Kur Koliqi shprehej: Mbrohem si letrar, rrethanat më hodhën në politikë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rikthimi i Ernest Koliqit – Pjesë nga libri “Shkrimtari dhe anatemat”, Eurorilindja, Tiranë, 1995

Nga Petrit Palushi

Përsëri këtë vit shkollor Ernest Koliqi nuk u përfshi në programin dhe tekstet e letërsisë së shkollës së mesme, përsëri, pra, një heshtje e re, një heshtje në vazhdim të së vjetrës, një heshtje e pakuptueshme për njërin nga autorët e njohur të veprave letrare shqipe në vitet `30.

Koliqi, edhe pas ringjalljes së letërsisë së ndërprerë, shfaqet sërish në vitin 1995, i rrethuar nga një heshtje tjetër tronditëse dhe e pashpjegueshme, heshtje që mbështolli krijimtarinë e tij prej 50 vjetësh. Duke mos përfshirë krijimtarinë e Koliqit në tekstet e letërsisë së shkollës së mesme edhe në vitin shkollor ‘94-’95, autorët e hartimit të tyre plotësojnë shpërfillshëm një akt tjetër të rrënimit të letërsisë kombëtare dhe, gjithashtu, e paraqesin atë prapë me një fat të mbrapshtë dhe të trishtueshëm, atë autor për të cilin një shkrimtar tjetër i anatemuar dhe i veçantë, M. Camaj, do të shprehej se “Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare dhe themelues i prozës moderne”.

Megjithatë, pyetjet sillen dhe risillen te lexuesit shqiptarë: Cila është letërsia e vërtetë e Ernest Koliqit? Përse u desh të lante mëkatet në një gjysmëshekulli të vrenjtur për shqiptarët, ashtu si Fishta, Konica, Poradeci, Kuteli, Camaj apo autorë të tjerë të njohur? Cili është vendi i tij në ansamblin e shkrimtarëve të anatemuar dhe tashmë të ringjallur në krejt letrat shqipe?

Profecia e Ernest Koliqit

Në librin Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, shkrimtari I. Kadare ndër të tjera shkruan: “Në një nga veprat e tij (Koliqi – shënimi im, P.P.), dramën “Rrënjët lëvizin”, botuar në Romë më 1967, veprimi i së cilës ndodh në të ardhmen, diku në mes të viteve ’70, ai parashikonte përmbysjen e rendit komunist në Shqipëri, rihapjen e kishave dhe udhëtimin atje të vajzës së tij turiste, fill pas vdekjes së të atit dhe pikërisht ditën kur kambanat e kishave, pas heshtjes tepër të gjatë, po gjëmonin përsëri në Shkodër.

Nga të dy parashikimet u krye vetëm njëri: vdekja e tij, që ndodhi vërtet në vitet shtatëdhjetë”. Ernest Koliqi dha profecinë e tij n’atë kohë kur perandoria komuniste e ndiente veten në lulëzim të plotë në Shqipërinë e gjymtuar dhe më pak në vendet e Evropës Lindore. Ai parashikonte që përmbysja e komunizmit, që kish ardhur dhunshëm në skenën e historisë, do të ndodhte në mesin e viteve ’70, por në profecinë e tij Koliqi çuditërisht gaboi në pak vite.

Kjo profeci e tij, më tepër se gabim, mund të merret si një ngutje e tij, pra si një dëshirë e madhe e tij për të afruar vitet, për të parë sa më shpejt përmbysjen e komunizmit, largimin e një epidemie që kish sjellë dhimbje, fatkeqësi dhe tronditje te shqiptarët njëkohësisht. Ishte një dëshirë dhe një përfytyrim që të kryhej një korrigjim sa më i shpejtë në skenën e historisë, që të largohej trishtimi te shqiptarët, dhe ndërkohë, pas përmbysjes së komunizmit, por gjithashtu kur Ernest Koliqi ka vdekur prej 30 vjetësh, do t’ish mjaft komode dhe e arsyeshme që profecinë e tij të madhe (profeci për të cilën u sulmua jashtëzakonisht dhe u pa si një profeci si krejt absurde), ta përcillnim me një varg të Fishtës, të poetit tjetër të anatemuar, sikur të krijuar enkas për këtë profeci, dhe që do të mund të ruhej mbase për t’u vendosur mbi pllakën e varrit të Koliqit “Lehtë të koft’ mbi varr lëndina!”.

Ndërsa pozicionin e tij si shkrimtar pjesëmarrës në politikën e pati shpjeguar vetë Koliqi në vitin 1974, në revistën e tij Shejzat. “E njoh veten jo person politik që merret me letërsi, por letrar që rrethana të veçanta e hodhën në valët e politikës. Prandaj, mbrohem si letrar. Çka flitet për mue si njeri politik, nuk më bën as të nxehtë e as të ftohtë: jam vadit me at’ avaz. Nji gja më vjen keq e më prek se ndër shkrime në daç të nënshkrueme, në daç anonime ku unë sulmohem, të shumtën e herëve strapacohet ma tepër gjuha shqipe se personi im”.

Koliqi as i vrarë, as i varrosur

Ernest Koliqi, edhe pse duke qenë përnjimend shkrimtar i një tregimi origjinal në letrat shqipe, edhe pse i vendosur gjithashtu në hapësirën e një proze tërheqëse pranë Kutelit dhe Migjenit, përndjekja e emrit dhe e veprës së tij, denigrimi dhe përçmimi i tij, u bënë të zakonshme në vitet e diktaturës komuniste: cilësohet shkrimtar reaksionar kudo që shkruhet për të, ndërkohë që s’përmendet askund në Enciklopedinë Shqiptare (1985), dhe për pak iu zu fryma çdo gjëje të krijuar prej tij.

Nga ana tjetër, breznitë e maturantëve u përcollën me çka mësonin nëpër tekstet e letërsisë se Fishta, Konica dhe Koliqi ishin shkrimtarë reaksionarë, domethënë, shkrimtarë të atij formati që kishin shkruar tjetërndryshe. Ish e natyrshme që krijimet e këtyre autorëve, duhej të mbeteshin larg antologjive shkollore, duke u zëvendësuar nga autorë që kishin modeluar një letërsi të ngjyrosur. Por përveç këtyre, emri i tij përmendej shpesh pranë emrave të Fishtës dhe Konicës (dhe të tre, as të gjallë, as të varrosur), i rrethuar gjithashtu nga një heshtje makabre rreth veprës së tij. Me sa duket, një sulm i përnjëhershëm kundër të treve, një sulm i jashtëzakonshëm për t’i harruar, një goditje e vazhdueshme për t’i denigruar, një luftë përçmimi dhe, mbi të gjitha, një izolim pothuajse total për marrje fryme.

Dhe është e habitshme se në denigrimin e Koliqit dhe të autorëve të tjerë të shquar, morën pjesë shkrimtarë të talentuar dhe mediokër, siç morën pjesë edhe studiues që mjerisht mbase s’e kishin lexuar veprën e tij, apo edhe studiues të njohur, mbi të cilët rëndon një pjesë e madhe e fajit. Ridalja në skenë e shkrimtarëve të ringjallur shqiptarë pas thyerjes së komunizmit, sikur e lehtëson dhimbjen e lexuesit, pas asaj nate të gjatë dhe të mundimshme të ndërprerjes së letërsisë shqipe.

Një lehtësim i tillë filloi të bëhej i dukshëm, kur po zbukurohej bindshëm panorama me shkrimtarët e anatemuar, që tashmë po kthehej në një ansambël të shkrimtarëve të ringjallur: Fishta me enciklopedinë e tij të papërsëritshme dhe me renditjen e fjalëve në trajtën e harmonisë, F. Konica, si njëri nga lëvruesit e prozës moderne dhe të emancipueshme shqipe, E. Koliqi me konstruktin e veçantë të tregimeve dhe përkthimet fort të ndjeshme nga poetët e mëdhenj t’Italisë, apo veç të tjerash, N. Nikaj, autori i romanit të parë në gjuhën shqipe, që shfaqet me një rast të paimagjinueshëm dhe që i kalon të gjitha parashikimet, për burgosjen dhe terrorizimin e tij në moshën 82-vjeçare, dhe plot autorë të tjerë.

Por në këtë gjysmëshekulli, edhe pse duke mbetur të huaj dhe të panjohur nga lexuesit shqiptarë, shkrimtarë të tillë si, Fishta, Konica, Koliqi, Martin Camaj etj., prapë vepra e tyre na duket e afërt dhe e pranishme, edhe pse të mësuar me mospraninë e tyre ç’prej kohësh. Kjo tregon fisnikërinë e artit të tyre, sikur tregon gjithashtu, se vepra e tyre duke qenë larg lexuesit të gjuhës në të cilën janë shkruar, megjithatë ka qenë pranë tyre, dhe tani duke e pasur veprën e tyre, sikur qetësohen shpirtërat e njerëzve me shpresën e madhe dhe besimin njëkohësisht se s’do t’u ikë më nga duart dhe se do të fisnikërojnë shpirtin e tyre.

Ndërsa me 30 shtator 1991 në Tiranë krijohej PEN-klubi shqiptar, s’mund të mos kujtohej se në fillim të viteve ’70, Ernest Koliqi ka qenë zv.president i PEN-klubit botëror. Por kur do të fillojë të studiohet jeta e krijimtaria e Koliqit në shkollë të mesme, nxënësit e shkollave këtë gjë do ta përmendin pa frikën e ndëshkimit, ashtu siç kanë filluar të mësojnë dhe të përmendin plot gjëra të reja, të panjohura më parë, por të keqinterpretuara, pra plot gjëra për Fishtën, Konicën, Kutelin, Poradecin apo Camajn.

Tani lexuesi mëson të vërteta dhe njëkohësisht mëson të pavërtetat e tjetërsuara në të vërteta; mëson mbi veprën e kompletuar të M. Camajt dhe plotëson njohuritë e tij se profesorët E. Koliqi dhe Z. Skiroi në vitet ’60, përkthyen së pari në italisht veprën e tij. Por tashmë lexuesi me ridimensionimin e figurës së Koliqit, vëren se ajo del një figurë e plotë (tregimtar, poet, dramaturg, përkthyes, studiues i letërsisë, botuesi i revistës Shejzat në periudhën ’57-’73), dhe në gjithë atë zymti dhe heshtje 50-vjeçare mbi veprën e tij, ajo shfaqet serioze në fushën e letrave shqipe.

Koliqi, autor i një letërsie të emancipueshme

Lexo edhe :  Një telefonatë nga Tirana fut në 'sherr' Melonin me Macronin

Në tekstin e letërsisë së Akademisë së Shkencave (1983), tekst që duhej të ish më serioz, por veç të tjerash, duhet t’ish shkruar shumë më ndryshe. Ernest Koliqi përmendet vetëm dy herë, por edhe këtu me nervozizëm, kalimthi dhe si me ngut, pothuajse si në parathënien e shkruar në veprën e zgjedhur të M. Kutelit (1990), ku kërkohej një përplasje midis Migjenit, Koliqit dhe Kutelit. Po aty, Koliqi rëndohet, pra, se “proza e tij qe ndërtuar sipas modeleve të prozës së huaj” pothuajse njëlloj sikurse fajësohej edhe L. Poradeci mbi “presionin e kulturave të huaja”, në parathënien e botimit më të fundit të poezisë së përmbledhur të poetit (1990).

Gjithsesi, përfitimi i Koliqit nga modelet e prozës së huaj, d.m.th., nga autorë të huaj të emancipuar, shpallet si fajësi, dhe kjo gjë, ky lloj përcaktimi, i kapërcente vetë përmasat e absurditetit të asaj klike letrare, e cila n’atë formë, shpalli detyrimisht mjerimin e vetvetes. Por, nga ana tjetër, Koliqi ishte vetë autori i një proze të emancipuar në letërsinë shqipe.

Koliqi dhe Migjeni

Në studimet letrare u krijua oponenca Koliqi-Migjeni, që ish pa dyshim një nga format më të veçanta dhe më të preferueshme për të denigruar Koliqin dhe artin e tij. Në këtë rrafsh u krijuan keqkuptime të shumta rreth figurës së Koliqit; që ajo të përçmohej, të keqinterpretohej dhe në fund të fundit të futej në humnerat e heshtjes.

Përcaktimi i dhënë për të si “shkrimtar reaksionar”, përshkroi pothuajse krejt tekstet e letërsisë së shkollave të mesme kur prekej figura e Koliqit dhe sikur të ishin të pakta të gjitha këto, studiuesit zgjodhën pra atë që ata hamendësonin si më të arsyeshmen për të spekuluar: kundërvënia Koliqi-Migjeni. Por, Koliqi dhe Migjeni ishin secili profil më vete, ishin secili shkollë e veçantë. Që të pohohej njeri shkrimtar, ishte e palogjikshme të mohohej tjetri: Koliqi dhe Migjeni janë dy vlera të ndryshme në cilësi dhe sasi, brenda trungut të letërsisë kombëtare shqipe.

Megjithatë, në studime të tilla, Koliqi më tepër përmendej si rastësisht, pa analiza të veçanta dhe të thelluara në artin e tij. Në këto studime të pjesshme ose më saktësisht, n’ato studime ku sapo përmendej Koliqi, u krijuan në mënyrë të çuditshme, u hamendësuan kontradikta të mëdha midis Koliqit dhe Migjenit, kontradikta në marrdhëniet e tyre vetjake apo midis artit të tyre, sikur të dy autorët të mos ishin bashkëkohës dhe të mos vinin nga qyteti i artistëve të veçantë, si ish Shkodra, por të krijonin në dy planetë të ndryshëm, njëri (Koliqi) në një planet të errët dhe pa kurrfarë drite, tjetri (Migjeni), në një planet të ndritshëm. Ishte një lloj herezie për të shpallur se Koliqi sikurse Kuteli, ishin konstruktorët e tregimit modern shqiptar, siç ishte herezi për të pohuar se Migjeni pati një ndikim të ndjeshëm nga Koliqi, sidomos në prozën e tij Studenti në shtëpi, prej prozës Gjaku.

Në novelën “Gjaku”, Koliqi do të shpallte opsionin e tij për kulturën dhe qytetërimin: “- Ai qi kalon nëpër popull tue hjedhë për nji jetë ma të mirë, ai qi e ndriçon me nji dritë ma të bukur tokën qi na ushqen, ai qi na ban me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave; shkurt: kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë, a i denjë me qenë i nderuem si gjysmë perendie”.

Në fund të novelës Studenti në shtëpi, Migjeni do të parashtronte kërkesën për një shoqëri të emancipueshme: “…Kështu si unë ja lozin lojën shoqnis’ me qindra vetë në vendin tonë. Prandaj shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat”. Koliqi dalloi tek Migjeni shkrimtarin e ri, talenti i të cilit do të krijonte një poezi dhe prozë të emocioneve të mëdha. Por edhe pse është përmendur se një pjesë të shkrimeve të tij Migjeni i botoi në të përjavshmen Illyria (Sokrat i vuejtun – apo derr i kënaqun, Ose…ose, Shpirtnet shtegtarë, Tragjedi apo komedi, Ta fala nga fshati, Një refreni i qytetit tem, Të lindet njeriu, A do qymyr zotni, Zgjimi, Shkëndija, Kanga e rinisë, Në kishë, Ngjarje pa lëvizje, Vetvrasja e trumcakut, Luli i vocërr, Melodi e këputun, Recital i malësorit), asnjëherë s’u ekspozua në studimet letrare të realizmit socialist fakti se Koliqi që drejtonte të përjavshmen Illyria, mbetet pa dyshim botuesi i parë i veprës së Migjenit. Po n’atë organ letrar, më 11 e 18 prill 1936, do të bëhej njoftimi: “Për së shpejti do të qarkullojë libri i vjershave me titullin Vargjet e lira, prej shkrimtarit të ri dhe bashkëpunëtorit tonë, Migjenit”.

Koliqi në revistën Shejzat (1974), shpjegon marrdhëniet e tij me Migjenin, hedh një dritë të re duke sqaruar enigmat që u hamendësuan apo u krijuan nëpër studimet letrare. Këto lidhje, më tepër se lidhje personale, ishin lidhje midis një botuesi (Koliqit) dhe një krijuesi (Migjenit): “I nënshkruemi…si lexues i zhuritun veprash poezie qysh në moshën ma të gjelbërt, sa i ranë në dorë do vjersha të Migjenit, kuptoj se ai pajisej me një talent të njimendtë poetik. Shija ime u shtrue ndër autorë së pari klasik e neoklasik, ma vonë në poetë të simbolizmit, sidomos flamant, ndoshta mtonte më struktura formale kujdes ma të madh gjuhësor e stilistik. Kjo nuk më ndalonte veçse të çmoj në vjershatorin djaloshar hovin ndjesive dhe nji lumnije shprehjesh që merrnin ma tepër fuqi nga thjeshtësia e mungesa e plotë e qëllimeve lajkuese. E bisedova me miqtë e “Illyrisë” dhe nji mendjeje me Branko Merxhanin e Karl Gurakuqin, vendosmë me ja botue Migjenit alias Millosh Gjergj Nikollës, vjershat në faqen e tretë të së përkohshmes, d.m.th., në faqen ku paraqiteshin shkrimet e autorëve tanë ma të njoftun”.

Më vonë, në vitin 1941, Koliqi do të përfshinte në antologjinë Shkrimtarë shqiptarë edhe Migjenin. Koliqi, gjithashtu, vëren edhe pasaktësitë apo keqinterpretimet në raportin Koliqi – Migjeni, të paraqitura nga Skënder Luarasi në hyrjen e vëllimit Migjeni (1957, f. 22-23), apo të Musa Krajës në librin Migjeni mësues (1973, f. 15), pasaktësi të cilat prezantonin në mënyrë të njëanshme dhe të pathelluara atë raport midis shkrimtarëve të njohur të viteve ’30. Koliqi argumenton se “Luarasi ka arritë vonë si shpallës i talentit të tij (Migjenit)”, ndërsa e sheh krejt të paarsyeshme polemikën e tij me Musa Krajën duke shpjeguar për një mosnjohje personale me Migjenin, ku me çrast Musa Kraja e hamendësonte një njohje të tillë.

Puna pasionante si përkthyes

Që në gjimnaz më patën rënë në dorë libra të poezisë italiane të përkthyera nga Ernest Koliqi. Por, po të shkoje në bibliotekë dhe të kërkoje ato libra, për punonjëset e bibliotekës një kërkesë e tillë përmbante diçka të frikshme.

Kjo ish krejt e pashpjegueshme, pasi n’ato libra flisnin shqip poetët e shquar t’Italisë, si Dante, Petrarka, Ariosto, Taso, Parini, Monti, Foskolo, Leopardi etj. Ndërsa në tekstin e letërsisë së Akademisë së Shkencave (1983), lexuesi mëson për përkthimin e këtyre poetëve të mëdhenj, por që kërkund nuk përmendet emri i përkthyesit të tyre, Ernest Koliqi, ai vetvetiu largohet me një ndjenjë keqardhjeje dhe pezmatimi, duke krijuar bindjen se pengesa antiletrare ndaj veprës së tij për arsye jashtëletrare ka qenë e një cilësie jashtëzakonisht të lartë.

Vetëm për hartimin e vëllimit të parë të antologjisë, përkthyesi shfrytëzoi 18 libra voluminozë dhe aty, gjatë përkthimit, pa dyshim që ndihet dora e mjeshtrit. Vetë përkthyesi në shënimet hyrëse të librit të parë do të shkruante: “E nëpërmjet fjalëve të gjuhës virgjin do të shofin tue vegue në largësi nji botë të ndriçme, të flladitun prej nji fryme të hyjnueshme ku mësimet njerëzore ma të hovshme e të rrepta janë të harmonizueme me nji shprehje të matur e të përpiktë, plot gjallni lëvizjeje në qartësinë ma kristalore”.

Gjergj Fishta do të përshëndeste punën pasionante të Koliqit, duke shoqëruar parathënien e librit me fjalët virtuoze, që mund t’i shprehë vetëm mjeshtri për mjeshtrin: “Por puna e pastër, vjersha kumnuese e skyrtjimi i kthjelltë i z. Koliqi, mbi shpirtin e notën karakteristike të secilës ndër këto vepra, posë se po na bajnë me shijue bukuri klasike deri m’sot krejt të re për komin shqyptar, u rrëfejnë njiheri të huejve se gjuha shqype ka aq pasuni fjalësh e asht e ardhshme plot gjallni e jetë, sa me mujtë me u përkthye në të klasikët e çdo komi e të çdo kohe”.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Elena Kocaqi: Zgjedhjet prishen nga dy partitë e mëdha për interesa personale

Studiuesja dhe historiania Elena Kocaqi drejtoi për herë të parë një parti politike në zgjedhje parlamentare, formacionin Aleanca Kombëtare...

“PD nuk duhet të sillet më si parti e madhe”, këshilla e Andi Bushatit për demokratët

ANDI BUSHATI - E tronditur nga disfata, e shushatur nga rezultati marramendës i Ramës dhe e pa përgatitur për atë çfarë do ti thotë...

Përfshihet nga flakët materniteti në Angli, evakuohen gratë shtatzëna

Momente paniku kanë përjetuar gratë shtatzëna pasi materniteti në Bristol të Anglisë u përfshi nga flakët. Evakuimi i grave shtatzëna dhe të porsalindurve u bë...

Cili shtet po sfidon Francën si superfuqi ushtarake? E kemi në Mesdhe…

Turqia po bën hapa të mëdhenj drejt modernizimit të ushtrisë së saj dhe po rrit ndjeshëm ndikimin ushtarak në rajonin e Mesdheut, duke sfiduar...

“Berisha ishte problemi në zgjedhjet e 11 majit”, Lesi kërkon dorëheqjen e kryedemokratit

Ish-deputeti, Nikollë Lesi, ishte i ftuar në Top Story në Top Channel, ku u diskutua se çfarë do të ndodhë me PS dhe me...

Lajme të tjera

Web TV