Rishikimi i buxhetit të 2020-s, Hoti u kërkon deputetëve të mblidhen

????????????????????????????????????

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të gjejnë mënyrë për të mbajtur seancën ku do të diskutohej dhe miratohej rishikimi i buxhetit për vitin 2020. Gjatë një vizite në Komunën e Suharekës, me rastin e nisjes së sezonës së korrje-shirjeve, Hoti tha që sa më parë nevojitet të kalojë buxheti në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të nisë zbatimi i masës për rikëmbjen ekonomike.

“Me këtë rast unë dëshiroj t’i lus sinqerisht të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët që të organizohen disi në këtë kohë të pandemisë – e di që disa prej deputetëve janë të prekur nga kjo, si dhe stafi i kuvendit – por, të gjejnë mënyra, të gjejnë forma se si mund të mbahet një seancë e kuvendit, që sa më parë të kalojë buxhetin, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë të lidhura me fondin për rimëkëmbje”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, ka vendosur një sërë masash për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit. Njëra nga këto masa është edhe ndalimi i grumbullimit të më shumë se 50 personave në çfarëdo ambienti.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka prezantuar më herët masat e rimëkëmbjes ekonomike, pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Fondi i rimëkëmbjes ekonomike është parashikuar të jetë mbi 380 milionë euro. Por, paraprakisht, duhet që buxheti i këtij viti të rishikohet dhe miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në qershor, deputetët dështuan që të ratifikojnë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare që do të mundësonin realizimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike. Këto marrëveshje janë në vlerë prej 253 milionë eurosh.

Lexo edhe :  Rama: 83 mandate, borxh i jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Banka Botërore, në një raport të saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë.

la.mi/Fjala.al