Ish-ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini akuzohet për rrëmbim dhe pengim të zbarkimit, për më shumë se tre ditë, të 131 refugjatëve nga anija e Marinës italiane ‘Gregoretti’.
Për këtë akuzë Senati italian ka autorizuar gjykimin e liderit të Lega Nord.
Salvini ka kontestuar akuzat në Senat duke sqaruar se ai kishte bërë detyrën në mbrojtje të vendit.
“Mbrojtja e atdheut është një detyrë e shenjtë, besoj se kam mbrojtur atdheun tim, nuk kërkoj çmim për këtë por një gjykim të drejtë. Vendimi ka qenë kolegjal dhe jo personal”. “Keni nevojë për një kavie? Ja ku jam! Shqetësimi im i vetëm janë fëmijët e mi dhe se çfarë ata do të lexojnë për mua nesër në gazeta”.
Salvini gjithashtu sulmoi gazetën italiane ‘La Repubblica’ – pa e cituar direkt gazetën – për titullin “Cancellare Salvini”.
Votimi i sotëm ishte për Parlamentin akti i fundit i një historie që shpërtheu në bregdetin e Siçilisë më 27 korrik të vitit të kaluar dhe përfundoi katër ditë më vonë në portin e Augusta, kur emigrantët që kishin shpëtuar u shpërngulën përfundimisht nga anija e Rojes Bregdetare Italiane. /Fjala.al