Komunitetet fetare në Shqipëri janë kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të marrë miratim në Kuvend.
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Ortodokse e Katolike, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Vëllazërisë Ungjillore shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, që sipas tyre bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.
Në fokus të kundërshtimeve është përkufizimi i termit “gjini” si koncept gjithëpërfshirës dhe përdorimi i nocioneve si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, të cilat, sipas komuniteteve fetare, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësirë për keqinterpretim.
Përfaqësuesit fetarë theksuan rëndësinë e familjes tradicionale, të ndërtuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Ata kërkuan që projektligji të qartësojë përkufizimin e termit “gjini”, duke e lidhur me gjininë e përcaktuar në lindje, burrë-grua apo vajzë-djalë, në mënyrë që të respektohen parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Megjithatë, komunitetet fetare nënvizuan se kanë mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian. Ata argumentojnë se njohja tradicionale e dy gjinive nuk e pengon këtë proces, pasi shumica e vendeve anëtare të BE-së vijojnë të përdorin përkufizimin binar burrë-grua.
‘Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.
Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit’, thuhet në deklaratë.
Në fund, përfaqësuesit e feve i bënë thirrje institucioneve që të marrin në konsideratë shqetësimet e ngritura para miratimit të projektligjit.
Për të kundërshtuar këto terminologji, Grupi parlamentar i PD dorëzoi ne Kryesine e Kuvendit projekt Ligjin “Për një shtese ne ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, Për gjendjen civile, i ndryshuar”.
Kjo iniciativë, sipas partisë demokratike, ka për qellim te përcaktojë qarte e pa lëkundje qe në Shqipëri njihen vetëm dy gjini, burrë edhe grua, të përcaktuara qe ne lindje./E.T