Shtatëdhjetë e pesë vota nga maxhoranca socialiste sollën miratimin në seancë plenare të enjten të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për masë sigurie arrest shtëpie ose arrest me burg për ish-kryeministrin Sali Berisha, zyrtari më i lartë në vend që përballet me ndjekje penale. Pas heqjes së imunitetit, do të jetë gjykata që do të vendosë se cila masë është e përshtatshme për këtë rast.
Kuvendi i Shqipërisë hoqi imunitetin e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha, një vendim që u miratua me votat e shumicës socialiste dhe që lejon sistemin e drejtësisë të vendosë një masë shtrënguese arrest shtëpie apo arrest me burg për të. Vendimi me 75 vota pro u zhvillua mes protestave të opozitës ndërsa vetë Berisha deklaroi se do të vijojë betejën e tij dhe i bëri thirrje ndjekësve të ndërmarrin protesta dhe mosbindje civile.