Martin Luter King/ Një plumb për 39 vjeçarin që luftoi paqësisht për të drejtat e njerëzve me ngjyrë

Black American civil rights leader Martin Luther King (1929 - 1968) addresses crowds during the March On Washington at the Lincoln Memorial, Washington DC, where he gave his 'I Have A Dream' speech.

Nga Leonard Veizi

Pasditja e 4 prillit të vitit 1968, do të prishej në qytetin amerikan të Memfisit, nga një e shtënë e vetme. Por plumbi i dalë nga arma “Remington” model 760 do të godiste në kokë një prej emrave më të shquar të Lëvizjes për të Drejtat Civile. Martin Luter King i Riu. Ai kishte dalë në ballkonin e dhomës 306 së motelit “Lorrene” ku ishte stacionuar, sepse vetëm një ditë më pas do të merrte pjesë në një marshim për të drejtat e punëtorëve me ngjyrë. Ishte ora 06:01 pasdite. Plumbi i përshkoi fytyrën, hyri nëpër faqen e djathtë, duke i thyer nofullën dhe disa vartebra teksa përshkoi shtyllën kurrizore e duke çarë vena dhe arterie kryesore, përpara se të ngecej në shpatull. King ra mbrapsh pa frymë, por ende nuk kishte vdekur. Forca e goditjes i grisi edhe kravatën. Menjëherë u dërgua në spitalin “Shën Jozef”, ku vdiq vetëm një orë më vonë, në 07:05 pasdite. Menjëherë pas goditjes dëshmitarët thanë se kishin parë një burrë duke vrapuar nga një godinë përballë motelit “Lorrene”. Dhe quhej Xhejms Erl Rej.

…Në botën e njerëzve me ngjyrë Martin Luter Kingu ishte kthyer në një mit. Ai ishte legjenda e gjallë që luftonte për të Drejta Civile. Emri i tij i lindjes ishte Majkëll. Por babai, që ishte pastor në Kishën Baptiste “Ebenezer” në Atlanta, gjatë një udhëtimi në Gjermani, u  impresionuar aq shumë nga historia e liderit të reformimit protestant Martin Luther, saqë ai ndryshoi jo vetëm emrin e tij, por edhe emrin e Majkëllit 5-vjeçar. Dhe kështu u quajtën Martin Luteri King, njëri “senjor” dhe tjetri “xhunior”

Idealisti

Ishte lindur më 15 janar 1929 në një familje të mesme, në Atlanta, Xheorxhia. Gjyshi i tij dhe më pas i ati shërbyen si pastor i Kishës Baptiste “Ebenezer”. Në vitin 1954, kur ishte 25 vjeç, Dr. King u bë pastor i Kishës Baptiste të Dexter Avenue në Montgomery, Alabama.

Në mesin e viteve 1950, King udhëhoqi lëvizjen për t’i dhënë fund segregacionit dhe kundër paragjykimeve në Shtetet e Bashkuara përmes mjeteve të protestës paqësore. King i ishte referuar shpesh Mahatma Gandit të Indisë si “drita udhëzuese e teknikës të ndryshimit shoqëror jo të dhunshëm”. Fjalimet e tij – disa nga më ikonat e shekullit të 20-të – patën një ndikim të thellë në ndërgjegjen kombëtare. Nëpërmjet udhëheqjes së tij, lëvizja për të drejtat civile hapi dyert për arsimin dhe punësimin që ishin mbyllur prej kohësh për njerëzit me ngjyrë në Amerikë. Aftësia dhe efektiviteti i Martin Luter King u rrit në mënyrë eksponenciale. Ai organizoi dhe udhëhoqi marshime për të drejtën e zezakëve për të votuar, për të drejtat e punës dhe të drejta të tjera themelore civile. Kundërshtimi i Dr. King ndaj Luftës së Vietnamit u bë një pjesë e spikatur e personalitetit të tij publik. Si një drejtues i shquar i Lëvizjes për të Drejtat Civile, me filozofinë e Jo Dhunës dhe asaj të Mosbindjes Civile, Martin Luter King u laureua me Çmimin Nobel për Paqen.

Para vrasjes

King bëri një udhëtim në Memfis, Tenesi, në mbështetje të goditjes së punonjësve të kanalizimeve të qytetit afrikano-amerikan. Punëtorët kishin organizuar një marshim në 11 shkurt 1968, për të protestuar ndaj pagave të pabarabarta dhe kushteve të punës të vendosura nga kryetari i atëhershëm i komunës Henri Leb. Në atë kohë, në Memfisi punëtorët me ngjyrë paguaheshin shumë më pak se punëtorët e bardhë. Për ta nuk kishte uniforma të ofruara nga bashkia dhe as sindikata të ligjshme. Vdekja famëkeqe e dy punëtorëve në shkurt 1968 u shndërrua në një grevë. King mori pjesë në një marshim masiv në Memfis më 28 Mars 1968, që përfundoi në përplasje. Më 3 prill, King u kthye në Memfis për të organizuar një marshim të ri. Avioni me të cilin do të fluturonte u vonua për shkak të një lajmërimi për bombë. Megjithatë King arriti në kohë për të mbajtur një fjalim të planifikuar, i njohur tani si “Unë kam qenë në Majën e Malit”. Të enjten, më 4 Prill 1968, King po qëndronte në dhomën 306 në motelin “Lorrene” në Memfis. Moteli ishte në pronësi të biznesmenit Uollter Beili dhe mbante emrin e gruas së tij. Hirësia e tij Ralf Abernathi, një koleg dhe mik i King, më vonë i rrëfeu se ai dhe King kishin ndenjur në dhomën 306 të motelit “Lorrene” aq shpesh saqë ajo njihej si “Suite King-Abernathi”. Sipas biografit të King, Tejlor Branç, fjalët e fundit të tij ishin për muzikantin Ben Branç, i cili ishte planifikuar të performonte atë natë në një event. King tha: Ben, luaj patjetër “M’a mbaj dorën, Zot i Lartë”. Luaje bukur. Ndërsa përgatitej të largohej nga moteli “Lorraine” për një darkë pune, King doli në ballkonin e dhomës 306 për të folur me kolegët e Konferencës së Udhëheqjes së Krishterë të Jugut. Aty dhe u qëllua.

Lexo edhe :  Riçërd Heris, nga zemra e gjelbër e Irlandës në panteonin e kinemasë

Kërcënimet

Xhejms Erl Rei, një i arratisur nga Burgu i Shtetit të Misurit, u arrestua në 8 qershor 1968, në Londër në aeroportin “Heathrow”. U ekstradua në Shtetet e Bashkuara dhe u akuzua për krimin. Më 10 mars 1969, ai u deklarua fajtor dhe u dënua me 99 vjet në Burgun e Shtetit Tenesi. Më vonë bëri shumë përpjekje për të tërhequr deklaratën e pranimit të fajit dhe kërkoi të gjykohej nga një juri, por kjo nuk ndodhi; ai vdiq në burg në 1998.

Që nga mesi i viteve ‘50, King kishte pasur disa kërcënime me vdekje për shkak të rolit të tij të rëndësishëm në Lëvizjen për të Drejtat Civile. Ishte përballur me rrezikun e vdekjes, përfshirë edhe një goditje me thikë gati fatale në 1958, dhe të jetuarit me të u bë pjesë e filozofisë së tij.

Familja King, por dhe shumë të tjerë kanë besuar në vazhdimësi se atentati ishte rezultat i një komploti që përfshinte qeverinë amerikane, Mafian dhe policinë e Memfisit. Ata u shprehwn se atentatori Rei ishte vetëm një “kokë turku”.  Duke filluar nga viti 1976, Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës për Vrasjet, i kryesuar nga Përfaqësuesi Luis Stokes, rishqyrtoi provat në lidhje me vrasjen e Kingut, si dhe atë të Presidentit John F. Kenedi. Raporti përfundimtar i komitetit sugjeroi se Rei mund të ketë pasur bashkëpunëtorë. Megjithatë, raporti arriti në përfundimin se nuk kishte prova bindëse të bashkëpunimit të qeverisë në vrasjen e Kingut.

Trazirat

Presidenti Lindon Xhonson bëri thirrje për një ditë zie kombëtare në 7 prill. Në ditët në vijim, bibliotekat publike, muzetë, shkollat ​​dhe bizneset u mbyllën dhe ngjarjet e shumta sportive u shtynë. Pas vrasjes, Komuna e Memfis nxitoi të bënte marrëveshje me kushte të favorshme për punonjësit e kanalizimeve.  Shërbimi i varrimit të King u mbajt në 8 prill në Atlanta në Kishën Baptiste Ebenezer. Në të morën pjesë shumë nga udhëheqësit politikë dhe të të drejtave civile të vendit, duke përfshirë Zhaklin Kenedi.

Kolegët e King në Lëvizjen për të Drejtat Civile kërkuan një reagim jo të dhunshëm ndaj vrasjes, për të nderuar parimet e tij më themelore. Megjithë nxitjen për qetësi, një valë mbarëkombëtare trazirash shpërtheu në më shumë se 100 qytete.

Të nesërmen, në qytetin e tij të lindjes, Atlanta, u mbajtën ritet e funeralit. Shërbimi në Kishën Baptiste Ebenezer u transmetua nga televizion kombëtar. Një procesion funerali transportoi trupin e King për 5.6 kilometra nëpër rrugët e Atlantas, i ndjekur nga më shumë se 100,000 njerëz në zi. Pas vrasjes së King, u raportuan disa reagime të shkëputursa armiqësore prej disa të bardhëve amerikanë veçanërisht në Jug. Por, në përgjithësi gazetarët raportonin se shumë të bardhët ndiheshin të pikëlluar nga vdekja e udhëheqësit afro-amerikan. New York Times e vlerësoi King në një editorial, duke e quajtur vrasjen e tij një “katastrofë kombëtare” dhe kauzën e tij “të drejtë”.

Epilogu

Në vitin 1983, Presidenti Ronald Reagan nënshkroi një projekt-ligj që legjitimonte një festë federale në nder të Martin Luter King për angazhimin e tij për të drejta të barabarta dhe drejtësi për të gjithë. 20 janari quhet Dita e Martin Luter King Jr. Në janar 2000, kjo datë u festua zyrtarisht në të 50 shtetet e SHBA-ve.