Tensionet Rusi-Ukrainë vënë presion mbi Turqinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mes shtimit të tensioneve nga mundësia e një pushtimi rus të Ukrainës, analistët thonë se Turqia ka një rol kryesor si zbatuese e një konvente ndërkombëtare që rregullon hyrjen detare në Detin e Zi. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, Ankaraja është e vetëdijshme se çdo konflikt do të sjellë presion si nga Moska ashtu edhe nga partnerët e NATO-s.

Anijet luftarake të NATO-s kanë shtuar praninë e tyre në Detin e Zi në mbështetje të Ukrainës, ndërsa Rusia po grumbullon forcat e saj në kufirin me Ukrainën.

Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll. Konventa, që vihet në zbatim nga Turqia, kufizon anijet detare nga vendet që nuk i përkasin Detit të Zi, të transportojnë një maksimum ngarkese prej 10,000 tonësh për anije, për vetëm 21 ditë.

“Nëse ndodh më e keqja, atëherë Ukraina duhet të mbrohet ose të mbahet jashtë rrezikut. Në bazë të konventës Montreux ka një kufi për forcat detare që NATO-ja mund të mbajë aty”, thotë Mithat Rende, ish ambasador i Turqisë.

Konventa Montreux ka një rëndësi historike për Turqinë pasi rivendosi sovranitetin dhe kontrollin turk në rrjetin e rrugëve të brendshme ujore që lidhin Detin e Zi me detet e hapura.

Por disa analistë paralajmërojnë se roli i Turqisë si roje e Detit të Zi, e vë atë në një pozitë të vështirë me partnerët e saj të NATO-s në këtë kohë tensionesh të larta.

“Gjatë luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s u përpoqën të sillnin më shumë anije në rajon dhe fillimisht Turqia nuk lejoi kërkesën e parë nga Shtetet e Bashkuara, sepse po shkelte kufijtë e ngarkesës. Përfundimisht, SHBA-të e ndryshuan kërkesën për dy anije të tjera të vogla në vend të një anijeje të madhe dhe më pas u lejuan”, thotë Mustafa Aydin, profesor në Universitetin Kadir Has.

Lexo edhe :  I nxehti ekstrem/ ‘Shuhet’ vendi, regjistrohen 1000 viktima nga temperaturat e larta

Por Turqia po përballet edhe me presion nga Rusia. Vitin e kaluar përdorimi i kanalit të Bosforit nga anijet luftarake amerikane për të marrë pjesë në stërvitjet detare të NATO-s me Ukrainën u kritikua menjëherë nga presidenti rus Vladimir Putin.

Vëzhguesit parashikojnë se presioni rus do të rritet nëse NATO-ja rrit praninë e saj detare në Detin e Zi.

“Rusia po i bën gjithashtu presion Turqisë që të mos përfshihet, qoftë si anëtare e NATO-s, apo si një fqinj i mirë i Ukrainës. Dhe rusët nuk lënë asnjë mundësi t’u kalojë pa kritikuar Turqinë, jo duke e kërcënuar, por duke i thënë se nuk duhet të bëjë asnjë hap të gabuar“, thotë Huseyin Bagci, president i Institutit turk për Politikën e Jashtme.

Ankaraja po vëzhgon nga afër bisedimet e kësaj jave për të zbutur tensionet në rritje…dhe shpreson që të dyja palët të shmangin një shtim të mëtejshëm ushtarak në rajon – një përshkallëzim, që mund të sjellë probleme të reja për Turqinë në rolin e saj historik si kontrolluese e hyrjes në Detin e Zi. /VOA

Të fundit

E konfirmon Kremlini: Trump dhe Putin do të takohen në ditët në vijim

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim në ditët në...

“Jam e vetmja që mund ta shpëtoj Shqipërinë”/ Evi Kokalari si ndahet Berishës

Aktivistja, Evi Kokalari ka zbardhur për herë të parë ofertat e pushtetit që, sipas saj, ia bëri vetë Sali Berisha për ta futur në...

Për majmunët që duan t’i dënojnë shqiptarët për tradhti ndaj atdheut

Ylli Manjani ka komentuar project kodin e ri penal, ku ndër të tjera propozohet dhe rikthimi i dënimit të shqiptarëve për tradhti ndaj atdheut,...

Temperatura 50 gradë!/ Korriku 2025, i treti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë

Pavarësisht një rënieje të lehtë në temperatura, korriku i vitit 2025 ishte muaji i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, sipas Observatorit Evropian...

Durrës Marina/”Projekti strategjik” mbledh 42 mln euro nga shitja e apartamenteve në ajër

Projekti strategjik i marinës së Jahteve në Durrës, që u reklamua si një investim prej 2 miliardë eurosh, dhe po zhvillohet në zonën ku...

Lajme të tjera

Web TV