Në prag të një lufte të mundshme, SHBA vret liderin e ushtrisë së Iranit

Gjeneral Qassim Soleimani, një prej liderëve kryesorë të ushtrisë së Iranit, u vra në një sulm ajror amerikan në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit këtë të premte. Ky atentat shënon një përshkallëzim të madh në tensionet SHBA-Iran.

Nis kështu shkrimin e saj prestigjiozja, The Telegraph, duke lënë të nënkuptohet se jemi në prag të një lufte të mundshme mes SHBA-së dhe Lindjes së Mesme.

Ka qenë vetë presidenti Donald Trump që ka urdhëruar vrasjen e Soleimani, ndërkohë që në profilin në “Twitter” ka publikuar një foto të flamurit amerikan.

Gjenerali Qassem Soleimani ishte Komandanti i Forcës elitë Al-Quds, pjesë e Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit. Vrasja e tij nga shumë ekspertë po konsiderohet si momenti më delikat në Lindjen e Mesme që pas Luftës së Irakut.

Përgjigja e Uashingtonit erdhi pas sulmeve të bëra ditët e fundit ndaj Ambasadës Amerikane në Baghdad, të cilat mendohet se janë nxitur nga forcat iraniane.

Vrasja e Soleimani rrezikon të ketë pasoja të thella në marrëdhëniet e tensionuara midis Uashingtonit dhe Teheranit, në Lindjen e Mesme por edhe në Shtetet e Bashkuara.

Irani zyrtar tha se SHBA dhe Izraeli ishin përgjegjës për aktin e asaj që ata e quajtën terrorizëm ndërkombëtar dhe premtuan reagime, ndërsa tregjet e naftës në Lindjen e Mesme kanë shënuar rritje të mprehta të çmimit të naftës./Fjala.al