Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së 40-vjeccarit,Hekuran Billa, i cili u ekzekutua 2 ditë më parë te Komuna e Parisit në Tiranë.
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e Hekuran Billes, mbrëmjen e së enjtes. Hetuesit kanë identifikuar si autor të kësaj ngjarje të rëndë, Ndrek Markun, vëllanë e Prel Markut, i ekzekutuar nga 40-vjeçari në Angli në vitin 2006. Grupi Hetimor tregohet mjaft i rezervuar për shkak edhe se hetimet janë në vijim dhe nuk është e qartë nëse 34-veçari Marku ka qene autor apo ka porositur vrasës me pagesë për të marrë hakun e vëllait. Burime të sigurta policore, i thanë “Fjalës”, se Marku është shpallur në kërkim policor.
Kjo për shkak se 40-vjeçari, në vitin 2006, vrau në Angli me breshëri automatiku në një lokal Prel Markun, ndërsa la të plagosur tre persona të tjerë, Petrit Brahon, Agron Gjonin dhe Musa Rrahmanin. Policia në makinën e djegur gjeti një automatik MP5 me selenciator, i cili nuk ishte djegur plotësisht.
Ja si i shpëtoi 40-vjeçari burgut të përjetshëm
Hekuran Billa, i ekzekutuar në orët e vona të së enjtes, u lirua nga burgu më shkurt të vitit 2019. Ai u lirua nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, emri i së cilës kohët e fundit ka zënë faqet e para të gazetave dhe kronikave televizive, për ulje të dënimeve të personave që janë dënuar për vepra të rënda penale.
Sipas mediave angleze, 40-vjeçari i ekzekutuar në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, akuzohet për vrasjen e një 22-vjeçari dhe plagosjen e tre shqiptarëve të tjerë, në vitin 2006. Motivi i këtij krimi të rëndë dyshohet se është ndarja e territorit të rrjetit të prostitucionit, si dhe trafiku i drogës. Në atë kohë ai ishte 26 vjeç dhe krimin e kreu bashkë me Kujtim Spahiun, i cili vuan akoma dënimin me 33 vjet burg në Angli.
Në qershor të vitit 2007 viktima, që në atë kohë ishte vetëm 27 vjeç, u arrestua në vendin tonë, për veprën penale që kishte kryer në Angli, por për shkak se dy vendet nuk kanë pasur marrëveshje ekstradimi, autoritetet angleze sollën në vendin tonë vendimin, ku 40-vjeçari ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
“Shtetasi shqiptar Hekuran Billa pas disa konflikteve që ka pasur me disa shtetas shqiptarë që jetonin në Angli, në datën 14.10.2006 ka hyrë në një lokal në rrugën Park Royal dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Si rezultat ka mbetur i vrarë shtetasi Prel Marku dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit Petrit Braho, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani. Për këto fakte ai është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasjes” së shtetasit Prel Marku, është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë” ndaj shtetasve Petrit Braho, Agron Gjoni, si dhe është deklaruar fajtor për veprën penale “Plagosje me dashje për të shkaktuar lëndim të rëndë trupor”, për shtetasin Musa Rrahmani”, thuhet në vendim.
Pas një kalvari të gjatë gjyqësor, më 13 maj të vitit 2014, ky vendim u njoh nga gjyqtari Altin Abdiu. Por, në 20 korrik të vitit 2016 gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Lefter Jahaj, vendosi ta ndryshojë vendimin e Gjykatës së Tiranës për njohjen e burgimit të përjetshëm dhe dënimin e Billës përfundimisht me 25 vite burgim. Pas këtij vendimi Billa bëri kërkesë për t’u liruar me kusht, me pretendimin se ai kishte kryer 1/3 e dënimit.
Më 22 shkurt të vitit 2019, gjyqtarja Enkelejda Hoxha firmosi për ta liruar atë nga qelia, me argumentin se kishte pasur sjellje të mirë. Për të arritur deri këtu, në vendim thuhet se gjyqtarja u ndikua nga një raport pozitiv i burgut të Krujës dhe në një tjetër raport të shërbimit të provës. Një tjetër arsye, sipas gjykatës, ishte gjendja e rëndë ekonomike, pasi të ardhurat e vetme ishin pensioni i prindërve të tij, i cili nuk mjaftonte as për ilaçet e tyre, si dhe gjendja e rëndë shëndetësore e prindërve. Për prindërit ai kishte paraqitur edhe një raport mjekësor.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për të gjitha procedurat dhe për vendimin e gjyqtares Hoxha, për të cilën Ministria e Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin, pasi ka liruar personazhe të njohura, si Indrit Doklen e bandës së Durrësit, apo Genc Tafilin, i dënuar për vrasje.ka.ta/Fjala.al/