Japonia po hap kafene ku mund të shkosh për të qarë

Një fenomen i pazakontë po bëhet gjithnjë e më i përhapur në Japoni: ”Crying Café”, kafene të veçanta ku njerëzit, kryesisht gratë, shkojnë për të qarë dhe për t’u çliruar nga stresi i përditshëm.

Në këto ambiente, të shënuara me mbishkrime të tilla si “Negative people only” (vetëm njerëz negativë), vizitorët nuk gjykohen për lotët e tyre, përkundrazi, inkurajohen të shprehin hapur emocionet e mbajtura brenda. Ideja lindi si përgjigje ndaj niveleve të larta të presionit dhe izolimit emocional që përjetojnë shumë japonezë, veçanërisht gratë, të cilat ndihen më të ngarkuara nga ritmi i jetës moderne.

Një nga vendet më të njohura është “Bar Mori Ouchi” në Tokio, i cili prej vitit 2020 u ka hapur dyert vetëm atyre që ndihen të trishtuar dhe duan të shkarkojnë emocionet, gjithmonë duke shoqëruar momentin me një pije. Përveç kafeneve, edhe hotele të njohura japoneze kanë nisur të ofrojnë “dhoma të lotëve”, të menduara posaçërisht për gratë që kërkojnë një natë të lirë nga emocionet e shtypura, të shoqëruara me filma dramatikë dhe komoditet të plotë.

Ky fenomen lidhet edhe me një praktikë të njohur japoneze të quajtur rui katsu, që nënkupton “aktivitetin e të qarit”, shpesh i organizuar edhe në grupe ose ambiente pune, si një mënyrë për të pastruar mendjen dhe për të rigjetur ekuilibrin emocional.

Sociologët e shohin këtë si një “hapësirë çlirimi”, ku shoqëria japoneze, e mësuar të shtypë emocionet, po i jep më në fund vend edhe dobësisë njerëzore, sidomos tek gratë, që në mënyrë tradicionale kanë bartur peshën më të madhe të pritshmërive sociale.

Mbetet për t’u parë nëse ky trend do të arrijë të përhapet edhe në Perëndim, ku kafene dhe baret zakonisht lidhen me gëzim, shoqëri e festë, dhe jo me hapësira për lotë e trishtim.

Lexo edhe :  Pse gjermanët tani kanë frikë?

Burimi: Il Messaggero