Kush e vrau Edmir Bregun?/ Zbardhet roli i vëllait të deputetit të PS-së

Prokuroria e Posaçme ka bërë publike rezultatet e një hetimi të gjerë, i cili ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, të kryer më 21 janar 2021 në qytetin e Durrësit. Ngjarja, e cilësuar nga SPAK si vrasje me paramendim për motive hakmarrjeje, u hetua në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës, duke mundësuar identifikimin e autorëve dhe mënyrën e funksionimit të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, grupi kriminal nuk është përfshirë vetëm në vrasjen e Bregut, por edhe në një sërë veprimtarish të tjera të paligjshme, përfshirë mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve të zjarrit, falsifikimin e dokumenteve të pasurive të paluajtshme si dhe korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Hetimi i kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm ka dokumentuar se si ekzekutimi i Bregut ishte porositur në kuadër të një hakmarrjeje nga Astrit Avdyli, i njohur si një nga figurat kryesore të grupit Avdylaj, pas një tentative për vrasjen e nipit të tij. Bashkë me të, si drejtues dhe koordinator i grupit dyshohet edhe Aldo Avdylaj.

Në dosjen e SPAK përmendet edhe emri i Enea Kumes, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, i cili dyshohet të ketë ndihmuar grupin kriminal. Ndërkohë, si ekzekutorë të drejtpërdrejtë të vrasjes janë identifikuar shtetasit E.D. dhe A.D., ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.

Sipas SPAK, skema kriminale përfshinte jo vetëm porositjen dhe kryerjen e vrasjes, por edhe mekanizma për të manipuluar dokumente, për të fshehur pronësi pasurish dhe për të korruptuar zyrtarë publikë. Kjo e bën rastin një shembull tipik të funksionimit të grupeve të strukturuara kriminale që operojnë në vend.

Lexo edhe :  Tenderat/ Sa vite burg do të bëjë bashkëpunëtori i ish-kryebashkiakut socialist?

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa disa prej të dyshuarve janë tashmë të arrestuar dhe pritet që SPAK të bëjë publike masa të tjera sigurie në ditët në vijim./E.S