“Na duhet një nëntor i tretë”/ Këlliçi jep mesazhin e fortë në Ditën e Pavarësisë

Ish-deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, ka dhënë mesazhin e fortë në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Përmes disa rreshtave ku ndërthur pak histori dhe pak kujtesë, Këlliçi më tej thekson se Shqipërisë i duhet një nëntor i tretë.

“Për këtë duhet të punojmë të gjithë, duke ndihmuar e respektuar njëri-tjetrin. Urimi më i mirë për kombin është të ndihmojmë bashkëkombësin tonë kudo e hasim”, nënvizon Këlliçi në mesazhin e tij.

Për flamurin dhe lirinë janë vrarë të parët, janë ndarë familjet këtej e andejmi kufijve. Për Shqipërinë dhe flamurin janë shekuj gjaku e vuajtjesh.

Sot shqiptarët nëpër botë kanë shumë pasaporta, flasin shumë gjuhë dhe kanë shumë parti, por flamur vetëm një.

Flamuri dhe vetëm flamuri i Shqipërisë i përfaqëson shqiptarët, i mbledh bashkë grusht, i bën t’ia marrin valles dorëpërdore e të harrojnë mëritë, mllefet e zënkat që fort na kanë lodhur.

Na duhet një nëntor i tretë, po për këtë duhet të punojmë të gjithë, duke ndihmuar e  respektuar njëri-tjetrin. Urimi më i mirë për kombin është të ndihmojmë bashkëkombasin tonë kudo e hasim.

Uroj t’i japim shtetit amë një projekt, një drejtim më të mirë, një mundësi për t’i bërë krenarë të gjithë bashkëkombasit tanë!

Ju uroj të gjithëve t’i kaloni gëzuar festat e nëntorit! Shëndet, dashuri e begati në vatrat shqiptare!”, shkruan Këlliçi./  S.M