Nga Dom Gjergj Meta
Kur studjoja drejtësi në Romë mësova se ajo ka si synim të fundëm shpëtimin e shpirtërave. Në rrafshin civil mund të themi se synimi kulmor dhe i fundëm i çdo reforme në drejtësi është njeriu dhe ndërtimi i një shoqërie të denjë njerëzore.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm reformë ligjesh. Ajo është thelbësisht reformë mendësie e vizioni i drejtësisë, më shumë se sa i ligjeve. Ligjet mund të bëhen në zyra dhe në letra, kurse drejtësia vjen nga mendja dhe nga zemra.
Po nuk u reformuan këto të fundit, nuk ka reformë në drejtësi. Reforma e zemrës dhe mendjes vjen nga farkëtimi i një shpirti dashurues ndaj njeriut dhe kujdesi ndaj të mirës së përbashkët. Për një drejtësi të re duhet një mendje dhe një zemër e re.
Konceptet ligj (lex) dhe drejtësi (ius, iustitia) nuk përkojnë me njëri – tjetrin. Ligjet mund të jenë edhe të padrejta. Por që ligjet të kenë brenda drejtësi, duhet që të ekzistojë sensi i drejtësisë, kuptimi dhe përjetimi i saj prej atyre që punojnë në hartime, vendimarrje dhe zbatim të ligjeve.
Që të kesh një mendësi të shëndoshë drejtësie nevojitet, përveç përgatitjes edhe një humanitet i thellë, delikat, i ndjeshëm dhe sidomos shumë dashuri.
Prandaj që reforma në drejtësi në vendin tonë do të ketë një rrugë të gjatë, por jo të pamundur.
Ne si qytetarë kemi për detyrë të mbështesim çdo hap drejt një drejtësie të re ku i jepet secilit haku (unicuique suum) dhe të gjithëve barazia para ligjit. Duhet të besojmë te e mira që vjen nga drejtësia edhe kur ajo dhemb.
E për të krishterët do të thoja:
– Ata që punojnë në sektorin e drejtësisë të jenë shembull i një drejtësie të epërme që vendos njeriun dhe dinjitetin e tij përpara gjithçkaje në emër të dashurisë së Hyjit.
– Për të gjithë të tjerët të lutemi shumë për një shoqëri të drejtë e më të mirë për të gjithë.