Diaspora “mësyn” parlamentin, politika kokëulur para tyre

Si rrallë është protestuar në ambientet e brendshme të Kuvendit. Dje aktivistë të shoqërisë civile kanë lëshuar një banderolë ku shkruhej për të votuar në zgjedhjet e 2025. Kjo nuk është pritur mirë nga punonjësit e Kuvendit që kanë ndërhyrë për t’i neutralizuar. Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka folur edhe ambsadori i BE-së por edhe Enkelejd Alibeaj

Diaspora ka vënë nën presion politikën shqiptare sa i takon votimit elektronik kudo ku ndodhen shqiptar për të ushtruar të drejtën e tyre Kushtetuese. Reforma Zgjedhore që është ende në tryezën e dy partive politike nuk ka vendosur akoma se ccfarë do të bëjnë me votat e Diasporës. Megjithatë dje në seancën plenare ka pasur thirrje sëbrendshmi. Në llozhë kishin shkuar përfaqësues të shqoërisë civile, të cilët gjatë seancës kanë shpalosur një banderolë ku lexohej “Votë 2025 të Diasporës”. Disa aktivistë të shoqërisë civile kanë hedhur letra në sallën e Kuvendit në shenjë proteste për moslejimin e votës së diasporës, duke i vënë deputetët në siklet. “Na keni gënjyer për 1 vit e gjysmë, s’po na lejoni të votojmë. Jeni 140 manekinë. Në Gjykatë të Hagës jeni të gjithë”, është shprehur një nga aktivistët. Ky grup i përbërë nga Elio Shyti, Arber Lleshi, Julian Kruja, Arlida Lleshi, kanë kërkuar nga deputetët të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar nga Kuvendi t’i japë dritën jeshile kësaj çështjeje. Më pas, gardistët i kanë nxjerrë jashtë sallës protestuesit. Vota e diasporës është një nga pikat kryesore të retorikës politike të mazhorancës dhe opozitës, ku të dyja kahet thonë se duan që emigrantët të votojnë, por nuk po bëhet asgjë në këtë drejtim.

 Reagimi i BE-së

Ambasadori i Bashkimit Europain Gonzato tha se BE është e qartë: kërkon zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Ajo që ne kemi thënë është që autoritetet shqiptare, parlamenti i Shqipërisë duhet të shohin rekomandimet e OSBE ODIHR dhe të ndjekë punën përkatëse në një mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse. Këtë u kemi thënë të gjitha palëve dhe shpresoj që mazhoranca e opozita do të arrijnë mirëkuptim. Është e nevojshme kjo. Ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që do të duhet të trajtohen. Nuk varet nga unë që diaspora duhet ta ketë të drejtën për të votuar apo jo dhe si do ta arrijë këtë gjë, se në vendet e BE kemi mënyra të ndryshme sesi është arritur kjo”, është shprehur ambasadori i BE-së. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj, paralajmëroi se do të depozitojnë padi në SPAK kundër Kuvendit për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës. Nga oborri i Kuvendit, Alibeaj tha se deputetet duhet të reagojnë dhe të gjithë qytetarët të jenë të barabartë. “Që nga ndryshimet kushtetuese të 2016-ës dhe ndryshimet ligjore një nga mjetet për moszbatimin e një vendimi gjyqësor në  këtë rast edhe të Gjykatës Kushtetuese është t’i drejtohemi SPAK-ut për të gjithë ata që kanë pasur detyrimin që brenda asaj koje Gjykata kushtetuese ia la këtij parlamenti dhe i la jo pak, por një vit 9 janar 2023-10 janar 2024. Ajo që duhet të bëjë politika duhet t’i nënshtrohet ligjit si gjithë qytetarët, madje politikës i takon më shumë se të tjerët që sa herë vihet në dijeni që ka shkelje ligjore, penale dhe në këtë parlament ndodhin çdo të enjte, do të duhet të bëjë detyrimin që bën çdo qytetar; t’i drejtohet institucioneve. Këtë duhet të bëjmë edhe ne”, është shprehur Enkelejd Alibeaj.

Lexo edhe :  Forbes Global Properties, kryeministri Rama: Çdo shqiptar me pronë, pas disa vitesh...

 Reagimi i PS

Deputeti i PS Denis Deliu ka komentuar ngjarjet në seancën e djeshme të Kuvendit, pjesë e të cilave ishte edhe banderola e ngritur nga aktivistë të cilët kërkojnë votën e diasporës. Ai u shpreh se fajtore për vonesën e votës për diasporën e ka PD e cila me mospraninë në komisionin e Reformës Zgjedhore, bëri që të dështojë puna e komisionit. Ai tha se mazhoranca ka vullnet për zbatimin e saj në 2025. “Ne si mazhorancë jemi dakord që mazhoranca të votojë.

Shpresojmë që ky votim në 2025 të arrihet që diaspora të marrë pjesë në zgjedhje, por janë disa pengesa. Pengesë në komisionin për Reformën Zgjedhore ishte Partia Demokratike, kjo e bën gati të pamundur edhe votën për 2025. Celibashi megjithatë tha dje që është mundësia që të përfshihet diaspora nëse partitë politike bien dakord. Mosprezenca e PD ka bërë që të dështojë puna e komisionit”, tha Deliu.

Noka në Kuvend me bluzën “Lironi liderin e opozitës”

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shfaqur në Kuvend me bluzën ku shkruhet “Lironi liderin e opozitës”. Nga Foltorja e Kuvendit, Noka ka se qeveria po përpiqet që të kapë reformën në drejtësi dhe këtë po e bën me skandalin që u regjistrua në provimin e magjistratëve të rinj. Sipas tij, ajo që ndodhi gjatë këtij testi, ku nga 70 fitues, lista u dyfishua të nesërmen në mëngjes nuk është gjë tjetër veçse një shkatërrim dhe kapje e sistemit të drejtësisë. “Të flasësh për këtë qeveri, çdo ditë është më e vështirë sepse kalojnë nga skandali në skandal. Është e vështirë që të kalojë një ditë pa dëgjuar që u plas një skandal. Skandali i Shkollës së Magjistraturës, aty ku duhet të formohen gjyqtarët dhe prokurorët, është një nga skandalet më të rënda që mund të ndodhë. Është praktikisht shkatërrim i sistemit të drejtësisë. Është praktikisht kapje e sistemit të drejtësisë. Sepse ata gjyqtarë dhe prokurorë që kalojnë te ajo shkollë, do jenë përjetë në ato karrige. Çfarë ndodhi? Në një moment që janë ulur 411 konkurrentë, në një sallë ku nuk kishte asnjë përfaqësues ndërkombëtarë, nuk ishin as pedagogët, por vetëm disa punonjës administrate, edhe ata kundër rregullores me telefona në dorë, u shpërnda teza. Në mënyrë të fshehtë dhe tinëzare, pa u njoftuar askush, spiuni i Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, vendos që testet të korrigjohen manualisht. Sipas tij, pajisja ka korrigjuar vetëm 96 pyetje nga 100 të testit. Kush e solli këtë pajisje? A u testua ajo? Askush nuk jep përgjigje. U shpallën nga 411, 79 fitues. Më pas, dy ditë mbrapa shtohet lista me 42 fitues të tjerë. Edhe ditën e tretë duhet shtuar lista se nuk u kënaqën patronazhistët e rilindjes. U shtua lista edhe me 10 të tjerë” tha Noka. Më herët, dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është parë me këtë bluzë, poshtë shtëpisë së ish-kryeministri Sali Berisha./kb