Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias thotë se procesi i përmbylljes së marrëveshjes për çështjen e Detit me Shqipërinë mund të shërbejë si shembull për Turqinë.
Në takimin me kreun e qeverisë, Edi Rama që ndodhet në Athinë për të marrë pjesë në forumin ekonomik të Delphit, Dendias u shpreh i lumtur se Shqipëria ka rënë dakord në parim për marrëveshjen.
Po ashtu shtoi se draft projekti do të të specifikohet ditët në vijim dhe do t’i dorëzohet më pas Shqipërisë.
Dendias nuk la pa përmendur edhe miqësinë e Ramës me Erdogan duke thënë se të njëjtën marrëveshje që po bëjnë me Shqipërinë, do ia propozojnë edhe Turqisë. Sipas ministrit grek, Greqia nuk e ka në plan që të acarojë marrëdhëniet me Turqinë duke shpjeguar se cështja do të zhbllokohet.
“Të mos harrojmë se Edi Rama është mik i ngushtë i presidentit Erdogan, Shqipëria është vend mik i Turqisë. Unë besoj se mund të jetë njësoj vend mik edhe i Greqisë.
Nuk e konsideroj një lojë të zhumëzuar me zero. Por Shqipëria, mikja e Turqisë, ra dakord, bëri marrëveshje pikërisht me të njëjtin propozim që i bëmë dhe Turqisë. Mendoj se ky fakt duhet të jetë qetësues për palën turke, përsa i përket qëllimeve greke”, tha Dendias.
I pyetur për njohjen e Kosovës nga Greqia, ai ka theksuar se është pjesë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve Beograd-Prishtinë dhe ka theksuar se Greqia dëshiron të luajë një rol pozitiv në këtë drejtim.