Nga Shpëtim Luku
Kaluan më shumë se 3 javë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe tashmë vendi e qytetarët vazhdojnë përpjekjet për përballimin e pasojave.
Ndonëse tërmeti, ishte i fortë, ai në të kundërt me perceptimin dhe idenë e përgjithshme, rregulloi reputacionin e ndërtuesve sa i takon qëndrueshmërisë së godinave.
Çdo debat i bërë apo që mund të vazhdojë të bëhet në këtë aspekt është kohë dhe energji e humbur, pasi edhe nga specialistët është pranuar që dëmtimet kanë ardhur nga gabime që kanë kryer konstruktorë të veçantë apo nga ndërhyrjet e bëra në strukturat mbajtëse të ndërtesave.
Megjithatë, pavaresisht kalimit të kësaj prove, ndërtuesit shqiptarë kanë mjaft mëkate karshi qytetit dhe qytetarëve. Janë të paktën 4 të tilla.
- Projekte të dobëta nga ana estetike
Ndërsa avioni bënte uljen në Beograd, disa vite më parë, ndërtuesi i njohur Behar Malaj me ftoi të isha i vëmendshëm për të mos humbur bukurinë e këtij qyteti nga lart. Dhe vërtet, pamja që shfaqej poshtë “barkut” të avionit ishte magjepsëse.
Një qytet i rregullt, i ndarë si me kuadrate nga rrugë të gjera, me ndërtesa të bukura e të vendosura aty ku duhet e siç duhet, të jepnin ndjesinë që të ngjall në të tilla raste e bukura, e rregullta, por nga ana tjetër ky takim i parë me peisazhin beogradas theksonte akoma më shume vetëdijen rreth masakrës urbane që ka ndodhur qytetet shqiptare, e sidomos në Tiranë përgjatë viteve të tranzicionit.
Dhe në këtë masakër edhe ndërtuesit kanë kontributin e tyre nëpërmjet ndërtimeve pa projekte të bukura, nëpërmjet ndërtimeve vend e pa vend, pa respektuar hapësirat nga njëri ndërtim tek tjetri, duke shndërruar parqe publike në ndërtesa etj. Sot në Tiranë ka ndërtesa që janë të reja, por që për nga cilësia e projektit dhe e fasadës duken sikur kanë mbi 50 vite që janë bërë.
Deri para pak viteve, ndërtimet në Tiranë kanë patur vetëm një funksion, atë të një vendi për të ndenjur e fjetur, por për qytetin këto ndërtesa përbëjnë gjurmë shëmtie. Vetëm pak vite ka që projektet e godinave kanë filluar të bëhen cilësore, me materiale dekorative, ndërtime këto që bëjnë një diferencë të madhe me ato të kryera më parë.
Por e keqja e madhe ka ndodhur dhe sado të bukura të jenë projektet në vazhdim, ato nuk kanë ndonjë aftësi të dukshme për të përmirësuar pamjen e përgjithshme të Tiranës.
- Parkimi
Mëkati i dytë i ndërtuesve karshi qytetit dhe qytetarëve është krijimi i problemeve për parkimin. Janë jo pak ndërtesa në Tiranë që janë kryer pa e patur të detyrueshme si standart bërjen e parkimeve. Mirëpo kjo ka sjellë përqendrimin e disa familjeve në këto lloj ndërtesash, me të vetmen alternativë sistemim makinash, rrugët apo rrugicat.
Problemi bëhet më i mprehtë, kur Bashkia në emër të politikave të saj për të dekurajuar përdorimin e mjeteve në qytet, krijon korsi biçikletash, e atëherë gjetja e një vendi për makinën është vërtet një hall i madh.
Dhe nëse qytetarët përballen me një dhimbje të tillë koke çdo ditë, kjo është “meritë” e shkurtpamësisë, e paaftësisë dhe pse jo, edhe e dëshirës për të fituar sa më shumë e një kategorie të caktuar ndërtuesish.
Se sa ndryshe do të ishte situata është e lehtë të përfytyrohet pasi që nga viti 2009, vit kur parkingjet në katet e poshtme të pallateve u bënë standart i detyrueshëm këto probleme ose nuk egzistojnë ose janë të papërfillshme.
- Ndërtesa “akull”
E njëjta logjikë vlen edhe për aftësinë që duhet të ketë një ndërtesë për të ruajtuar ngrohtësinë në dimër dhe freskinë në verë. Për ngrohje qëndrore si standart as nuk bëhet fjalë e madje duket si pretendim i tepërt.
Por shumica e ndërtesave janë konsumatore të mëdha energjie dhe kjo vjen vetëm si rrjedhojë e paaftësisë së saj për të ruajtur temperaturën. Shumë vite më parë u hodh një ide për të futur tek aplikimet për leje është një projekt i detyrueshëm termoizolimi, mirëpo kjo është bërë e mundur vetëm tani së fundmi.
Çka do të thotë se përgjatë gjithë kësaj kohe ndërtuesit shqiptarë kanë krijuar “vatra” të konsumit pa hesap të energjisë elektrike, duke rënduar nga faturat qytetarët, të cilën ngrohjen apo freskimin e kërkojnë tek puna pa pushim e kondicionereve.
- Pronarë apartamentesh pa dokumente pronësie
Dhe mëkati i 4-t është se me devijimet nga projektet e miratuara, me shtesa katesh të realizuara prej ndërtuesve, një numër i konsiderueshëm qytetarësh nuk janë zyrtarisht pronarë të apartamenteve të tyre.
Ata janë privuar kështu nga e drejta e shitblerjes, nga aksesi në sistemin bankar për sigurim kredie, nga bashkëpunimi me kompanitë e sigurimeve për të siguruar pronën, apo edhe duke u ekspozuar përballë të papriturave të jetës, duke iu lenë trashëgimtarëve problematika të ndryshme në lidhje me të drejtën e pronësisë./Fjala.al/