Kompensimi i Pronave, qeveria miraton fondin 484 milionë lekë

Qeveria vendosi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale në zonat Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe Zonat e Stimuluara.

Sipas vendimit të qeverisë mësohet se masa e kompensimit është 45 991,2 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 484 740 576,16 lekë.

Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kjo ndodh si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

Qeveria vendosi që drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe Zonat e Stimuluara të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi. /Fjala.al/