Si ranë mediat, nga paligjshmëria tek dora e hekurt

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Zamir Alushi

Kur ish-deputeti dhe botuesi i ‘Koha Jonë’, Nikollë Lesi, i kërkoi mazhorancës socialiste, në vitin 1997, anulimin e ligjit për shtypin të Sali Berishës, nuk e ka imagjinuar median e re që do të lindte me portalet në internet. Ligji që kemi sot ka vetëm një nen: “Shtypi është i lirë, liria e tij mbrohet me ligj”. Të gjithë gazetarët në atë kohë u ndjenë të çliruar nga ligji i mëparshëm, që e penalizonte njeriun e shtypit deri me burg.

Sot vjen një paketë antishpifje, me qëllime të mira, por që ia kalon ligjin të Berishës për nga dëmet. Ish-presidenti Berisha kishte firmosur një ligj që nuk arrinte deri në mbylljen e gazetave, kurse kjo paketë mbyll mediat për shkelje të ndryshme, që në fakt rregullohen shumë mirë me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Këto nene kanë funksionuar shumë mirë kundër gazetarëve dhe vazhdojnë të punojnë kundër tyre. Në gjykatat shqiptare sot janë mbi 150 dosje për shpifje ndaj gazetarëve, shumica e të cilave janë të bëra nga persona publikë.

Aq penalizuese janë këto nene, sa Sali Berisha (kryeministër) u detyrua gjatë qeverisjes së dytë të ndalonte ministrat dhe deputetët që të padisnin gazetarët për shpifje. Sigurisht, Edi Rama kryeministër në dy mandate dhe kryetar bashkie në tre mandate, ka qenë më i ndjeshëm ndaj medias me retorikën kundër gazetarëve. Por, ai duke qenë vetë një publicist, ishte në konkurrencë me median, nuk e vlerëson rolin e saj dhe bëhet vetë botues, vetë gazetar, vetë regjisor dhe vetë protestues.

Pra, në personalitetin e tij shkrihen të gjitha rolet. E kam fjalën se ai me kohë mori copa nga “pushteti i katërt” dhe i bashkëngjiti tek pushteti i tij politik. Sigurisht që pak e mbajnë mend një ngjarje që shënoi revolucion në marrëdhëniet e politikës me median. I ndjeri Sokol Olldashi, në atë kohë kryetar i një komisioni parlamentar hetimor ndaj Edi Ramës (kryetar bashkie) e kishte thirrur për të dëshmuar në Kuvend.

Edi Rama e befasoi. Olldashi kishte llogaritur t’i bënte gjyqin dhe ta pasqyronte këtë në media. Por Rama nuk u bë ‘qengj që shkon në gojën e ujkut’. Ai u shfaq me një megafon në dorë dhe e zhurmoi atë mbledhje. Olldashi nuk ia ndërpriste dot fjalën, se ai e kishte të vetin megafonin. Media u “trullos”, harroi se pse ishte thirrur Rama dhe u mor me paraqitjen ekstravagante të kryebashkiakut.

Lexo edhe :  Zgjedhjet parlamentare/ Rama prezanton Erion Braçen si përgjegjës në njësinë 5 në Tiranë

Kjo përplasje e politikanit me median e trullosur vazhdoi në skena dhe me mjete të ndryshme. Edi Rama i kishte rrëmbyer medias megafonin. Tashmë nuk ka mbetur asgjë për të marrë, vetëm kërkohet të legalizohet me ligj ajo që ka ndodhur. Po ndërkohë, çfarë bëmë ne gazetarët. Kur u miratua anulimi i ligjit Berisha për median, të gjithë e kuptuam se tani rreziku i fjalës së lirë do të vinte nga liria e parregulluar me ligj.

Të gjitha përpjekjet për ngritjen e Urdhrit të Gazetarit në Shqipëri përfunduan me dështim. Botuesit dhe pronarët nuk pranonin ta linin në dorë të këtij urdhri vlerësimin dhe ruajtjen e raportimit brenda etikës në mediat e tyre.

Një pjesë e kryeredaktorëve u bënë politikanë dhe ministra, disa qëndruan si banakierë që i shërbejnë porosisë së radhës. Sot kanë organizata të deontologjisë të gjitha profesionet. Avokatët, noterët, farmacistët, mjekët e të tjerë kanë urdhrat e tyre. Sot është dita të nisim të mbrojmë profesionin tonë, misionin tonë për raportimin e lajmit.

Liria ime dhe e gjithë gazetarëve që njoh, nuk kërcënohet dot nga kryeministrat e këtij vendi apo ligjet që ata nxjerrin. Nëse më mbyllet një media do të shkoj diku tjetër. Nëse më hiqet një lajm, do ta raportoj në rrjetet sociale. Nëse edhe aty nuk do të më qasin, do ta shkruajë lajmin në një copë letër, do ta fotokopjoj dhe do ta shpërndaj si trakt.

Një parullë do ta shkruaj, ashtu si e ndjej. Sepse misioni ynë nuk ndalet nga asnjë ligj. Sot duhet të ngremë lart besueshmërinë e raportimit tonë përmes shenjtërimit të profesionit të gazetarit. Protesta e për mbrojtjen e lirisë time po bëhet shumë mirë nga disa OJQ dhe gazetarë kolegë. Ne e raportojmë. Revolta ime dhe e gazetarëve që njoh vazhdon, duke raportuar. Ndryshe, mirë të na e bëjë Edi Rama!/ Fjala.al

Të fundit

Tragjedi në Indi, njerëzit shtypen nga turma, mbi 40 viktima gjatë ritualit fetar

Të paktën 40 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, pasi u shkelën nga turma, gjatë një...

Ktheu shtëpinë në laborator të sofistikuar kokaine, arrestohet shqiptari i ‘papunë’!

Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane teksa ishte i përfshirë në përgatitjen dhe trafikimin e drogës në zonën e Imperias. I arrestuari është i...

Me shumë fëmijë në krime/ Fier, 100 të mitur u ndoqën penalisht në 2024

Përfshirja e të miturve në veprimtari kriminale rezulton në shifra shqetësuese në Fier. Përgjatë vitit 2024 janë arrestuar dhe proceduar penalisht 100 të mitur...

Kolesteroli shumë i ulët në gjak,rastet kur është shqetësues

Për problemet me kolesterolin me siguri keni degjuar dhe lexuar me qindra artikuj, e kryesisht ato për kolesterolin e lartë. Kolesteroli i lartë është një...

Berisha si Trump: Vetëm dy gjini, dënohet kush flet për Prindin 1 dhe Prindin 2

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD deklaroi se "ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit...

Lajme të tjera

Web TV