“U paguan për strehimin e afganëve”/ Rama përgënjeshtron Macron: E pavërtetë! Na propozuan para, por nuk pranuam!

Kryeministri Edi Rama në një prononcim të dhënë për gazetën franceze “Liberation” ka përgënjeshtruar deklaratat e presidentit Macron se Shqipëria paguhet për akomodimin e shtetasve afganë.

I pyetur nga gazetari Luis Seller, në lidhje me këto deklarata, Rama u përgjigj duke thënë se kjo është e pavërtetë.

Kryeministri shpjegoi gjithashtu se një pjesë e afganëve që kanë mbërritur në vendin tonë kanë punuar në vendin e tyre për organizata jo qeveritare dhe kompani private dhe se me të ardhurat e tyre arrijnë të mbulojnë shpenzimet, por pa i dhënë asnjë ndihmë ekonomike shtetit shqiptar.

Kryeministri vijon më tej, ku pohon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar qeverisë shqiptare financim për ngritjen e kampeve të refugjatëve, por që nuk është pranuar nga Tirana zyrtare.

“Sepse kampet janë dehumanizuese dhe krijojnë probleme me popullsinë” ka thënë Rama.

“Një pjesë e 4 mijë refugjatëve afganë që do të vijnë në Shqipëri do të mbetet përgjithmonë këtu. Disa prej tyre janë gazetarë dhe teknikë dhe po shikojmë mundësinë ti integrojmë në sistemin tonë mediatik” shtoi Rama, duke e shoqëruar si gjithmonë intervistën me kritikat për Europën që ka rënë peng i ksenofobisë e duke shtuar se “etërit e saj themelues do kishin pasur turp po të na shihnin”.