Analistët nuk parashikojnë luftë mes SHBA-ve me Iranit

Analistët amerikanë nuk parashikojnë që tensionet me Iranin të shndërrohen në luftë. Kështu shkruan Zëri i Amerikës

Demokratët në Kongres duan që t’ia dobësojnë presidentit kompetencat për luftë, gjë që ligjvënësit republikanë e kundërshtojnë. Shumë amerikanë, gjatë protestave në rrugë të shtunën dhe të dielën, shprehën kundërshtimin e tyre ndaj një lufte me Iranin.

Ndërsa amerikanët protestojnë kundër një lufte tjetër në Lindjen e Mesme, iranianët mbajnë zi për vdekjen e gjeneralit të lartë të tyre. Udhëheqësi suprem i vendit u zotua për hakmarrje dhe presidenti amerikan paralajmëroi se Uashingtoni do të reagonte duke vënë në shënjestër objekte të rëndësishme në Iran.

Demokratët në Kongresin amerikan janë të shqetësuar nga shkallëzimi i situatës me Iranin dhe thonë se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë këtë javë për një rezolutë për të kufizuar kompetencat e Presidentit Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.

Por analistët thonë se pavarësisht nga retorika e ashpër, një luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, nuk ka gjasa të ndodhë.

“Në Shtetet e Bashkuara nuk ka dëshirë për luftë, por nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara u bindën se nëse nuk bënin gjë si reagim ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj diplomatëve dhe kontraktorëve amerikanë, ato veçse do të vazhdonin. Prandaj nuk ekziston një rrezik i menjëhershëm për një konflikt ushtarak”, thotë Michael Rubin, i Institutit Amerikan Enterprise.

Vendet e Gjirit Persik duan me çdo kusht të shmangin një luftë në rajonin e tyre, thotë analistja Barbara Leaf.

“Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, nuk kanë qenë shumë të zëshme. Por thelbi i komenteve të tyre është që duhet të ketë një zbutje të tensioneve dhe një qasje politike për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, thotë ajo.

Lexo edhe :  Kisha e Anglisë emëron Kryepeshkopen e parë femër të Canterbury-t

Ndërkohë, zyrtarët irakianë nuk duken të prirur të veprojnë pas vendimit të parlamentit të tyre për të dëbuar trupat amerikane nga Iraku, pasi zoti Trump kërcënoi të vendoste sanksione ndaj Irakut.