Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë ku ka marrë vendime të rëndësishme në lidhje me investimet në rrugë, marrëdhëniet mes vendeve për ekstadimin e personave të dënuar, situatën me Covidin, arsimin e deri tek çfarë do të përfitojnë fëmijët e nënkomisarit të vrarë ditën e martë në Lezhë, Saimir Hoxha. Të gjithë ministrat në rresht, para kryeministrisë, kanë shpjeguar vendimet që kanë marrë në mbledhjen e djeshme.
Infrastruktura
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se gjatë mbledhjes së qeverisë, janë miratuar një sërë shpronësimesh për të vijuar punët infrastrukturore në disa qytete të Shqipërisë. Balluku tha se do të vajohen punimet në unazën lindore të qytetit të Kavajës dhe unazën e Korçës, e po ashtu, është bërë shpronësimi i një zone, ku pritet të kalojë TAP. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka depozituar disa projektvendime, sidomos shpronësime. Shpronësim për të vazhduar punimet në unazën lindore të qytetit të Kavajës. Gjithashtu kemi aprovuar sot, vazhdimin për shpronësimin e punimeve në unazën e Korçës, kjo rrugë krijohet jo vetëm për trafikun, por për t’u dhënë akses qytetarëve”, tha Balluku. Ajo nënvizoi se Qeveria ka marrë vendimin për shpronësimin e TAP-it por edhe në aksin e Tiranë-Elbasan. “Dua të përmend këtu dhe vendimin që kemi marrë për shpronësimin e një zone që kaluar për TAP. Në të ardhmen ajo do të luajë një rol të rëndësishëm, sepse do të jetë TAP pjesë e projektit që kemi nisur. Ne kemi hedhur hapat për TEC-in e Vlorës. Ndërkohë, gjithashtu kemi bërë shpronësimin e një sheshi në fshatin e Bogës. Një nga fshatrat më piktoreske turistikë, e për shkak të gjitha reformave gjatë këtyre zonave. Gjithashtu, dua të ndalem në një tjetër shpronësim të miratuar sot, kjo në aksin Tiranë-Elbasan, kjo na çon afër një projekti që ka marrë një afat të gjatë për t’u realizuar”, tha Balluku.
Ekstradimi
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se gjatë mbledhjes së qeverisë është miratuar marrëveshja për eksatradimin me Spanjën. Ai është shprehur se ky është një mesazh i qartë për krimin dhe se ata që kryejnë krime në Spanjë nuk mund të gjejnë strehë në Shqipëri. “Sot i hapëm rrugë marrëveshjes mes Spanjës dhe Shqipërisë. Ky bashkëpunim është bazuar në konventën Europiane të viti 1957, nëpërmjet kësaj marrëveshje ne eleminojmë një pengësë që ka të bëjë me ekstredimin. Nëpërmjet kësaj marrëveshje eleminohet pengesa dhe me Spanjën autoritetet do të lejojnë ekstradimin reciprok. Kjo marrëveshje ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin midis dy vendeve. Por edhe një instrument shtesë dhe një sinjal i qartë për botën e krimit që cdo shtetas që kryen një krim në Spanjë nuk mund të gjejë strehë në Shqipëri”, tha Manja.
Arsimi
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka qetësuar me njoftimin se shkollat nuk do jenë gjatë gjithë vitit akademik me dy turne. Pas mbledhjes së qeverisë ajo tha se vendimi nuk është definitiv deri në fund të vitit, por në bazë të situatës së pandemisë në vend dhe vendimeve të Komitetit të ekspertëve. Ajo tha se 87% e mësuesve janë të vaksinuar me të paktën një dozë, ndërsa 71% me të dyja dozat, duke shpresuar se procesi i vaksinimit do të çojë drejt normalizimit dhe situatën në shkolla. Kushi shpjegoi dhe dy vendime të marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. “Vendimi i parë ka të bëjë me disa ndryshime në VKM-në e vitit 2020 që lidhet me mbështetjen financiare për studentët e ekselencës që studiojnë jashtë nga fondi i ekselencës . Për shkak të situatës së pandemisë, në shumë universitete u aplikuan disa metoda vlerësimi ndryshe nga ato tradicionale, studentët merrnin vlerësim kalon, nuk kalon dhe jo me notë, ndërkohë që VKM përcakton një mesatare, kështu që për t’i mos penalizuar, shtuam dhe këto raste për situata të jashtëzakonshme. Studentët ekselentë do të kenë mbështetjen tonë, jo vetëm për studimet, por edhe për punësimin e tyre”, tha ajo. Vendimin e dytë që mori Kryeministria në këtë fushë lidhet me miratimit të memorandumit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë mes Shqipërisë dhe Spanjës. “Objektivi ynë të bashkëpunojmë me universitetet prestigjioze”, deklaroi Kushi.
Shëndetësia
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë marrë të gjitha masat për trajtimin shëndetësor, sidomos për të prekurit nga COVID, si dhe nënvizoi se më shumë se 150 punonjës shëndetësorë janë shtuar për të përballuar efektet e COVID-19. Ministrja tha ndër të tjera se deri më tani më shumë se 900 mijë qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, e përkthyer kjo në 44% të kategorisë që deri më tani i është lejuar vaksinimi. Sakaq, ajo tha se qeveria është e gatshme që të garantojë doza të mjaftueshme vaksinash, nëse komiteti teknik vendos që të aplikojë në popullatë dozat përforcuese. “Janë më shumë se 900 mijë qytetarë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës ose ndryshe rreth 44% e popullatës target, ndërsa janë vaksinuar plotësisht 35.5% e popullatës target. Ne duam të rrisim mbulesën vaksinale, por popullata mbi 60 vjeç ka arritur një vaksinim 64% që është një mbulesë e mirë. Sa i përket dozave përforcuesve, komiteti i ekspertëve është duke vlerësuar programin për dozat përforcuese, ne jemi të përgatitur, qeveria ka vendosur të gjitha fondet në dispozicion për marrjen e vaksinave. Nëse komiteti miraton dozat e treta ne do e zhvillojmë menjëherë”, përfundoi ministrja.
Trajtimi për fëmijët e Saimir Hoxhës
Nënkomisari i Lezhës, Saimir Hoxha është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim qeverie. Çuçi tha se familjarët do të trajtohen menjëherë financiarisht nga shteti. Ai garantoi se dy fëmijëve nuk do u mungojë asnjëherë ndihma nga shteti. Çuçi theksoi që deri 18 vjeç fëmijët e Hoxhës do të marrin trajtim, më pas nëse vijojnë shkollën e lartë do të marrin 170% të pagës së nënkomisarit. Gjithashtu ai tha se për fëmijët është e garantuar trajtimi shëndetësor falas dhe benefitet e tjera. “Siç e dini, dje humbi jetën në mënyër tragjike në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha. Morëm vendimin ëpr shpalljen “Dëshmor i Atdheut” nënkomisar. Qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve. Me marrjen etitullit, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që miratuam në mbledhjen e parë të kësaj qeverie ato do të trajtohen, posaçërisht fëmijët si fëmijë në përkujdesje të Republikës. Kjo do të thotë se fëmijët do të marrin një trajtim deri në 18 vjeç dhe nëse vijojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç do të marrin pagë prej 170% të pagës së nënkomisarit. Jo vetëm kaq, do të marrë trajtim falas shëndetësor dhe benefitet si rezultat i statusit “Dëshmor i Atdheut” të babait të tyre. Sigurisht fëmijëve do u mungojë babai i tyre, por në asnjë moment gjatë gjithë jetës së tyre nuk do i mungojë përkujdesja nga shteti”, tha Çuçi.