflandit e derdhur në unazë, sa herë që qëndronte në dorën e ndonjë aktori të shquar, rastësisht apo fatalisht, ai duhet të vdiste. … Meritë, kjo, apo mallkim hyjnor për të ndëshkuar padrejtësinë ose vlerësimin subjektiv të artit si sëmundje kronike e pa shërueshme!? Kështu kishin ikur njeri pas tjetrit aktorët e shquar Kainic, Matkovski dhe Xhirodini. Marta, e vluara e Moisiut, që jetoi shumë vjet pas tij, deklaronte se jetonte vetëm për të gjetur të vërtetën e vdekjes së Moisiut dhe të unazës origjinale. Misteret rreth unazës shtoheshin duke shpërhapur një revolucion nervash. Unaza e famshme është përfolur se na qenkësh dy dhe tre kopje në emra të njohur të skenës si , Baserman, Kainc, Dervient, , Benas, Haase etj. Për të, si me kombësinë e A. Moisiut, ishin të interesuar kryetarë shtetesh deri te shtabi fashist i Hitlerit. E vërteta dhe fundi i unazës e shtoi edhe më misterin. Sepse, dikush kërkoi nëpër varre aktorësh, dhe e kishte gjetur në gishtin skelet të njërit, dikush e hodhi në zjarr e dikush dha urdhër të nxirrej nga flakët dhe…
Një shtjellje a tillë nervash tregon agoninë e aktorëve të shquar, e pas tyre dhe egoizmin e politikës italiane, austriake, gjermane a shqiptare. Egoizmi në sferat e artit dhe të letërsisë përbën edhe imazhin e pamerituar të vetvetes. Të vegjëlit yhurmojnë më tepër. Dihej se dy unaza kishin qarkulluar. Njëra glorifikonte. Tjetra vriste…
MOISIU DHE KAINC-I
“Tartufi” i Molierit me aktorin e famshëm Jozef Kainc, kishte tronditur Vjenën duke u kthyer në një qenie errësire me atë hipokrizi aq të pështirë. Në atë shfaqje A. Moisiu luante si figurant. Gjatë të gjithë shfaqjes Moisiu i kishte ngulur sytë te Tartufi Kainc në një mënyrë krejt të çuditshme.
Pse më shikoje ashtu ? Përgjigju!***
Nuk di të jetë e ndaluar të shohësh Tartufin në sy, i tha Moisiu
E di ti kush jam unë ?.
Po e di shumë mirë.
Ti sheh tek unë Tartufin, unë shoh gjithçka në thellësinë e syve të tu. Shoh fëmijën që ka lindur të krijojë dhe të shkatërrojë, shoh fëmijën e tmerrshëm e të gëzuar të mitologjisë së lashtë, shoh Dionisin…Së shpejti forca jote e llahtarshme do të mbërrijë në Vjenën plakë…Dëgjo këtu, ti çdo ditë do të marrësh disa mësime nga unë. Ti do të bëhesh shpëtimtari i teatrit vjenez e gjerman që ka filluar të bjerë…Këta këtu më quajnë mua aktor nervash, “të sëmurë”, sepse unë interpretoj me gjithë qenien time, me të gjitha pejzat e trupit tim. Unë do vdes shpejt nga ndjeshmëria e skajshme, e ndjej, o Aleksandër i madh…
…Edhe mua më quajnë Aleksandër…
E di, ai pushtoi botën, por ti tani je vetëm zot i një shkretëtire. Ti do të bëhesh fitimtar i dyfishtë. Por kujdes!, I vetëm nuk je asgjë, me mua do bëhesh Aleksandër i Madh. Unë kam luajtur për mbretin, Ludvig të Bavarisë, ai u çmend pas meje dhe më trajtonte si aktor personal…
(Njihet fakti se mbreti e urdhëroi Kaincin të luante vetëm për atë në një sallë bosh… Një herë tjetër e mori me vete dhe e çoi në një mal në kufi të Zvicrës për të luajtur një skenë nga Vilhem Teli i Shilerit…Mbreti i bërtiste aktorit- interpreto! Ulëri! Ja teksti , ulëri! Ishte “mbreti” i Shilerit që kërkonte të vdiste, pre i një hakmarrjeje popullore… Dhe Kainci i bërtiste Moisiut , ulëri, ulëri Moisi atë këngën e madhe të lirisë, fol fort me të gjithë trupin- fol ! Aleksandër, Vjena po të pret..Kjo skenë e pabesueshme në historinë e artit dramatik, do të luhej në një stuhi shiu me shkreptima. Kainci riprovonte veten te Aleksandri…Vramë, i thosh! Unë të dua vrasësi im…vrasësi im i bukur!, o popull, ! o Popull i ndyrë, vramëni! Nëse ti nuk më vret unë të mallkoj! E di që gjermanishten e shqipton keq, por zërin e ke të tmerrshëm… Unë Jozef Kainc, u bëra mbret i teatri gjerman, trashëgimtar i mundshëm i Unazës së Inflandit . Ti je aktori më i përshtatshëm në botë që mund të luash rebelin, ti je rebel i lindur…Ti ke energji të pashoqe për të luajtur atë që humbet, sytë e tu të mëdhenj janë prej zjarri, zërin e ke të pa parë, magjik, qiellor, dhe flokët e egër ti kreh era…Ato rrudhat e ballit tënd janë rrudhat e botës, t,i ndjen turmën siç e ndjej unë, edhe detin …Mos harro, dikur s,kishe të haje drekën, tani je Hamleti dhe Fausi i botës…ty të pëlqen më shumë Ferri se sa Kopshti e Edenit…I dëgjon bubullimat ? Ruaju nga e keqja ajo vjen shpejt si flakërimë dhe, nëse nuk e përballon dot, sytë e tu verbohen…Regjisori tjetër i shquar, Njuman, i pat thënë “ti do të jesh një Kainc i ri , një Matkovski i ri ose një Infland i ri”…
***
Matkovski në konkurencë me Kaincin për unazën vret veten. Kainci vdiq para kohe. Skena e madhe e teatrit vjenez e gjerman po hapte perden për një regjisor tjetër të madh, e ai erdhi dora dorës me Aleksandër Moisiun. Dhe i tha “Tani është radha jote Aleksandër”. Ishte ai, i famshmi,
RAINHARDI
Erdhi në teatrin e madh gjerman pas vdekjeve të mëdha, erdhi me Aleksandër Moisiun. Të dy merrnin dritë nga njëri tjetri. Ose pa njërin, as tjetri nuk do ishte ai, i madhi. Regjisori kishte vite që e njihte Moisiun. Që kur, të dy ishin shumë të rinj, Regjisori e kish treguar me gisht aktorin dhe kish thirrur fort “Hej, zotërinj ky është aktori”. Pas dhjetë vjet bashkëpunim, të dy ishin bërë të njohur e të famshëm në të gjithë Evropë. Me këtë regjisor Aleksandër Moisiu interpretoi rolet më të mëdha si, Hamletin dhe Makbethin e Shekspirit, Faustin e Gëtes, Fantazmat e Ipsenit, Kufomën e gjallë të Tolstoit, Kopracin e Molierit, Franc Moorin etj, etj. Pas 200 vjetësh nga vdekja e Dantonit, Rainhardi vuri në skenë “Vdekjen e Dantonit” e me Moisiun i dha botës fytyrën e revolucionit francez – ndërkohë që bolshevikët bënë një tjetër revolucion vampir. Kështu kjo dyshe të talentuarish, i tregoi njerëzimit se teatri është pulsi shoqërisë së civilizuar, është i gjithkohshëm, për sot, për dje, e për nesër.
***
Ka një rast domethënës midis regjisorit dhe aktorit…(Duhej të luhej Edipi në Moskë. Aktori Edip, Basermani, ishte i sëmurë dhe regjisori caktoi Aleksandrin. Nuk e afroj dot tek vetja mëkatin e Edipit, i tha aktori regjisorit – unë nuk dua ta njoh atë mëkat. Nuk jam as Kainci, as Matkovski , që luanin gjithçka. Koha është vërtet e shkurtër, tha regjisori, por unë jam i sigurt se me ty Edipi do të jetë shfaqja e shekullit. Përfytyro, vetëm kori është 100 vata. Dhe atje , mund të japim shumë shfaqje. Tundu, Moisi, Edipi do ketë vetëm fytyrën tënde. Edipi e ka shkruar në ballë mëkatin e tij – është borgjezi dhe fshatari i varfër, bankieri dhe mbreti, është artisti përballë të keqes fatale që e përndjek njeriun që nga lindja…Dëgjo Aleksandër Moisi, mbaje mend, po ia dole mbanë me këtë Edip, siç e përfytyroj unë, të betohem që unazën e Inflandit nuk do ta marrë askush tjetër…
Dy aktorët më të mëdhenj të Evropës folën gjithë natën për Edipin. Në thelbin e Edipit ata gjetën gjeninë e Dostojevskit- shkrimtarit të madh rus që dhimbjet e personazheve i kish provuar të gjitha në trupin e vet. E keqja, mëkati, plaga, ekzistojnë. Dhe për krijuesin është e domosdoshme t”i shohë në sy, ti ndjejë në trup. Në Moskë A. Moisiu u bë Edip, ose njeriu që kërkon një krim të vjetër dhe e gjen te vetja. Si aktor ai e përjetonte plagën që luante dhe me krenari profesionale thoshte, “Mua më pëlqen të shikoj brenda vetes sepse aty gjej botën”.
***
Fataliteti i Edipit i mëson njeriut se një gabim, faj apo incident fatal, jo vetëm që duhet njohur, por dhe duhet përballuar. Edipi i Moisiut tronditi Moskën, monologu dhe finalja mbahen në analet e teatrit si perla të fjalës artistike. “Oh, oh! lermëni të takoj nënën…!” Me këtë ulërimë të çjerrë, alarmante dhe energjike, bëri skenën të drithërohej. Ai rënkonte, lëngonte, sikur i ishte plagosur shpirti. Nëpër duartrokitjet e pa fund dhe ngashërimeve të pa para, Moisiu Edip arrin kulmin e pa përshkrueshëm kur, pasi njohu fajin me ulërimat e një ujku të plagosur, kërkon të çlirohet disi, Them disi, se ka krime gjaku që nuk mund të shlyhen pa një vetndëshkim kapital – dhe ja Edipi nxjerr shtizën dhe pa iu dridhur dora, çan sytë e tij të zjarrtë. Salla e ngritur më këmbë mban frymën, dikush qan me zë – në fytyrën e Edipit tani dallohen dy gropa të zeza e nëpër faqe dy vranga gjaku akoma të pa ngrira… Ai hedh dy tre hapa me krahë hapur rrotullohet pa parë asgjë. Edipi kish rënë në natën e përhershme.
EPILOG OSE DRAMA E DRAMËS
Dhe prag-vdekja e Moisiut u luajt si finishi i një drame spektakulare.. Aktori me famë botërore dergjet i sëmurë përpara një pjedestal të bardhë, që duket si projekti i një monumenti. Në krematoriumin e Vjenës kishte zgjatur kthetrat vdekja. Ai rënkon thellë, flet përçart, e përpëlitet nga ethet e forta. Zjarrmia e ka zhytur në një kllapi të rëndë me një temperaturë të rrezikshme. Dëgjohet frymëmarrja e tij e ndërprerë e hera herës copa fjalës me një tingëllimë të çuditshme buzëve të plasaritura nga ethet…– Dikush tha ” Ai po interpreton rolin e një avokati nga drama “Papagalli jeshil” Oh, oh! Lermëni të takoj nënën…! Marinarë, hidheni spirancën… Arritën në tokën e zjarrtë…Pse heshtni ju?…Kjo është skena e vdekjes sime…Joana , mos më qaj! Dhe ti Marta je këtu ?…
Po binte një heshtje, e rëndë. Ai po reciton së thelli me forcat e fundit të shpirtit,… me një tingëllimë të tmerrshme. Përshpërima të prushta nëpër buzët e gjakta… “Besoj në forcën e fjalës, besoj në fuqinë e vizatimit, …ashtu si Mikeanxelo, Rembrandi.., dhe magjinë e muzikës besoj tek e bukura” … Ah, Ve-ne-cia, ah Du-rrë-si im!..Du rrë si . Dhe vdekja nuk vonoi. Ajo ra e qepallat e syve të zjarrtë u mbyllën si krahët e perdeve të rënda të teatrit gjerman. …
***
Për kuriozitet – Ato ditë Duçja vendosi shtetësinë italiane të A. Moisiut… Toka jote po të pret, lexoi një zëdhënës i tij. … po shumë vonë , shumë.. Nxitoi dhe Adolf Hitleri për të nderuar aktorin e madh (gjerman siç e quan ai) Dërgoi teleëgram dhe Mbreti Zog,- “Nderimet e mia të fundit Aktorit të famshëm shqiptar A. Moisiu.”
*** Finishi i unazës u luajt si nga një kamer televizive – Drejt flakës që kishte përfshirë kufomën e Aleksandrit, u zgjat një dorë që vërviti në mes të flakës unazën e famshme. Thanë që ishte dora e aktorit të shquar, Beserman. Dikush tha është dora e Rainhardit që qe shprehur se kjo unazë i takon vetëm aktorit shqiptar, Aleksandër Moisiu. Rreth flakës së Moisiut po zhvillohej një akt grotesk, që shtoi edhe më shumë misterin e asaj unaze me brilante…Më vonë, Gebelsi kishte urdhëruar që të gjendet unaza origjinale ( Më pas Gebelsi urdhëroi fabrikimin e një unaze tjetër për t,ia dhënë një aktori fashist..) Akt mjeran ky, që tregon se diktatorët nuk mund ta vlerësojnë dot artin madhështor si këngën magjike të lirisë së njerëzimit. Sidoqoftë, Flakja e unazës në flakët e Aleksandrit, më së miri, tregon se ajo unazë e famshme kishte ikur bashkë me atë që e meritonte.