Dhe telashet nuk kanë të sosur!
Kjo mund të thuhet për banorët e Fushë Krujës, që pasi u izoluan për shkak të autostradës Thumanë-Kashar, e cila nuk ka asnjë nyje lidhëse (hyrje dalje) me rrugën e vjetër, tashmë duhet të paguajë një taksë po aq sa kalimi në autostradë, vetëm sepse mund të kalojnë në rrugën para një hoteli.
Trau i ri i vendosur tashmë është një tjetër izolim për banorët e Fushë Krujës. Izolimin e parë 85 mijë banorëve të Fush Krujës, Thumanës, Krujës, Niklës dhe plot fshatrave të tjerë ua dha si dhuratë Belinda Balluku, ministrja e Infrastrukturës, bashkë me institucionin e varësisë, ARRSH. Pavarësisht se projekti i autostradës së re 21 km parashikonte 4 nyje lidhëse me rrugën ekzistuese, në fund rezultoi se nuk kishte asnjë dalje apo hyrje në autostradë, çka solli edhe protestat e banorëve të zonës.
E vetmja nyje lidhëse është 23 km, pra dy km më poshtë se gjatësia e autostradës, ndërsa banorët të shqetësuar shprehen se po falimentojnë bizneset, janë të izoluar dhe kërkojnë zgjidhje.
E ndërsa prisnin një përgjigje, sot përballen me dhuratën e dytë, taksën që një biznes ua vendos për rrugëkalimin para biznesit të tij./E.T