A do të rritet energjia?/OST kërkoi rritje të tarifës në 1.2 lekë për 2020

Operatori i Transmetimit të Energjisë (OST) i  kërkoi Entit Rregullator të Energjisë(ERE) që të rishikonte tarifën e transmetimit duke e çuar atë në  1.2 lekë për çdo kilovat/orë energji nga 0.75 lekë që është sot. Në rast se do të pranohej kërkesa e OST për rritjen e tarifës ajo do të reflektohej në rritje të çmimit të energjisë.

Por në një analizë që ka bërë vetë Enti ka argumentuar se së pari OST ka tejkaluar afatet që i lejon ligji për të bërë këtë kërkesë. “Aplikimi i paraqitur nga shoqëria OST sh.a. është në tejkalim të afatit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 21 të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, miratuar me vendimin nr. 96, datë 17.06.2016, të Bordit të ERE-s dhe është konstatuar me mangësi në të dhënat e paraqitura nga shoqëria OST sh.a., në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 “Rregullat e përgjithshme për paraqitjen e aplikimeve për përcaktimin/ rishikimin e tarifave dhe çmimeve të shërbimeve të energjisë elektrike dhe/apo të gazit natyror nga shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë në Sektorin e Energjisë”, të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, miratuar me vendimin Nr. 96, datë 17.06.2016, të Bordit të ERE-s”  nënvizon ERE.

 

Së dyti rregullatori thekson se ka dy aspekte që merren parasysh i pari aplikimi i paraqitur, nuk ka një analizë të detajuar të (CAPEX & OPEX) të 10-muajve tashmë të mbyllur të vitit 2019, si dhe parashikimin e pritshëm për pjesën e mbetur të vitit 2019, konform listës së llogarive për qëllime të rregullimit për aktivitetin e transmetimit të energjisë elektrike. I dyti nuk është paraqitur plan i rishikuar i investimeve për vitin 2020. Vlera e investimeve të reja për vitin 2020 të paraqitura në aplikimin për tarifë nuk përputhet me planin e zhvillimit të paraqitur nga shoqëria për përudhen 2015- 2025.

Lexo edhe :  Paradoksi shqiptar. Të varfër, por me kursime rekord në banka

Duke pasur parasysh këtë situatë ERE ka vendosur që të lerë në fuqi tarifën 0.75 lekë që sot OST aplikon për transmetimin e energjisë edhe për vitin 2020.

 

“Bordi i ERE-s, Vendosi: 1. Mos fillimin e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të shoqërisë OST sh.a. për miratimin e tarifës së shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2020 prej 1.2 lekë/kËh. 2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 266, datë 21.12.2018, të Bordit të ERE, në lidhje me tarifën e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2020” thuhet në vendim.