Arsyet pse Berisha zgjodhi Florian Binajn dhe jo Ermal Hasimjan

Nga Ergys Mërtiri

Për mua Florian Binaj është një djalë i mirë dhe i respektuar, një aktivist që mundohet të bëjë diçka për këtë vend. Por ai nuk është politikan dhe nuk ka mundësi të prodhojë dot as model e as ndonjë korrent politik. Pikërisht prandaj Berisha përzgjodhi atë, sepse nuk ka asnjë mundësi të krijojë ndonjë reaksion që mund ta eklipsojë sadopak.

Ermal Hasimja përkundrazi, është njeri që e njeh mirë politikën, ka parime, ka integritet dhe ka potencialin të prodhojë gravitacion. Ermali vjen në politikë, jo thjesht për një garë, por për të krijuar një rrugë të cilën ai do ta bashkëndajë me shumë të tjerë si ai.

Pikërisht prandaj Berisha nuk e do, sepse ai nuk pranon që dikush tjetër të ecë në rrugën e vet jashtë kontrollit të tij. Çdo rrugë që ka sadopak të ardhme e shqetëson në rrugën e tij pa krye e pa kthim.

Sigurisht, në kushtet ku është opozita, as Binaj e as Hasimja nuk do të fitojnë dot. Por Hasimja kish mundësi të ofrojë një vizion politik ndryshe dhe një korrent të ri në shkretëtirën e opozites. Ai po hynte në garë për ti dhënë jetë një projekti që do të vijonte edhe pas saj. Pikërisht kjo e penalizoi.

Berisha ka arritur në një nivel ku nuk ka më mundësi të bëjë sakopak mirë. I kërcënuar nga çdo grimce pavarësie, i zhytur në pervertimin e vet politik, ai është i detyruar të shkatërrojë çdo mundësi që i jepet opozitës për tu çliruar nga gërmadha ku ndodhet.

Berisha mbetet tashmë faktor regresiv që, jo vetëm nuk ngrihet dot për të mundur Edi Ramën, por pengon dhe shkatërron gjithçka tjetër që shfaq sadopak potencial për ta rivalizuar atë./kb