Veto e Greqisë, Rama e konsideron si ngërç momental

Kryeministri Edi Rama në një konferencë shtypi të mbajtur ditën e djeshme u ndal në procesin e integrimit të vendit.

Rama tha se “veto” kundër e Greqisë, është çështje mes dy vendeve dhe nuk duhet të ndikojë për ecurinë e vendit tonë në procesin e hapjes së negociatave me BE-në.

Marrëdhëniet e ftohta me Greqinë, hetimi i nisur nga SPAK për koncesionin e inceneratorit të Tiranës por dhe pezullimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët, Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe këto ishin dhe pikat që diskutoi kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp që organizoi dje me gazetarët në Tiranë.

Një nga pikat e deklaratës së përbashkët të miratuar në Bruksel ishte dhe gjetja e zgjidhjeve për atë që vetë Rama e etiketoi si ‘dallime aktuale’ Shqipëri – Greqi.

Rama tha se në Bruksel kishte bërë të qartë se mosmarrëveshjet me Greqinë pas çështjes së Fredi Belerit do e zgjidhin mes tyre dhe se është e paarsyeshme të ndikojnë procesin e integrimit të një vendi në negociata. “Dallimi aktual mes nesh e Greqisë kam nënvizuar se kjo është çështje mes nesh dhe duhet ta trajtojmë mes nesh.

Si Shqipëri ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me Greqinë që është partner strategjik dhe vend fqinj që duam të thellojmë bashkëpunimin dhe forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka na takon ne. Ne duam të jemi një vend europian në BE, jo një shtet ballkanik në BE”, tha Rama.

Marrëdhënia me Mitsotakis

Një koment e dha dhe për takimin e ftohtë në Bruksel me kryeministrin grek. “Me kryeministrin Mitsotakis s’kemi asnjë gjë personale dhe përkundrazi edhe biseda e djeshme ka qenë shumë bisedë miqësore. Secili ka opinion e vetë, por kjo nuk është një arsye për të kaluar nga kufijtë e një problemi që duhet trajtuar, tek gjithë horizonti i një marrëdhënieje dhe për të hedhur në erë të gjithë marrëdhënien”, tha Rama.

Inceneratorët

Sa i takon hetimit të nisur lidhur me inceneratorin e Tiranës, Rama hoqi përgjegjësinë dhe rezervoi të drejtën të flasë pasi gjykatat të kenë dhënë verdiktin final. “Unë nuk jam llogaritar, por jam kryeministër i Shqipërisë. SPAK është organi i akuzës, gjykata është organi që vendos, dhe midis akuzës dhe vendimit ka një proces të tërë, që nuk është proces ku përfshihet qeveria, por prokurorët të akuzuarit avokatët gjykatësit.

S’është pyetje për mua… Kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkulatricet folklorike.  Ju më bëni pyetje që nuk janë fare në sferën e kompetencës time dhe e përsëris, unë nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulimet e natyrës mediatike, në kalkulimet e natyrës politike, në kalkulimet e natyrës jo aritmetike që vijnë për arsye të ndryshme.

Lexo edhe :  Me kastravec e “burrin” e Diellës në Kuvend! Korreshi: I kam nisur këto para Dash Sulës

Është e drejta e të gjithëve të bëjnë kalkulime. Nuk ndodh në qeverinë time qysh prej 10 vjetësh që unë të imponoj futjen e çfarëdo vendimi që vjen i pasheshuar nga gjithë mekanizmat e diskutimit dhe të negocimit, ballafaqimit dhe ridiskutimit mes të gjitha palëve që do të thotë, në fund fare firma është thjesht dhe vetëm zbardhja e një vendimi që merret si rezultat i gjithë këtij procesi”, tha Rama.

Marrëveshja me Italinë

Kryeministri Edi Rama u tregua i kujdesshëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pezulloi ratifikimin e marrëveshjes me Italinë për refugjatët. “Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese është e sanksionuar në Kushtetutë. Fakti që Shqipëria ka një Gjykatë Kushteutese që merr vendime që mund të mos i shkojnë përshtat planit që ka qeveria është shumë mirë për Shqipërinë”, tha Rama.

Integrimi

Sa i takon integrimit të Shqipërisë, Rama ndau me gazetarët vlerësimin ‘shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë posaçërisht nga ana e Komisionit Europian;’ dhe u shpreh i vendosur se do të vijojë të kryejë detyrat e shtëpisë që Shqipëria të jetë gati para PO-së së Brukselit. Dhe inteligjenca artificiale do të vijë në ndihmë për të përshpejtuar procesin e përafrimit të legjislacionit shumë më shpejt sesa e ka bërë Kroacia.

“Kam bërë thirrje në këtë rast së bashku me presidenten e Kosovës që KiE të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës për arsye të njohura dhe të kuptueshme në atë kohë dhe ti japë Kosovës mbrapsht një vlerësim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit të Kosovës në qasjen ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, tha Rama. Shefi i Qeverisë tha se ka kërkuar në Bruksel më shumë fonde për Shqipërinë dhe vendet e Rajonit.

“Kam vlerësuar planin e ri të rritjes siç quhet, që është prezantuar nga i cili Shqipëria do të ketë një përfitim të rëndësishëm si mbështetje e drejtpërdrejtë financiare dhe si mbështetje në anën tjetër për sektorin e ekonomisë dhe kam kërkuar më shumë sepse eshtë shumë e qartë që kaq nuk mjafton.

Vendet e rajonit tonë nuk mund të rrinë midis gjithçkasë së një vendi anëtar dhe kësaj diçkaje shumë modeste të një vendi jo anëtar, por duhet të ndihmohen shumë më tepër, duhet të mbështeten shumë më tepër”, tha ai.