Tjetërsuan 7500 m2 truall, Prokuroria çon për gjykim 3 ish-zyrtarë

Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës Bërxullë dhe një shtetas, lidhur me një rast të tjetërsimit të një prone prej 7500 m2.

Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Komunës së Bërxullës, Ymer Marku, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci dhe Kujtim Balliu, specialisti i Z.M.M.T. Gjithashtu është firmosur arresti dhe për përfituesin e pronës, Kujtim Allmeta i cili, më pas e ka shitur sipërfaqen e tokës tek një kompani.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria bën të ditur se ndaj 3 ish-zyrtarëve rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa për qytetarin ajo e falsifikimit të dokumenteve

“Bazuar në veprimet hetimore, deklarimet e marra, provat e mbledhura dhe ekspertimi i kryer, prokuroria arriti në konkluzionin se shtetasi K.A. ka kryer krimin e falsifikimit me pasoja të rënda për personat e tretë. Nërpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ai është pajisur me çertifikatë pronësie për pasurinë në Bërxullë 7500m2 dhe më pas në vitin 2020 e shiti duke përfituar shumën prej 10.000.000 lekësh.

Po kështu, nga hetimet rezultoi se të pandehurit, shtetasit Y.M., K.B. dhe A.L. konsumuan veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ pasi kryen veprime në kundërshtim me ligjin. Këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. S.B