Anëtari i kryesisë së degës së Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Shyqeri Mehmeti ka ndërruar jetë. Ky lajm është bërë publik nga ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj përmes një postimi në “Facebook”, ku shkruan se Mehmeti ka qenë njeri i drejtë dhe i guximshëm.
“Paska ndërruar jetë veprimtar i devotshëm i LDK-së dhe i çështjes kombëtare, Shyqeri Mehmeti. Shyqeri Mehmeti ishe disa vite kryetar i nëndegës së VI, si dhe shumë vite anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Ferizaj, një veprimtar i palodhshëm i situatave të vështira, njeri i drejtë dhe i guximshëm. Ishte disa mandate drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, me ç’rast u shqua si menaxher dhe organizator i mirë, duke u dalë në ndihmë të gjithë atyre që patën nevojë për shërbimet e këtij institucioni”,-shprehet ai.
Ndërkohë nuk dihet ende shkaku që i mori jetën zyrtarit kosovar./Fjala.al/