Nga Plator Nesturi
Në një shoqëri demokratike shanset për të qenë në krye dhe për të qeverisur, vështirë ndodh të jepen për herë të dytë. Kjo pasi sistemi garanton rolin e forcave politike për të garuar me ide e platforma të cilat vlerësohen nga tregu i votës se kush do të dalë fituese. Personazhet që janë në krye mbeten imazhi i përkohshëm politik përderisa partia a koalicioni rezulton fitues i vullnetit popullor dhe më tej kryetarët janë të këmbyeshën. Interesat e një familje politike e kërkojnë që partia e tyre të jetë një alternativë pushteti, e kjo nuk mund të garantohet nga ego e sëmurë e njëshit për të qëndruar përherë në krye, përderisa elektorati e ka rrëzuar një herë me votë. Ndaj çdo tentativë për tu mbajtur me thonj pas karrikes partiake veç do të thyente këmbërt e fronit të pushtetit që synon çdo forcë politike. Nëse këto sentenca demokratike janë ende të çuditshme në realitetin shqiptar, atëherë kot çuditemi që një garë elektorale, qoftë kjo edhe vendore, të ketë kaq të stampuar debatin politik edhe imazhet e liderëve të forcave në garë. Kot çuditemi që në vend të platformave për interesat e komuniteteve të veçantë, konkurenca e vërtetë qëndron në posterat bardhë e zi midis të ardhmes dhe të shkuarës. Puritanizmi i njollosur se po përdoret me tepri nga Rama fotot me fytyrat pa pigment ngjyre të Metës dhe Berishës, ha shumë logjikë kur në fakt janë këta dy personazhe oferta politike e përhershme që ka opozita. Një një garë përdoren të gjitha armët dhe argumentet për të qenë fitues. Ndaj nëse argumenti se kjo dyshe i përket të shkuarës ka dalë triumfues në shumë zgjedhje rradhazi, atëherë pse mund të rezultojë sërish e vlefshme edhe në këto zgjedhje. Pyetja madje mund të shtrohet ndryshe: çfarë pret kjo opozitë të jetë konkuruese kur me këtë dyshe mbi krye veç ka vjelur dështime elektorale? Deri pak kohë më parë në analiza politike theksohej se dobësia e politikës në këto zgjedhje vjen prej krizës së gjatë dhe përcarjes së saj. Ky është vetëm një element, pasi pjesa më e zhurmshme e opozitës ka ende në krye të njëjtët imazhe të konsumuara e të zbardhura nga dielli prej kohësh. Problemi më i thekshëm që ka opozita është që ende nuk po ndahet me të shkuarën e vet. Dhe ca më keq akoma që këtë të shkuar ia servir për të ardhme shqiptarëve në zgjedhje. Si mund të pretendohet tu japësh të ardhme qytetarëve kur vetë të ardhmen e partisë së tyre e ka kapur për gryke e shkuara e saj dhe se lëshon?
Kur Escobar deklaroi dje se shqiptarët duhet të votojnë të ardhmen dhe jo të shkuarën, këtë e bëri i çuditur kur dyshja Berisha – Meta mbeten pjesë relevante e opozitës. Sado që ngjan si një përsëritje e motos elektorale që ka lançuar PS: “Jo Prapa, vetëm Përpara”, në fakt përbën paradoks që në një vend demokratik, opozita të ofrojë për zgjidhje të shkuarën antike të saj. Për çdo kënd me mend në kokë, Berisha nuk mund të votohet jo pse është Non Grata, por thjesht se është një e shkuar muzeale e që nuk mund ti përgjigjet si zgjidhje realiteteve të reja të shoqërisë e demokracisë shqiptare. Nuk mund të votohet dhe për faktin se ka zënë peng dhe zhvillimet brenda forcës politike që ka kontribuar me të mirat dhe të metat e saj në zhvillimet e tranzicionit në këto 30 vite. Nuk mund të votohet as nga vetë demokratët madje, se me të as që mund të mendojnë se mund të jenë dhe në të ardhmen një alternativë pushteti siç jemi mësuar ta shohim ish PD-në në çdo zgjedhje. Ndërsa jemi në kulmin e fushatës elektorale dhe për shumë militantë opozitarë, të demoralizuar prej 10 vitesh në dështime elektorale, u duket ende një çudi që sondazhet I nxjerrin sërish humbës përballë një maxhorance që ka bërë dekadën në pushtet, mjafton ti përgjigjen logjikshëm e ftohtësisht një pyetjeje të vetme? I ndihmon apo u prish punë imazhi i Berishës dhe Metës kandidatëve të tyre për kryetarë bashkie në fushatën elektorale? Dhe në korrelacion me të: Po Rama si qëndron në raport me këtë dyshe bardhë e zi përballë elektoratit, dhe përbën pengesë apo u ngre pikë kandidatëve të tij për kryetarë në këtë garë? Në një betejë nuk mund të kesh shanse fitoreje kur tërheq pas vetes dy gjyle të lidhura me zinxhirë pas këmbëve. Në betejë të japin besim asete të reja për kalorës kampionë, e jo imazhe të rrënuara me skema të vjetëruara e sklerotizuara. Gjithkush bën llogaritë e veta, herë me ftohtësi e herë me pasionin e verbër të militantit. Por fati i betejës duket i paracaktuar. Nga Vlora do të thoshin: Ju rruaçin këto asete që keni.