Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit të Organizuar, i ka kërkuar më anë të një shkrese zyrtare Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që të transferojë dy prokurorë të rinj që të bëhen pjesë e institucionit të SPAK.
Bëhet fjalë për prokurorin Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ku sipas SPAK, në kushtet e një ngarkese të tillë, është e pamundur të menaxhohet vetëm nga prokurorët aktualë.
Në shkresën zyrtare thuhet se, të dy prokurorët i plotësojnë kushtet që kërkohen për të emërtuar një prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, kanë dhënë pëlqimin e tyre për transferimin dhe respektimin e kushteve të sigurisë, për besimin dhe konfidencialitetin në Prokurorinë e Posaçme.
Ata kanë ushtruar detyrën në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, deri më datën 19 dhjetor 2019.
“Prokurori Dritan Prençi, ka transferuar 15 procedime penale në hetim me 92 persona të hetuar, si dhe një kërkesë për ekzekutim letër-porosie të Autoriteteve të Huaja. Ndërkohë, Prençi ka në ndjekje në gjykim 13 çështje penale me 100 të pandehur, si dhe 2 kërkesa për konfiskim pasurie.
Prokurori Vladimir Mara, ka transferuar 22 procedime penale në hetim me 126 persona të hetuar. Ndërkohë ka në ndjekje 17 çështje në gjykim, me 97 të pandehur dhe 1 kërkesë për konfiskim pasurie”,– thuhet në komunikatë.
Zëdhënësja e KLP, Carmen Gjani, tha se, Këshilli votoi me 9 vota pro dhe një kundër, kërkesën e drejtuesit të SPAK, Arben Kraja, për transferimin e përkohshëm të prokurorëve Mara dhe Prençi në SPAK./Fjala.al/