Natën e ndërrimit të mot-moteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, popuj të ndryshëm të Botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.
Tradita kubane për natën e ndërrimit të mot moteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve, të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues. Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumëllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm, sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.
Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar, konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë.
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.
Njeriu i parë, i cili do t’u hyjë në shtëpi pasmesnate, besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.
Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të mot moteve. Ky veprim do t’u sjellë shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet tuaja, gjatë tërë vitit të ardhshëm.
Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri t’i paguani të gjitha borxhet që i keni, sepse kështu viti që vjen do t’u sjellë fillim të mbarë në të gjitha fushat e jetës.
Të gjithë portofolët tuaj këtë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’iu përcjellë më shumë begati dhe pasuri.