Policia Rrugore ka njoftuar se këtë të enjte në orën 12:00 do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në të dyja kahet e autostradës A1, në zonën e Fushë Mamurrasit. Bllokimi do të zgjasë për rreth 15 minuta dhe ka për qëllim të sigurojë mjedisin e punës për personelin teknik që do të kryejë riparimet emergjente të linjës së energjisë elektrike.
“Qarkullimi do të bllokohet për rreth 15 minuta, për të garantuar sigurinë e personelit teknik që do të kryejë punimet për riparimin e linjës së energjisë elektrike që është ndërprerë për shkak të erës.“, thuhet në njoftimin e Policisë Rrugore.
Kjo ndërprerje e energjisë ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga era e fortë, ndaj dhe punimet janë të domosdoshme për rikthimin e shpejtë të furnizimit me energji.
Policia Rrugore apelon drejtuesit e automjeteve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe, duke iu kërkuar që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin devijimet e caktuara për të shmangur bllokimet dhe për të ruajtur sigurinë në rrugë./kb