Lufta në Ukrainë: sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë
Shumë vende kërkojnë të penalizojnë ekonominë ruse dhe mbështetësit e Kremlinit në shenjë proteste kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Perëndimi e kishte paralajmëruar Rusinë se do të vendoseshin sanksione të rëndësishme ekonomike ndaj saj në rast të një pushtimi të Ukrainës. Trupat ruse pasi kaluan në ofensivë të enjten, më 24 shkurt, shumë qeveri kanë vendosur t’i zbatojnë ato.
Këto janë masat kryesore të marra në mbarë botën
Bashkimi Europian
Njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së kishin sanksionuar tashmë disa personalitete dhe entitete ruse pas aneksimit të Krimesë në 2014, ndërhyrjes në Donbass dhe shkatërrimit të avionit MH17 në vitin 2014 në Ukrainën lindore.
Ata njoftuan një raund të ri sanksionesh më 23 shkurt, pas njohjes nga Vladimir Putin të këtyre dy “republikave popullore” separatiste pro-ruse të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore.
Kjo deklaratë, në kundërshtim me procesin e paqes në Ukrainë të parashikuar nga marrëveshjet e Minskut, ishte interpretuar, me të drejtë, si fillimi i një ofensive ruse kundër Ukrainës.
Këto sanksione të reja kanë të bëjnë me:
351 deputetët rusë që votuan në favor të njohjes së dy territoreve separatiste;
- 27 individë dhe entitete që minuan integritetin territorial të Ukrainës (përfshirë 5 zyrtarë qeveritarë, 6 komandantë të forcave ruse dhe 5 persona të cilësuar si “figura qendrore të propagandës” ruse);
- 4 subjekte ruse (një kompani “propagande”, dy banka të lidhura me energjinë ruse dhe një bankë zhvillimi);
- marrëdhëniet ekonomike të territoreve të republikave të vetëshpallura;
- Qasja e Rusisë në tregjet e kapitalit të Bashkimit Evropian (BE) si dhe në shërbimet e saj financiare (siç është banka qendrore e Federatës Ruse).
- Në të njëjtën kohë, Gjermania njoftoi pezullimin e autorizimeve për projektin e gazsjellësit Nord Stream 2.
Pushtimi i Ukrainës nga trupat ruse më 24 shkurt e shtyu BE-në të shpallte sanksione të reja. Këto dispozita të reja, të cilat do të ratifikoheshin gjatë ditëve të fundit të muajit shkurt, ndezën një debat të nxehtë midis aleatëve evropianë.
Në veçanti, ata duhet të synojnë personalisht presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e tij të jashtëm, Sergei Lavrov. Por ata do të synojnë gjithashtu sektorin financiar, sektorët e energjisë dhe transportit, mallrat me përdorim të dyfishtë (si civil ashtu edhe ushtarak), kontrollin dhe financimin e eksporteve dhe politikën e vizave. Franca dhe shumë vende të tjera të BE-së deklaruan se ishin në favor të përjashtimit të Rusisë nga sistemi bankar Sëift, por “disa shtete anëtare kanë akoma rezerva”, deklaroi ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire.
Gjigandi energjetik Gazprom dhe kompanitë e tjera të mëdha në vend – gjithsej trembëdhjetë – nga ana e tyre nuk do të jenë më në gjendje të mbledhin para në tregjet financiare perëndimore, një sanksion që tashmë ishte vendosur ndaj vetë qeverisë ruse.
Mbretëria e Bashkuar
Kryeministri i Britanisë, Konservatori Boris Johnson, njoftoi të enjten “paketën më të madhe dhe më të ashpër të sanksioneve ekonomike që Rusia ka parë ndonjëherë”.
Këto sanksione të reja “do të bëjnë të mundur përjashtimin e plotë të bankave ruse nga sistemi financiar britanik, i cili është sigurisht më i madhi në Evropë”, shton Londra.
Këto masa do të parandalojnë kompanitë publike dhe private nga mbledhja e fondeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të kufizojnë shumat që qytetarët rusë mund të mbajnë në llogaritë e tyre bankare në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Downing Street, këto sanksione do të synojnë njëqind subjekte, si konglomerati Rostec (mbrojtje, hapësirë ajrore, etj.).
Por edhe biznesmenë dhe gra ruse si Kirill Chamalov (ish-dhëndri i Vladimir Putin dhe aksioner i kompanisë petrokimike Sibur), Yuri Slyusar (kompania aeronautike UAC), Piotr Fradkov (banka Promsvyazbank), Denis Bortnikov (banka publike VTB) ose Elena Gueorguieva (banka Novikombank). Këtyre personaliteteve do t’u ngrihen asetet dhe do t’u ndalohet hyrja në MB.
Së fundi, me pushtimin e Ukrainës, Londra po i sugjeron intensivisht dhe me vendosmëri BE-së që të përjashtojë Rusinë nga rrjeti ndërbankar Swift.
SHBA
Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten 25 shkurt sanksione të reja “të rënda”, duke paraqitur “një kosto të menjëhershme” dhe ndëshkuese për Rusinë. Këto sanksione, të cilat vijnë në vijim të atyre të vendosura që nga aneksimi i Krimesë në 2014, synojnë “të izolojnë Rusinë nga sistemi financiar global”, duke ndërprerë lidhjen me sistemin bankar amerikan për Sberbank, banka ruse më e madhe në kreditimin, aksionari kryesor i së cilës është shteti rus; 25 filiale të saj janë gjithashtu të prekur.
Shtetet e Bashkuara kanë dekretuar gjithashtu një “bllokim të plotë të sistemit financiar amerikan” për bankën e dytë ruse, VTB (Vnechtorgbank, Внешторгбанк – Banka për tregëtinë me jashtë) me rreth 14,53 miliard aktive, e dyta mbas Sberbank, si dhe tre institucione të tjera financiare ruse: të gjitha asetet e tyre në dollarë janë ngrirë.
Përveç kësaj, SHBA ndalojnë mbledhjen e fondeve në monedhën amerikane për trembëdhjetë kompani në pronësi të shtetit rus (përfshirë gjigantët e energjisë Gazprom dhe Transneft).
Masat synojnë gjithashtu individët që konsiderohen si “elita ruse dhe familjet e tyre”, por edhe individë bjellorusë, për të detyruar Bjellorusinë, një aleat i Vladimir Putin, “të tërheqë mbështetjen e saj për agresionin rus në Ukrainë”.
Transaksionet në dollarë janë të ndaluara dhe asetet që ata mbajnë në Shtetet e Bashkuara janë të ngrira. Ata janë të ndaluar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Së fundi, eksporti në Rusi i produkteve ushtarake ose të teknologjisë së lartë me komponentë ose softwer amerikanë është i kufizuar në mënyrë drastike. Uashingtoni njoftoi gjithashtu se vendet që miratojnë masa të ngjashme tregtare kundër Rusisë do të përfitonin nga disa përjashtime të pronësisë intelektuale.
Zvicra
Duke kujtuar neutralitetin e Zvicrës, presidenti Ignazio Cassis tha të enjten se Konfederata zvicerane nuk do të zbatojë sanksionet e vendosura nga BE. Megjithatë, Këshilli Federal synon të përforcojë urdhëresën e miratuar në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, e cila synon të parandalojë “anashkalimin” e sanksioneve të 27 vendeve të BE-së falë Zvicrës.
Australia
Pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014, Australia kishte dekretuar tashmë një ndalim të tregtisë së armëve dhe pajisjeve specifike të kërkimit të naftës kundër Rusisë. Qeveria australiane ndalon gjithashtu shitjen, blerjen ose huadhënien e instrumenteve financiare me bankat publike ruse, ose ato të përfshira në prodhimin dhe tregëtimin e naftës, ose aktivitete ushtarake dhe filialet e tyre. Këto sanksione janë në fuqi deri më sot.
Kryeministri Scott Morrison njoftoi të premten, pa dhënë shumë detaje, masa shtesë kundër “oligarkëve rusë, pesha ekonomike e të cilëve është me interes strategjik për Rusinë” dhe kundër anëtarëve të Parlamentit që votuan për pushtimin e Ukrainës.
Australia është aktualisht në diskutime me Shtetet e Bashkuara për t’i shtrirë këto sanksione në mënyrë simetrike ndaj subjekteve bjelloruse “bashkëpunëtorë në agresion”.
Japonia
Ministria e Jashtme e Japonisë njoftoi të premten datë 25 shkurt sanksione mbi eksportet në entitete ruse të lidhura me ushtrinë, si dhe eksportet e mallrave për qëllime specifike, si gjysmëpërçuesit (komponentët elektronikë thelbësorë për shumë pajisje, të cilat janë subjekt i mungesave në nivel global) dhe mallra të caktuara të pranishme “në një listë të bazuar në marrëveshje ndërkombëtare”.
Autoritetet do të ngrijnë gjithashtu asetet në Japoni të tre bankave ruse (VEB.RF, Promsvyazbank, Bank Rossiya). Ka gjithashtu plane për të pezulluar dhënien e vizave të hyrjes për personat e caktuar të lidhur me Rusinë, të cilëve do t’u ngrihen asetet në Japoni – një vendim që prek edhe organizatat ruse.
Zelanda e Re
Zelanda e Re vendosi të premten të ndalojë anëtarët e qeverisë ruse të hyjnë në territorin e saj dhe pezulloi të gjitha bisedimet me Rusinë. Qeveria e Ëellington-it do të bllokojë gjithashtu të gjitha eksportet që mund të përfitojnë forcat e armatosura ruse.
Koreja e jugut
Në fillim, qeveria qëndroi e kujdesshme për sa i përket sanksioneve kundër Rusisë, sepse vendet janë aleate në menaxhimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut. Por që nga pushtimi i Ukrainës, presidenti Moon Jae-in ka njoftuar se qeveria e tij do të ndjekë sanksionet ndërkombëtare.
Këtyre sanksioneve të rënda ekonomike e financiare, po i bashkohen cdo ditë e më tepër edhe mjaft vende të tjera të botës, sidomos në drejtim të mbylljes së hapësirave ajrore për kompanitë ruse të aviacionit, etj. Po kështu, edhe në aspekte të tjera në fushën e aktiviteteve sportive, kulturore, etj., cdo ditë e më tepër po shtohen sanksionet.
Kanada
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka në shënjestër drejtpërdrejt Vladimir Putinin, por edhe regjimin e Bjellorusisë, “i cili lehtësoi këtë pushtim”. Kanadaja shpalli një “seri të tretë të sanksioneve të bashkërenduara”, tha të premten më 25 shkurt, kryeministri Justin Trudeau, i cili synon në mënyrë specifike Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, por edhe regjimin e Bjellorusisë “që lehtësoi këtë pushtim”. Otava “mbështet fuqimisht” tërheqjen e Rusisë nga sistemi bankar Swift, tha ai gjithashtu, pas masave të reja ndëshkuese të nisura nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian në veçanti.
Kanadaja do të sanksionojë “58 individë dhe subjekte ruse”, ka njoftuar kryeministri Justin Trudeau.
Ministrat rusë janë pikërisht në shënjestër të sanksioneve: ato të Mbrojtjes, Financave dhe Drejtësisë, si dhe grupi i mercenarëve rusë Wagner, i njohur si i afërt me Presidentin Vladimir Putin.
Kanadaja ka pezulluar gjithashtu lejet e eksportit për Rusinë, me vlerë më shumë se 700 milionë dollarë kanadezë (487 milionë euro) dhe që synojnë kompani të veçanta në sektorët e hapësirës ajrore, minierave dhe teknologjisë së informacionit.