Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, mjeku ligjor Naim Uka ndau disa nga përjetimet më të rënda dhe prekëse të karrierës së tij – përvoja që e kanë lënë shpesh pa fjalë, pa forcë e pa lot.
“Ka raste kur gjejmë ndonjë qoshe në dhomë dhe qajmë me lot rrëke”, rrëfen Uka me një ton të ngarkuar emocional.
Ai veçon veçanërisht rastet e të rinjve – djem e vajza që humbin jetën në mënyrë tragjike, shpesh për shkak të abuzimit me substanca narkotike.
“Vdekjet nga përdorimi i substancave narkotike janë bërë plagë e rëndë për rininë tonë. Ka ndodh që krejt ekipi me qajtë me zë në sallën e autopsisë”, tregon ai, duke theksuar peshën shpirtërore që mjekët ligjorë bartin çdo ditë, përtej raportimeve dhe analizave të ftohta.
Por për mjekun Uka, rastet më të vështira dhe emocionalisht rrënuese janë ato të personave të zhdukur – një plagë e hapur në shoqërinë kosovare që nuk shërohet as me kalimin e viteve.
Një moment që i ka lënë gjurmë të thella ndodhi më 2021, në Kizhevak, ditën kur shënohej përvjetori i vdekjes së nënës së tij.
Në atë ditë, ai ndodhej në terren duke punuar në ekzaminimin e mbetjeve skeletore të viktimave në një varrezë masive, kur ndodhi diçka e papritur.
“Pa kurrfarë paralajmërimi na kanë ardh familjarët e personave të zhdukur në vizitë dhe ka qenë vizita e delegacionit serbë, janë lidh emocionet e ndryshme, përvjetori i nënës e unë duke u munduar të gjejë edhe kockën më të vogël të mundshme në atë varrezë masive të Kizhevakut që kemi punuar me vite të tëra edhe kur vijnë pa asnjë pikë emocioni pala tjetër edhe mbajnë ders politik në atë moment.
Atë ditë për çudi ka rënë një shi i imët dhe na ka ndihmu me i fsheh lotët ”, rrëfeu Uka./e.t