Në vitin 1999 ka ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Për 78 ditë me radhë, NATO-ja ka bombarduar caqet e ushtrisë së atëhershme serbe. Pas tërheqjes së saj nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja ka zbarkuar me misionin e saj paqeruajtës KFOR, të përbërë prej më shumë se 50.000 ushtarësh.
“Ne do të krijojmë një prani ushtarake, e cila do të garantojë mjedis të sigurt për kthimin e të gjithë refugjatëve dhe për të gjithë ata që janë të pastrehë brenda vetë Kosovës… Ne do të merremi direkt dhe me vendosmëri me secilin që përpiqet të na pengojë në arritjen e kësaj”, ka thënë atëkohë komandanti i NATO-s për Kosovën, Michael Jackson.
Që atëherë, KFOR-i është zvogëluar në pak më shumë se 3.700 ushtarë vitin e kaluar. Sot numëron mbi 4.600. Trupat janë shtuar këtë vit, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjithsej 4.687 trupa, nga 27 vende të botës, shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Gjatë tetorit, KFOR-it, që udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutash, iu bashkuan 134 trupa shtesë nga Rumania, dhe 200 pjesëtarë të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar. NATO-ja, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numëronte 3.762 pjesëtarë në Kosovë, e ka arsyetuar shtimin e pranisë me tensionet e rritura në veriun e banuar me shumicë serbe.
Aleanca ka dërguar qindra forca shtesë pas trazirave që ka shkaktuar instalimi i kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri – me ç’rast janë plagosur edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it – si dhe pas incidentit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic./kb