“Punë e dobët”? Shkarkohet kryepolici Nano, mbijetoi vetëm 11 muaj  

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, është shkarkuar nga detyra me motivacionin se nuk ka arritur objektivat, sidomos për shkak të disa ngjarjeve kriminale të muajit të fundit.

 Përgjithësisht shtatori është muaji kur qeveria vendos të bëjë ndonjë lëvizje në kabinet apo edhe në rang drejtorëish. Edhe nga ana saj po pritej shtatori, por vetëm një ditë para se të hynte “muaji i ndryshimeve”, Rama bëri tre lëvizje brenda një dite. Ajo më e bujshmja ishte shkarkimi i Gledis Nano, drejtorit të Policisë së Shtetit. Vetëm 11 muaj mbajti këtë detyrë, ndonëse emrimi i tij bëri jo pak bujë pasi u konsiderua si “njeriu i amerikanëve”, apo edhe i pranuar qoftë edhe në heshtje nga ana e opozitës. Zërat për një dorëheqje të mundëshme të Nanos qarkulluan të paktën për një javë. Nga burime konfidenciale mësohet se Nanos i është kërkuar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi që të japë dorëheqjen, por ai nuk ka pranuar. Madje tre ditë më parë vetë Nano konfirmoi se nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se do të vijonte të ushtronte detyrën. E mërkura ishte dita e fundit të tij, pasi në mbledhjen e qeverisë Rama dhe kabineti që drejton vendosën shkarkimin e Nanos, ku drejtimin e Policisë së Shtetit derui në emërimin e drejtorit të ri do e mbajë Tonin Vocaj, aktualisht zëvendësdrejtor. Kryeministri Edi Rama së bashku me Bledi Çuçin vendosi pikërisht ta shkarkontë Nanon për mos përmbushjen e detyrës. “Sot (dje), qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishim vënë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin, detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt besoj që do t’ju lajmërojmë dhe për emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit”, deklaroi Çuçi. I pyetur nga gazetarët nëse ndjen përgjegjësi personale për situatën kriminale në vend, Çuçi u përgjigj me arsyetimin e Këshillit të Ministrave: “Pa diskutim, ka shkallë përgjegjësie, deri tani Këshilli i Ministrave, Qeveria, ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”. Ish-drejtori Nano nuk ka dhënë ende ndonjë reagim për shkarkimin nga detyra. Ai është një nga drejtuesit më afatshkurtër në detyrë. Ambasada amerikane në Tiranë shprehu vlerësimin për zotin Gledis Nano, i cili, siç thuhet në një postim në rrjetin Tëitter, “ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”. Qeveria emëroi Gledis Nano në tetorin e vitit të kaluar si drejtor të policisë së shtetit, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ardi Veliu. Nano ka një karrierë mbi 20-vjeçare në polici dhe 5 vitet e fundit ishte drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Kriminaliteti gjatë sezonit turistik dhe disa krime të rënda javët e fundit nga grupet e krimit të organizuar përkeqësuan gjendjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri. Vendin e Nanos, përkohësisht do ta zërë Tonin Vocaj, dëri në emërimin e drejtorit të ri. Ndërkohë, Çuçi njoftoi për emërimin e Oltjon Kanushit si nëndrejtor të SHISH-it. Në mbledhjen e qeverisë u njoftua dhe shkarkimi nga posti i zëvendësministrit të Infrastrukturës, i ish-kryepolicit Ardi Veliu.

 Shkarkimet/ Açka: Familja politike nepotike në alarm

 Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka komentuar shkarkimet e bëra dje nga qeveria, si ndryshimet në polici por edhe në kabinetin qeveritar. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Açka thekson se vetëm një hall i madh krijon kaq shumë furtunë politiko-policoro-kriminale në një ditë. “Familja politike nepotike në alarm. Vetëm një hall i madh krijon kaq dhunë e furtunë politiko-policoro-kriminale në një ditë. As po kujdesen fare të fshihen sadopak, nuk po i kontrollojnë më as ushkuret. Mos u ka ardhur gjë ora e kastrimit, që të mos iu mbijë më fara kriminale në këtë tokë? Opozita? Tuj lujt yç”, shkruan Flutra Açka.

Alibeaj: Rama bën telenovelë me vrasje dhe emra në kërkim

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar me një postim në Facebook për vendimin e qeverisë për të shkarkuar nga detyra, kreun e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Alibeaj shprehet se “situata kriminale në Shqipëri është katastrofike dhe ndërrimet e emrave në kupolën e Policisë së Shtetit nuk mund ta zgjidhin këtë situatë”. Duke vendosur kryeministrin Rama në krye të listës së njerëzve që u mungon dëshira për të luftuar krimin e organizuar, Alibeaj nënvizon se është po ashtu kryeministri organizatori i telenovelave me emra të kërkuarish nga drejtësia, ndaj duhet të jetë ai i larguari. “Kjo sepse në krye të hallkës së rendit qëndron kryeministri Rama, njeriu që nuk ka vullnet për të luftuar me krimin dhe tentakulat e tij që janë të shtrira në çdo segment të jetës së shqiptarëve. Vrasjet, ngjarjet e rënda kriminale, telenovelat me emra të kërkuarish nga policia dhe përfshirja e policisë në këto skema, janë tregues i qartë se përgjegjësia është e Edi Ramës. Pa largimin e tij është e pamundur që krimi dhe përfshirja e tij në politikë e kudo të marrë fund”, shkruan Alibeaj.

 

Meta: Kokë turku, askush mos të mashtrohet, përgjegjësia e Ramës që motivon krimin

Një vendim të çuditshëm dhe kokë turku të radhës e ka konsideruar kreu i partisë së Lirisë, Ilir  Meta, shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano. Në një konferencë për shtyp, Meta tha se prej gati 10 vjetësh, problemi nuk janë vetëm drejtorët apo ministrat që bëhen kokë turku, por vetë kryeministri Rama, që sipas tij motivon dhe justifikon krimin. “Vetëm 10 muaj më parë u promovua me entuziazëm edhe vlerësime si prurje e re cilësore dhe shpresëdhënëse për drejtimin ligjor e qytetar të policisë së shtetit. Nuk ka ndonjë naiv që të besojë se drejtori i policisë deri dje apo deri para 10 vitesh, që kur Rama u bë kryeministër, që drejtori dhe performanca e tij ka qenë problemi dhe as ministrat që janë bërë kokë turku pas kokë turku dhe ndërkohë që situata e rendit ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar në mënyrë ekstreme. Askush mos të mashtrohet se një shkarkim si ky i sotmi mund të jetë shpresëdhënës për një përmirësim të funksionimit të policisë së shtetit dhe integritetit të saj, sigurisë qytetare dhe publike”, tha Meta.

 

SHBA nuk e “zhbën” Nanon: Partner i fortë i SHBA-së

 Reagon Ambasada Amerikane duke vlerësuar punën e Nanos dhe i del në mbështetje. Çfarë ndodhi me kryepolicin e ardhur me shumë bujë. Nga kërkesa për të dhënë dorëheqjen, deri në vendimin për shkarkimin e tij.

Lexo edhe :  “Trendi i ish-LSI-së drejt PS-së/ Cilët janë emrat që braktisën Metën

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kujdesshëm në përcjelljen e deklaratave kur qeveria bën ndryshime. Zakonisht shkarkimet kanë një arsye, dhe kjo përgjithësisht lidhet me pazbatueshmërinë e prioriteteve, por për shkarkimit e Gledis Nano ka ndodhur e kundërta. Shkarkimi i Nanos nuk ishte një lajm për diplomacinë amerikane në Shqipëri. Ambasada Amerikane ka reaguar përmes një postimi të shkurtër në Tëitter pas shkarkimit të Gledis Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. “I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara, si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, thuhet në postim. Më 18 gusht 2021 Ambasadorja amerikane Yuri Kim i dorëzoi një Çmim Vlerësimi Gledis Nanos, Drejtor i Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit Shqiptar, për “bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të Ambasadës Amerikane me Policinë e Shtetit Shqiptar për të luftuar terrorizmin global”.

Marrëdhënia me SHBA

Emërimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano ishte një emërim i bujshëm, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin një vlerësim për fiugurën e tij kur ai drejtonte Antiterrorin. Më 6 tetor Gledis Nano u bë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me propozim të Bledi Çuçit dhe në mungesë të kryeministrit Edi Rama  i cili ndodhej në Slloveni. Ky emërim ishte një bekim mes politikës dhe diplomacisë. Në ceremoninë e marrjes së detyrës ka marrë pjesë dhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, e cila kishte një vlerësim maksimal për figurën e tij kur ai ishte drejtor i Antiterrorit. Vetëm një muaj pasi ai u emërua si kryepolic, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi një takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Ky i fundit pas takimit me ambasadoren e SHBA deklaroi se takimi ishte në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë e SHBA për rritjen e sigurisë mes dy vendeve. “Sapo zhvilluam një takim me ambasadoren. Takimi u krye në kuadër të bashkëpunimit që policia ka me agjencitë e SHBA. Janë partnerë strategjik dhe kemi mbështetjen kryesore të policisë se shtetit për trajnime, asistencën logjistikë e konsulencë. E vlerësoj këtë bashkëpunim e mbështetje. I sigurova që policia do të jetë në nivelet më të larta të performancës për të luftuar krimin e korrupsionin”, deklaroi Gledis Nano më 4 nëntor 2021. Ai ka kërkuar nga ambasadorja e SHBA mbështetje për Policinë sepse kjo është një luftë, e cila nuk mund të bëhet e vetme. “Kërkova mbështetjen për policinë. Kjo është jnë luftë që nuk mund të bëhet vetëm, jam I bindur që bashkë do ia dalim për të pasur rend dhe siguri më tepër në vendin tonë dhe për të mbështetur edhe ne SHBA-në në jetën e qytetarëve amerikanë”, theksoi Nano.

 

Ngjarjet që “fundosën” Nanon

 Gledis Nano u emërua në krye të Policisë së Shtetit në 6 tetor të vitit 2021. Ai pati mbeshtetje politike, por edhe diplomatike. Në muajt e parë në krye të Policisë së Shtetit, u vu re se kishte një koordimin të mirë më SPAK ku pati disa arrestime zyrtarësh për çështjen e inceneratorëve. Në 29 mars të këtij viti do arrestohej Nuredin Dumani, një personazh që kishte informacion të dorës së parë për grupet kriminale në vend. Ai u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe mbi dëshminë e tij u arrestuan dhe shpallën në kërkim personazhe që konsiderohehsin të paprekshëm. Por operacioni “Plumbi i Artë” u dekonspirua dhe shumica e personazheve nuk u arrestuan, ndër ta edhe Ervis Martinaj. Ky i fundit, sipas Dumanit kishte porositur vrasjen e Endrit Dokles, një tjetër personazh i njohur, ish- anëtar i bandës së Durrësit, i liruar dy vitë më parë nga burgu. Korriku i këtij viti do ishte mjaft i vështirë për Policinë e Shtetit. Në 17 korrik, në Fushë Krujë do të ekzekutoheshin Diklen Vata, Arbër Hoxha dhe Brilant Martinaj. Ky i fundit ishte kushëri i Ervis Martinaj, kjo ngjarje shënoi nisjen e një serie sulmesh. Në 22 korrik, në Milot vritet Klisman Preçi dhe plagosën Ylli Brahimi, edhe këta të fundit lidhje e Ervis Martinaj. Në fillim të gushtit, familjarët e Ervis Martinaj do të kallëzonin në polici zhdukjen e tij. Sipas tyre, ata kishin frikë se diçka i kishte ndodhur atij për shkak se kishin ditë që nuk komunikonin më të. Shumë versione janë hedhur për zhdukjen e tij nga eleminimi fizik deri tek një inskenim. Në 23 gusht do arrestohej efektivi Jeton Lami i cili ishte shoqëruesi Ervis Martinajt pak para se të zhdukej. Ende sot, nuk ka asnjë informacion zyrtar që konfirmon nëse bosi i lojërave të fatit eshte gjallë apo ka vdekur. Një ngarje e cila rëndoi shumë pozicionin e Gledis Nanos në krye të policisë ishte vrasja e 7-vjeçares në plazhin e Potamit nga një skaf. Mjeti lundrues drejtohej nga punonjësi i policisë, Arjan Tase i cili sot ndodhet pas hekurave. Në 18 gusht, në Vlorë do vriteshin në një atenat mafioz Shpati Lena dhe Eduard Xhezo, ngjarje e pazbardhur nga policia.

 Kush është Gledis Nano?

Gledis Nano është emëruar zyrtarisht drejtor i Policisë së Shtetit i cili mbante postin e drejtorit të Anti-Terrorizmit. Kjo erdhi pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Nano ka qenë një prej zyrtarëve të Policisë së Shtetit më të përfshirë në çështjen e riatdhesimit të familjarëve të luftëtarëve shqiptarë të ISIS, të mbetur në Siri. Për këtë përpjekje, në muajin gusht 2021 ai u vlerësua edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim me një çmim. Gjatë gjithë drejtimit dhe funksioneve të tij në Policinë e Shtetit, Nano nuk është akuzuar nga opozita, pasi ka mbajtur gjithnjë një profil profesional dhe ka qëndruar larg politikës. Në shkurt 2020, Nano i kaloi të gjitha shkallët e Vettingut, duke rezultuar pa probleme me pasurinë, në aspektin moral dhe atë profesional, duke marrë dritën jeshile nga Komisioni i Jashtëm i Kualifikimit në polici për të vijuar detyrën. Gledis Nano u emërua në detyrën e  kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e Policisë së Shtetit. Në vitin 2013, ka kryer hetimet e dosjes së “Imamëve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin. Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit në janar 2020 të diplomatëve iranian nga Shqipëria. Për vetë postin e rëndësishëm që ai mban në krye të Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano është trajnuar gjatë të gjithë karrierës së tij nga agjencitë më prestigjioze ligjzbatuese perëndimore dhe në 2017-n është  diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI në Quantico Virginia.