Gjatë qëndrimit të saj në Athinë, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e kryeparlamentarëve të Këshillit të Evropës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi një takim me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferin.
Gjatë takimit u bisedua mbi zgjerimin e këtij bashkëpunimi si edhe rritjen e kontributin të Kuvendeve në nxitjen dhe mbështetjen e marrëdhënieve midis të dy vendeve.
Nikolla dhe Xhaferi vunë në dukje progresin e të dy vendeve në rrugëtimin evropian dhe plotësimin e të gjitha kushteve për mbajtjen e Tryezës së Parë Qeveritare me BE-në brenda vitit 2021.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi edhe rolin dhe kontributin e njohur të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zhvillimin, përparimin dhe evropianizimin e vendit.
Gjithashtu ditën e sotme Nikolla u takua edhe me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Kakha Kuchava dhe gjatë takimit u bisedua mbi bashkëpunimin parlamentar, si edhe kontributin e parlamenteve në kryerjen e reformave integruese.
Kuchava e falenderoi Kryetaren Nikolla për mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Duke iu përgjigjur interesimit të kolegut gjeorgjian mbi reformën në drejtësi, Nikolla vuri në dukje se kjo reformë po zbatohet me sukses dhe besimi i publikut dhe qytetarëve te reforma në drejtësi është rritur.
Nikolla dhe Kuchava biseduan edhe për koordinimin midis të dy parlamenteve dhe të dy vendeve për mbështetjen e kandidaturave në organizatat ndërkombëtare. Kryetarja e Kuvendit, e ftoi Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Kakha Kuchava, për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë këtyre takimeve ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.