Ndahet nga jeta personaliteti i shquar i shkencës

U nda nga jeta profesor Mina Naqo, figurë e shquar e matematikës shqiptare dhe personalitet me kontribute të vyera në arsimin dhe shkencën kombëtare.

Mina Naqo, lindi më 12 janar 1939, në qytetin e Vlorës. Në vitin 1955 nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës në degën matematikë-fizikë, ku shkëlqeu.

Në vitin 1959 u emërua pedagog në Katedrën e Matematikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Karriera e tij u lidh ngushtë me Departamentin e Matematikës në Universitetin e Tiranës, ku për dekada me radhë shërbeu jo vetëm si pedagog, por edhe udhëheqës shpirtëror i brezave të rinj. Me qetësinë dhe autoritetin e tij shkencor, ai frymëzoi studentë e kolegë, duke u bërë figurë model për përkushtim, integritet dhe dashuri për dijen.

Si specialist i lëndës së statistikës prof. Naqo ka ndërtuar programe dhe ka mbajtur kursin përkatës edhe në universitete të tjera. Botoi librin “Hyrje në Statistikë me exel”.

Ai ishte autor dhe bashkautor i teksteve të shumta universitare dhe shkollore, të cilat për vite u shndërruan në bazë të formimit të mijëra nxënësve dhe studentëve shqiptarë. Me punën e tij kërkimore dhe botimet shkencore, ai la gjurmë të çmuara në zhvillimin e matematikës dhe në ngritjen e standardeve akademike në vend, shkruan atsh.

Me njohuritë e thelluara dhe kreativitetin e tij mbi teorinë e probabiliteteve ai përcaktoi temat e studimit dhe udhëhoqi në përgatitjen e disertacioneve një numër pedagogësh të matematikës në universitet. Ai dha kontribut në Akademinë e Shkencave, si dhe në institucione të tjera. /e.t