Mahsa Mohebali gjendet në studion e saj në Teheran, ku po punon mbi një skenar. Shkrimtarja iraniane është ndër më të njohurat në nivel ndërkombëtar, asnjëherë nuk e ka ndrydhur zërin, e mbi të gjitha të shkruarin, pavarësisht censurës.“Sa herë kthehem në Iran, pasi kam qenë jashtë, më kap një ankth nga i cili për sa të jem gjallë nuk do të mund të dal dot. Deri tani kam rezistuar, por nuk e di edhe për sa do të mund të jetoj këtu.
Të shumtë kanë qenë ata që si unë kanë thënë se nuk do të largoheshin kurrë, por në fund e bënë. Ose janë larguar, ose janë duke u larguar, ose si unë presin të kuptojnë derisa mund të rezistojnë”. Pasi ka rrëfyer aventurat e një vajze toksikodipendente në Teheranin e kërcënuar nga tërmeti në bestsellerin “Mos u shqetëso”, kësaj here rikthehet me “Vajza nga Teherani”.
Si është Irani që shihni këto ditë jashtë studios suaj?
Ndihet një atmosferë zemërimi. Është një moment shumë i vështirë. Në nëntor shumë të rinj u arrestuan dhe u vranë gjatë protestave kundër rritjes së çmimeve të konsumit dhe shtimit të çmimit të benzinës. Kësaj tragjedie iu shtua edhe ajo e goditjes së avionit ukrainas. Ishin ndoshta ditët më të errëta që pas përfundimit të luftës me Irakun. Madje, edhe më të errëta se manifestimi i valës jeshile të 2009-ës dhe ajo e universiteteve të vitit 1999.
Për “Corriere della Sera” në vitin 2017 deklaruat se ndiheni “krenare për politikën e Iranit kundër Amerikës”. Ndani ende të njëjtin mendim?
Marrëveshja bërthamore mes Ruhanit dhe Obamës po hapte një të ardhme pozitive për marrëdhëniet mes Iranit dhe pjesës tjetër të botës. Por me ardhjen e Trampit u detyruam të rishihnim pozicionin tonë. Shpresat e atyre që besonin në një rindërtim të marrëdhënieve diplomatike, tregtare dhe kulturore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ndryshuan në mënyrë drastike. Me sa duket, ka nga ata që përpiqen të ndalojnë dialogun.
Po për “Corriere”, në vitin 2016 tregonit se sapo kishit përfunduar një roman për të cilin punuat 6 vite. Thatë se nuk kishit mundur të gjenit një botues iranian që t’ia propozonte Ministrisë së Kulturës. Ai libër ishte “Vajza nga Teherani”. Si shkoi?
Siç e prisja. Në Iran asnjë botues nuk ishte i gatshëm t’ia paraqiste librin Ershad-it, zyrës që na jep lejen për publikim. Pas një kohe pritjeje u mërzita duke e mbajtur librin të mbyllur në sirtar. Asgjë nuk më ndalonte ta publikoja diku tjetër. Por për sa ta publikoja diku larg kur mund ta bëja këtu pranë, në Afganistan, aty ku flitet gjuha jonë dhe nuk ke nevojë për leje?
Takova Zariabin, botuesin që ka botuar përkthimin në persisht të “Lolitës”. Pranoi menjëherë dhe e botoi pa i modifikuar një presje. Një mijë kopje qarkulluan mes miqsh dhe shpejt libri mbaroi. Tani që është ribotuar, janë të shumtë ata që më pyesin dhe më kërkojnë ta lexojnë. Me shumë vështirësi mundem t’ua gjej e t’ua jap. Mos më pyet se si.
Si ka ndryshuar marrëdhënia juaj me censurën, kur ishit një shkrimtare e re dhe sot?
Gjithnjë jam munduar të mos bëj pakte. Por vetëm kur vendosa të mos kërkoja më leje për librat e mi, kuptova se sa e madhe ishte autocensura brenda meje.
Keni krijuar një personazh moskokëçarëse, pa filtra, një grua të re. Jetët e sa grave keni përdorur për t’i dhënë jetë Elhamit?
Elhami është një personazh shumë i përhapur në Iran. Vajza klasike të cilës i kërkohet vetëm të jetë e bukur. Njerëzit i buzëqeshin dhe e ironizojnë, e gjykojnë sepse mendojnë se e kanë marrë në punë vetëm për pamjen e saj. Provova të bëhesha njësh me të, ta ndaloja dhe të mos e shihja si një stereotip. Nuk thotë asnjëherë “unë”. Thotë: “shko, vrapo, realizo”, sepse ndodhet e përfshirë në këtë mekanizëm që e do gjithnjë gati, të marrë urdhra.
Asnjërit nuk i intereson e shkuara e saj, e megjithatë, pikërisht aty fshihet arsyeja që e ka bërë të jetë e tillë. Ndihet fajtore për zhdukjen e të atit dhe ndihet në borxh me familje. Përqendrohet mbi të mirat material sepse është gjithmonë në kërkim të të dhënave për të plotësuar tablonë. Tregon kujdes ndaj detajeve, dëgjon, vëzhgon, ka intuitë dhe analizon. Kur nuk mund të kesh besim te të tjerët, pamja fizike, paratë, veshjet, objektet kthehen në një mjet për të mbërritur te e vërteta.
Dhe sa nga vetja juaj, një 30-vjeçare, gjendet te protagonistja e romanit?
E kam humbur tim atë në moshën 27-vjeçare. U largua papritmas dhe nuk pata kohë ta përshëndesja. Pas 20 vitesh, ende nuk e kam pranuar këtë fakt. Fjalë të pathëna. Të vërteta të pashprehura. Mendoj që kjo traumë i ka dhënë formë librit.
“Teze Minu qëndron mënjanë. Çizme me taka të larta, syze dielli, shami koke me dantellë”. Duke lexuar këto fjalët tuajat, më vijnë në mendje gratë iraniane para vitit 1979. Çfarë efekti ju bën fakti që sot këto imazhe janë provë e dukshme e humbjes së lirisë së grave?
E vërteta është që grave iraniane u janë mohuar shumë të drejta që diku tjetër as që imagjinohen. Të ngasësh biçikletën, të hysh në stadium, të kesh kujdestarinë e fëmijëve, të kesh të njëjtën pjesë të trashëgimisë sitë afërmit meshkuj. Heqja e perçes është kthyer në një mënyrë pretendimi, për t’i pasur të gjitha nën një simbol.
Thënë kjo, fotot e patinuara të Iranit para revolucionit që qarkullojnë shpesh në rrjetet sociale nuk janë një imazh real i shoqërisë së atëhershme. Janë vetëm një rreth i ngushtë, një klasë e mesme urbane, laike e dhe të kamur që bënin piknik në bregun e Kaspikut dhe që u lejonin vajzave të mbanin minifundin. Edhe para revolucionit nuk mund të dilje e veshur kështu në provincë apo në lagjet popullore të Teheranit.
Çfarë ndien sot një iraniane teksa sheh ato foto?
Pjesa më e madhe e grave iraniane nuk e vë perçen në shtëpi, e mban vetëm kur del në rrugë. Nëpër festa, takime familjare ose për një takim, vajzat vishen njësoj si bashkëmoshataret e tyre në pjesën tjetër të botës. Festat e tyre nuk kanë asgjë ndryshe nga ato që bëhen në Los Anxhelos. Festat u japin ndjesinë se luftojnë për lirinë. Trukohen, vishen në një mënyrë që në dukje dhe në formë respekton ligjet islamike, por që në të vërtetë janë veshje tmerrësisht seksi… të gjitha këto janë një mënyrë për të shprehur mospajtimin.
Truku dhe sensualiteti që kaq shpesh përdoren për të stereotipizuar gratë, këtu janë një formë proteste. Sa më shumë trukohesh, aq më shumë je seksi dhe aq më shumë shpreh kundërshtitë e tua ndaj pushtetit. Irani është i kthyer përmbys. Pjesa më e madhe e vajzave nuk ka besim në bukurinë e tyre natyrale dhe atëherë ribën hundën, mollëzat, buzët. Bëjnë tatuazh vetullat, bëjnë thonjtë, vënë lente me ngjyra. Jemi një nga vendet me përdorimin më të lartë të kirurgjisë estetike dhe të artikujve të bukurisë. Kjo, sepse duam të jemi të lira, kupton? Është pak e komplikuar.
Mendoni se protagonistja juaj e re mund ta frymëzojë gjeneratën e re në vendin tuaj?
Mund të kuptohen shumë gjëra nga një tekst edhe nga mënyra se si nuk është shkruar. Unë mundohem të shmang zbukurimet. Nuk më intereson të përdor një gjuhë të zgjedhur apo të rëndë, madje as të frymëzoj dikë. Një roman ekziston mbi të gjitha për t’u lexuar, edhe kur provokon zemërim ose emocione aspak qetësuese. Shpresoj që lexuesve t’u lindin pyetje mbi lirinë dhe të shohin të shkuarën.
Në Bibël, gruaja e Lotit transformohet në një statujë kripe sepse sheh mbrapa, edhe pse e kishte të ndaluar. Sot kemi vendosur ta injorojmë të shkuarën, disa madje më duket se preferojnë edhe ta harrojnë. Por ndiej se në të pandërgjegjshmen kolektive ka një nevojë të madhe për të kujtuar. Por përse ka kaq shumë pengesa që e ndalojnë? Vërtet mund të ndodhë që nëse shohim pas, mund të kthehemi në statuja kripe?
Nga Marta Stella, “Corriere della Sera”
Përgatiti: Ariola Hekurani