Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ndodhet sot ndoshta në pozicionin më të sikletshëm të tij gjatë gjithë karierës presidenciale. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar të mërkurën në mbrëmje dy akuza për shkarkimin e Presidentit Trump.
Kjo është hera e tretë në historinë e shtetit amerikan që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.
Ky votim i konsideruar si historik, duket se ka ndarë prerazi në vija partiake jo vetëm Senatin, por edhe duket se ka ndarë mbarë vendin për këtë çështje… Kjo pasi e akuzon presidentin e 45-të për abuzim të pushtetit të zyrës së tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të hetimeve të Kongresit për këtë çështje.
Gjyqi ndaj Presidentit Trump parashikohet të zhvillohet në Senat gjatw muajit janar 2020. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Për shkarkimin e presidentit duhen 2/3 e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pak, ose asnjë republikan, pritet të votojë për shkarkimin e presidentit.
Gjatë ditës së mërkurë, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve debatonte rreth akuzave, presidenti Trump u shpreh përmes një postimi në Twitter se, e gjitha kjo ishte “një gënjeshtër e shëmtuar e të majtës radikale, një sulm ndaj Amerikës dhe një sulm ndaj Partisë Republikane”. Mirëpo ligjvënësit demokratë thonë se, Presidenti Trump, duhet larguar nga detyra pasi përdori ndihmën për Ukraninën, për interesat e tij personale politike.
Sipas demokratit Jerrold Nadler, Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve, “Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin e zgjedhjeve”.
Nga ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se, demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e Presidentit Trump.
Debbie Lesko, ligjvënëse republikane, tha se: “Ata paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë këtë vend”. Historikisht proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se opinioni publik është në anën e tyre.
Sipas Nancy Pelosit, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, “Publiku mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit”.
Edhe pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane.
Sipas Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, “Presidentit iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”.
Procesi i shkarkimit të presidentit është një moment i rrallë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara./Përgatiti dhe përshtati: Fjala.al/ Burimi: washingtonpost.com/